A Journal for Nurses (1938) / Rrëfimi i infermieres amerikane Helen G. Denton mbi eksperiencën e saj profesionale një vjeçare në Shqipëri


Zonjusha Helen G. Denton dhe një bari shqiptar. – Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-29
Zonjusha Helen G. Denton dhe një bari shqiptar. – Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-29

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Shkurt 2023

 

“RN, A Journal for Nurses” ka botuar, në prill të 1938, në faqet n°26-29, rrëfimin e infermieres amerikane Helen G. Denton mbi eksperiencën e saj profesionale një vjeçare në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Infermierja e shkollës në Ballkan

nga Helen G. Denton, R.N.

 

Zonjusha Helen G. Denton dhe një bari shqiptar. – Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-29
Zonjusha Helen G. Denton dhe një bari shqiptar. – Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-29

Dentonët e Caribou (7.600 banorë) në shtetin e Maine janë njerëz të mirë të New England, pa një pikë gjaku cigan në venat e tyre. Pra, unë u befasova po aq sa çdo njëri prej tyre, kur u gjenda rrugës për në Shqipëri, në vendin e vogël ballkanik të udhëhequr nga mbreti Zog.

 

Unë isha duke punuar në Nju Jork kur mora një letër nga shtëpia ku përmendej se një fqinje, e martuar me drejtorin e një shkolle në Shqipëri, sapo kishte lindur një fëmijë të adhurueshëm. I shkrova shoqes sime, duke e uruar për fëmijën dhe duke e pyetur nëse i pëlqente Shqipëria. Ajo u përgjigj menjëherë dhe më pyeti se si do ta doja Shqipërinë. Ajo përmendi se kishte një nevojë reale për një infermiere të shëndetit publik në shkollën atje dhe më nxiti të aplikoja për këtë vend pune dhe të nisesha me ta. Kjo është pikërisht ajo që bëra.

 

Udhëtimi ishte i këndshëm. Miqtë e mi flisnin vazhdimisht dhe me entuziazëm për Shqipërinë. Ata folën për frutat tropikale ekzotike, malet e thepisura, Adriatikun paradiziak. Ata nuk përmendën sezonin e shirave.

 

Përshtypjet e para nga Shqipëria

 

Ishte natë kur zbarkuam në Shqipëri. Përshtypja ime e parë ishte një makth mes baltës, shiut, fytyrave të errëta dhe vdekjes së papritur. Të gjithë shqiptarët i ngasin makinat me shpejtësi të madhe. Rrugët malore (dhe nuk ka të tjera) janë të përdredhura, të rrëmbyeshme dhe nuk kanë shina mbrojtëse apo mure. Për më tepër, rrugët janë shkëmbore. Në sezonin e shirave, ato kombinojnë rrezikun emocionues të baltës së rrëshqitshme me gungat e mprehta të stinës së thatë. Megjithatë, shoferi shqiptar nuk është i pakujdesshëm. Ai është i vetëdijshëm se vezullimi i dritave të forta gjatë natës ka të ngjarë të verbojë shoferin e një makine që vjen në drejtim të kundërt, kështu që makinat kalojnë njëra-tjetrën pa drita. Kjo dredhi realizohet gjithmonë në një kthesë të ngushtë me një shpejtësi marramendëse.

 

Kur shkova në shtrat natën e parë në Shqipëri, mendova me përulësi për Perëndinë (Zotin) dhe me dashuri për shtëpinë.

 

Por ky ishte momenti i fundit i keqardhjes që pata për ardhjen në Shqipëri. Kam jetuar nëpër rrebeshin e zymtë të sezonit të shirave, kam shijuar dy javët e shkurtra të pranverës dhe kam duruar vapën e nxehtë të stinës së “thatë”. Unë kam qenë filozofe për dozën ditore të kininës, zierjen e ujit të pijshëm, gatimin e pothuajse të gjitha perimeve dhe pastrimin e frutave me permanganat kaliumi. Këto shqetësime të vogla ishin një çmim i vogël për t’u paguar për përvojën emocionuese dhe shpërblyese të një viti në Shqipëri dhe miqësitë e shumta të këndshme të krijuara me njerëzit atje.

 

Puna ime si mësuese-infermiere

 

Vendasit janë të fortë, inteligjentë, filozofë dhe mikpritës dhe të rinjtë janë shumë të interesuar për Amerikën dhe amerikanët. Të gjitha këto i mësova shumë shpejt në shkollën e vogël pranë Kavajës, ku punoja si mësuese dhe infermiere e shëndetit publik. Tetëdhjetë nxënësit e mi, të gjithë djem, ishin të moshës rreth 15-18 vjeç. Në një kurs trevjeçar ata mësojnë bujqësi, anglisht, aritmetikë të thjeshtë dhe higjienë. Ky është i gjithë shkollimi formal i djaloshit mesatar shqiptar, përveç vitit të tij të trajnimit të detyrueshëm ushtarak. Dikur kishte edhe një shkollë për vajza, por mungesa e fondeve detyroi të mbyllej. Kjo është për të ardhur keq, sepse vajzat janë po aq inteligjente sa vëllezërit e tyre dhe do të jetë përgjegjësia e tyre të mbrojnë shëndetin e brezit të ardhshëm.

 

Bashkangjitur me shkollën është një spital me tre shtretër dhe një klinikë. Studentët janë të etur për edukim shëndetësor dhe të shpejtë për të adoptuar metodat higjienike të trajtimit menjëherë pasi kuptojnë vlerën e këtij kujdesi. Djemtë duken sikur janë jashtëzakonisht të shëndetshëm. Ata janë nxirë nga dielli i stinës së thatë dhe kanë strukturën e gjatë, shpatullgjerë, karakteristikë e meshkujve shqiptarë. Por të gjithë ata vuajnë nga fatkeqësia kombëtare — malaria. Kjo sëmundje përshkon tokën si miazma nga e ka marrë emrin. Secili prej tyre preket nga ajo. Të gjithë kanë një dhimbje koke kronike. Shumë nga djemtë e mi kishin dhimbje muskulore si pasojë e sëmundjes.

 

Dobësia që vjen nga malaria, së bashku me kequshqyerjen e shkaktuar nga ushqimi i kufizuar vendas, i bën djemtë të ndjeshëm ndaj infeksionit. Tek një nga nxënësit, pak gojëdhënë që iu shtua këtyre mundimeve, provokoi një infeksion shumë të rëndë. Djali po kulloste delet dhe u kafshua nga një kafshë e sëmurë. Ndërsa kafshimi ishte sipërfaqësor dhe gjithçka mund të kishte shkuar mirë, djali u konsultua me një nga barinjtë që dinte saktësisht se si trajtohej plaga e kafshimit të deleve. Kjo recetë doli të ishte një kombinim i lëngut të barkut dhe organeve të brendshme të një deleje të therur rishtas, për t’u aplikuar në plagë dhe për t’u mbajtur mbi të. Fatmirësisht, pushimet e djalit përfunduan disa ditë më vonë. Kur u kthye në shkollë, krahu i tij ishte tashmë shumë i fryrë. Kaluan gjashtë javë para se infeksioni të shërohej dhe gjatë kësaj kohe djali trajtohej të paktën një herë në ditë.

 

Disa leksione të hollësishme mbi infeksionet përmes gërvishtjeve rezultuan efektive me djemtë dhe përfundimisht ata vinin tek unë me dëshirën e tyre për të raportuar gërvishtjet dhe mavijosjet e marra gjatë lojës.

 

Megjithatë, puna ime e shëndetit publik jashtë mureve nuk ishte aq e suksesshme sa puna që munda të bëja në klinikë. Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, kisha dëgjuar se nënat nuk u jepnin foshnjave qumësht lope dhe perime, kështu që nisa një fushatë sensibilizimi me një vorbull edukative, krejtësisht jozyrtare. Një nga nxënësit e mi ishte përkthyes dhe më shoqëronte në vizitat e mia në shtëpitë e bukura shqiptare. Këto janë shtëpi fermash tipike dykatëshe mesdhetare, kati i poshtëm vepron si hambar për kafshët, ndërsa familja zë katin e sipërm pas një dritareje të vetme të vogël, të mbyllur ndaj shpendëve endacakë. Brendësia e këtij kati të sipërm është një dhomë e madhe, e mobiluar me një stol, dyshekë dhe një oxhak, dhe është gjithmonë e pastër në mënyrë të përpiktë.

 

Nënat e shtëpive që vizitova ishin më mikpritëse dhe, dyshoj, kureshtare, pasi më vonë mësova se isha një nga kuriozitetet më qesharake në Kavajë kur ngisja biçikletën. Unë u përpoqa t’u shpjegoja mikpritësëve të mia, me anë të përkthyesit tim të ri, vlerën ushqimore të qumështit dhe perimeve. Ato më siguruan me krenari se fëmijët e tyre nuk ishin kurrë të uritur, se vërtet foshnjat deri në dy vjeç ushqeheshin shpesh me gji. Kur më ra nofulla për tokë (u çudita) në lidhje me këtë informacion, nënat pyetën vazhdimisht me mirësjellje sa fëmijë kisha? Shumë djem? Kur u thashë se nuk kam fëmijë, ato tundën kokën me dhembshuri. Kjo nuk ishte më shumë nga sa meritoja, dhe më vonë mësova një metodë më delikate të propagandës për shëndetin e fëmijëve.

 

Kushtet shëndetësore

 

Vdekshmëria foshnjore është e lartë në Shqipëri dhe kjo pavarësisht se nënat kanë një dashuri të butë dhe shumë reale për fëmijët e tyre. Një sëmundje kaq e rrezikshme sa lija është aq e zakonshme sa që shpesh shpërfillet. Unë di një rast të këtij lloji në të cilin viktima ishte një vajzë e bukur katërvjeçare. Vëllai i saj përmendi në klinikë se motra e tij ishte e sëmurë — “shumë e nxehtë, shumë e ftohtë” — dhe tregoi se lëkura e saj ishte e skuqur. Kur e pashë fëmijën, ajo ishte tashmë në fazën “pustulare” dhe me siguri do të ketë shenja për tërë jetën. Lija, e cila dikur ishte e zakonshme tek fëmijët e të gjitha moshave, po zhduket pasi fëmijët më të mëdhenj tani po vaksinohen.

 

Një pjesë e programit arsimor që tani mbështetet nga Mbreti Zog është kontrolli i malaries, i cili, për shkak të gjeografisë së vendit, do të jetë një detyrë e gjatë dhe e lodhshme. Shqipëria është bukur në planin piktoresk me vargmalet e saj dhe luginat e thella, por transporti është shumë primitiv dhe njerëzit jetojnë e vdesin brenda kufijve të fshatrave të tyre pa dalur  ndonjëherë prej aty.

 

Ky izolim është veçanërisht i vërtetë për gratë që praktikisht kalojnë gjithë kohën e tyre në shtëpi. Së fundmi Mbreti Zog dekretoi që gratë shqiptare të heqin ferexhenë dhe të dalin jashtë. Ndërsa gratë mendojnë se duhet të binden, dekreti i ka bërë shumë prej tyre të pakënaqura dhe të frikësuara. Ato janë të humbura edhe në botën e vogël të fshatrave të tyre.

 

Nga sa më sipër del qartë se Shqipëria është një territor i virgjër për infermieren e shëndetit publik. Ajo do të pritej krahëhapur nga qeveria dhe do t’i jepej “carte blanche”. Krerët e fshatit do ta prisnin përzemërsisht dhe do t’i dëshmonin se çdo dëshirë e saj do të zbatohej. Në pamje të parë duket si një botë ideale, por karakteri i njerëzve, i pandryshueshëm si malet e tyre dhe i ndryshueshëm si Adriatiku i bukur, do të prirej ta mposhtte atë.

 

Jo se njerëzit do të ishin të papërgjegjshëm ndaj përpjekjeve të infermieres së shëndetit publik - përkundrazi. Ata do të pranonin pothuajse çdo sugjerim. Ata madje do të vepronin sipas saj, nëse do ta respektonin infermieren si individ. Por ata nuk do të vazhdonin punën e mirë, nëse ajo nuk do të realizonte një mrekulli përmirësimi brenda dy ose tre ditëve. Kjo “arsyeshmëri e ëmbël” e karakterit është ajo që i shtyn ata të konsultohen me disa mjekë për një sëmundje. Meqenëse shumë nga mjekët vendas kanë qenë jashtë shkollës së mjekësisë për shumë vite dhe nuk kanë parë një libër mjekësor pikërisht për aq kohë, nuk është për t’u habitur që pacientët marrin një diagnozë dhe trajtim të ndryshëm nga secili mjek. Me shpresën më të madhe dhe natyrën e mirë, pacientët marrin të gjitha pilulat dhe ilaçet e ofruara dhe e lënë shërimin e tyre aktual në duart e Muhamedit.

 

Brezi i ri, siç ilustrohet nga nxënësit e shkollës, i shton mendjehapjes së prindërve kureshtjen e etur të rinisë dhe kjo ndoshta do të jetë shpëtimi i vendit. Ndryshe nga prindërit e tyre, djemtë kanë filluar të kuptojnë se shëndeti i tyre i keq nuk është “vullneti i Allahut”, por në një farë mënyre të paqartë faji i tyre. Prandaj munda t’i bëja që të vinin rregullisht në klinikë. Edhe pse nuk jam oratore e mirë, ata i dëgjonin me vëmendje leksionet dhe bënin pyetje inteligjente.

 

Në punën e shëndetit publik, brenda apo jashtë vendit, edukimi është i një rëndësie parësore dhe një nga mjetet më efektive për edukimin e grupeve të mëdha është përmes fëmijëve të interesuar. Fëmijët janë më të ndjeshëm nga sëmundjet sesa të moshuarit e tyre filozofë dhe janë më të prirur ndaj ideve të reja. Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri, më në fund përqendrova përpjekjet te studentët dhe besoj se brenda një viti pata bërthamën e një zyre entuziaste të propagandës shëndetësore.

 

Kjo punë tani po ecën përpara nën drejtimin e aftë të një vajze të re brilante shqiptare, të shkolluar në Amerikë, e cila ishte mjaft e mirë për të kaluar një pjesë të kohës duke punuar në klinikën e shkollës. Ajo ka mbrojtur doktoraturën në Spitalin e Grave në Jefferson (Woman’s Hospital at Jefferson), dhe megjithëse obstetrika dhe pediatria ka të ngjarë të bëhen fusha e saj e ndërhyrjes, ajo planifikon të bëjë shumë punë në mjekësinë parandaluese (preventive).

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/a-journal-for-nurses-1938-rrefimi-i-infermieres-amerikane-helen-g-denton-mbi-eksperiencen-e-saj-profesionale-nje-vjecare-ne-shqiperi/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-27
Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-27
Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.28-29
Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.28-29