Letra / Edith Durham nga Grand Hotel (Cetinje) për gazetën katolike angleze “Tablet” : “Ejani dhe hetoni gjendjen e vështirë të krishterëve në vilajetin e Shkodrës…”


Edith Durham (1863 – 1944)
Edith Durham (1863 – 1944)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Qershor 2022

 

“La Gazette de France” ka botuar, të mërkurën e 16 tetorit 1912, në ballinë, letrën e Edith Durham dërguar asokohe gazetës katolike angleze “Tablet” për të alarmuar mbi situatën e vështirë të krishterëve në vilajetin e Shkodrës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Situata e të krishterëve në Turqinë Europiane

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Tablet”, gazeta kryesore katolike angleze, botoi më 5 tetor letrën e mëposhtme të një protestanteje angleze, zonjës Edith Durham, e cila ka jetuar për shumë vite në Turqi :

 

Zotëri,

 

Pak kohë më parë ju botuat një artikull të zonjës Christitch (Kristiç) për katolikët në Turqi. Mund t’ju siguroj, pas një eksperience disavjeçare, se tabloja që ajo ju ka paraqitur për gjendjen e tyre është e lyer me ngjyra tepër rozë. Duke qenë se nuk jam vetë katolike, nuk e kam të lehtë të kontaktoj personat e interesuar që mund t’u vijnë në ndihmë këtyre popullatave fatkeqe, prandaj po ju bëj thirrje.

 

Në Shqipërinë veriore, ato janë në rrezik të madh për t’u dëbuar, vrarë ose detyruar nga fatkeqësia më mizore të bëhen muhamedanë (myslimanë). Gjendja e tyre ishte mjaft e vështirë para revolucionit turk (1908). Që atëherë, ajo është përkeqësuar çdo vit. Përballë shqiptarëve katolikë, sikundër gjithë nënshtetasve të tjerë fatkeq të krishterë të turqve, praktikohet politika e osmanizimit të detyruar.

 

Kjo shtyu popullsinë e dëshpëruar në revoltë. Verën e kaluar (1911) ata luftuan me guxim kundër forcave turke që i rrethuan. Presioni i Fuqive të Mëdha i detyroi ata të pranonin një traktat dhe për respektimin e këtij traktati fuqitë nuk dhanë garanci.

 

Për më tepër, nuk është thjesht nënshkrimi i këtij traktati të veçantë që është i nevojshëm për të siguruar paqen, sepse, në çdo detaj të jetës, katolikët vuajnë padrejtësi të pandërprera.

 

Xhandarët hyjnë në plantacionet e tyre, rrëmbejnë frutat e tyre, thyejnë pemët për të bërë dru zjarri. Ankesat për dëme priten me tallje. Në një proces gjyqësor midis një myslimani dhe një të krishteri, është shumë e rrallë që myslimani të shpallet përgjegjës. Nga ana tjetër, të krishterët arrestohen dhe burgosen pa gjyq me pretekstet më të kota.

 

Kur bëhet fjalë për mbledhjen e taksave, autoritetet lokale pothuajse kudo përpiqen të zhvatin nga të krishterët më shumë se sa pjesa e tyre e kontributit në shumat e taksuara.

 

Nëse të gjithë banorët mund të merrnin armë, ata do të kishin një shans të mirë për të fituar. Por Fuqitë e Mëdha, të cilat nuk kujdesen për mbrojtjen e tyre, i pengojnë me të gjitha mjetet e mundshme të blejnë armë kontrabandë dhe, në të njëjtën kohë, ua japin turqve duke thithur fitime të mëdha.

 

Unë nuk mund të tërheq vëmendjen tuaj në mënyrë të prerë për faktin se të ashtuquajturat shtete të krishtera dhe të qytetëruara të Evropës po ofrojnë tani fonde për blerjen e armëve që do të përdoren në këtë luftë shfarosjeje. Vetë popullatat e ndjejnë këtë shumë thellë dhe akuzojnë fuqitë se tani janë më barbare se turqit. Me pushkët e saj, qeveria armatos kështu popullsinë myslimane dhe i punëson si bashibozukë. Dhe, në të njëjtën kohë, posedimi i armëve është i ndaluar për të krishterët.

 

Për t’ju vërtetuar se termi “barbarë” nuk është shumë i fortë, dua t’ju jap disa detaje mbi ngjarjet e fundit. Në vilajetin e Shkodrës ndodhet një fshat, Reimeli (Hajmelit). Në fushën përreth Zadrimës ka fshatra të shpërndara, disa të krishterë, të tjerë muhamedanë (myslimanë). Gjatë gjithë dimrit të kaluar, të krishterët u sulmuan nga fqinjët e tyre të armatosur dhe, me aq sa mundën, ata blenë armë për mbrojtjen e tyre personale. Kohët e fundit popullsia e Reimelit (Hajmelit) u terrorizua dhe u pengua të punonte në arat e tyre. Guvernatori i Shkodrës dhe komandanti, Ali efendiu, i siguruan këta njerëz se nuk kishte asnjë rrezik dhe se mund të vazhdonin qetësisht punën e tyre. Dy ditë më vonë, natën e 5 shtatorit, mbërriti Ali efendiu me 1000 ushtarë dhe një numër të madh bashibozukës. Ata arrestuan 50 fshatarë në shtëpitë e tyre dhe u lidhën duart. 35 prej tyre i dërguan në garnizonin më të afërt nëpërmjet një eskorte ushtarake. Fjala për këtë sulm të paprovokuar dhe të pabesë u përhap dhe një grup të krishterësh nga Zadrima, të cilët posedonin armë, vendosën të përpiqeshin të shpëtonin fqinjët e tyre. Duke dëgjuar të shtënat e tyre, turqit masakruan 15 të burgosurit e lidhur, ua nxorën sytë, ua prenë këmbët dhe 4 prej tyre u çanë kafkat; lënduan rëndë një numër të madh personash të tjerë dhe vranë disa të moshuar në shtretërit e tyre. Më pas, pasi mbaruan veprën e gjakut, turqit u larguan. Ipeshkvi (prifti) i kësaj dioqeze që ndodhej në vend, dëshmoi vërtetësinë e të gjitha këtyre detajeve; doktori bëri të njëjtën gjë. Një nga të vrarët ishte shërbëtori i priftit.

 

Nga ana tjetër, më 2 shtator, 50 ushtarë dhe disa oficerë erdhën në fshatin e krishterë të Blinishtit dhe kërkuan ushqim dhe strehim. Kryeplaku i fshatit i priti në shtëpinë e tij, preu dy deshë dhe një lopë dhe gatoi posaçërisht për ta. Të nesërmen i thanë se, në cilësinë e shefit (kryeplakut), duhej t’i shoqëronte për një pjesë të udhëtimit. Sapo u larguan nga ky fshat, e kapën këtë njeri pa mosbesim, e lidhën, e çuan në Shkodër dhe e futën në burg, pa asnjë gjyq dhe padi. Më 7 shtator, e evakuuan trupin e tij dhe u konstatua se ai kishte marrë katër goditje me bajonetë nën syrin e majtë dhe në krahun e majtë dhe se koka i ishte mavijosur plotësisht. Trupi ishte në gjendje kalbëzimi. Ai jo vetëm që ishte vrarë në burg, por duket se autoritetet më pas e mbajtën trupin derisa ishte në një gjendje të tillë që ata besuan se më pas do të ishte varrosur pa u ekzaminuar.

 

Të krishterët e Zadrimës kanë ikur shumë herë nga fshati i tyre dhe kryeplaku (Mudiri) njofton se do t’i zëvendësojë ata me myslimanë të importuar.

 

Politika e importimit të myslimanëve në rrethet katolike dhe krijimit të fshatrave për ta po përhapet me shpejtësi.

 

Zotëri, ka misionarë trima katolikë që janë gati të hetojnë tmerret e Putumayo-s. Unë besoj se mes lexuesve tuaj do të gjendet gjithsesi një prift anglez që do të vijë dhe do të hetojë gjendjen e vilajetit të Shkodrës. (Atje shkohet duke u nisur nga Trieste me vaporët e Llojdit austriak dhe nuk duhet ngatërruar ky vilajet me Shkodrën e Kostandinopojës.) Kushdo që ndërmerr këtë udhëtim duhet të jetë në gjendje të flasë italisht, sepse është e vetmja gjuhë e Europës perëndimore që flitet nga kryepeshkopët, peshkopët dhe priftërinjtë, të cilët, pothuajse pa përjashtim, janë të gjithë shqiptarë.

 

Lutem, në emër të njerëzimit, që kjo thirrje të dëgjohet dhe dikush, ose më mirë, disa të vijnë e të shohin. Unë jam munduar të bëj më të mirën, por nuk mund të punoj vetëm.

 

Unë jam, etj.

 

(S.) Znj. Edith Durham,

Grand Hotel, Cetinje (Mal të Zi).

22 shtator 1912.

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/letra-edith-durham-nga-grand-hotel-cetijne-per-gazeten-katolike-angleze-tablet-ejani-dhe-hetoni-gjendjen-e-veshtire-te-krishtereve-ne-vilajetin-e-shkodres/Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://gazetadielli.com/letra-edith-durham-nga-grand-hotel-cetinje-per-gazeten-katolike-angleze-tablet-ejani-dhe-hetoni-gjendjen-e-veshtire-te-krishtereve-ne-vilajetin-e-shkodres/

 

https://americaneye.al/letra-e-edith-durham-per-gazeten-katolike-angleze-ejani-dhe-shikoni-gjendjen-e-veshtire-ne-vilajetin-e-shkodres/

 

https://www.koha.mk/ejani-dhe-hetoni-gjendjen-e-veshtire-te-krishtereve-ne-vilajetin-e-shkodres-foto/

 

https://www.kultplus.com/lajme/kaq-mund-te-zgjase-lufta-ne-ukraine-sipas-nato-se/

 

https://plavaeguciasot.com/letra-edith-durham-nga-grand-hotel-cetijne-per-gazeten-katolike-angleze-tablet-ejani-dhe-hetoni-gjendjen-e-veshtire-te-krishtereve-ne-vilajetin-e-shkodres/

 

https://diasporashqiptare.al/2022/06/19/letra-edith-durham-nga-grand-hotel-cetijne-per-gazeten-angleze-tablet/

 

https://opinion.al/letra-durham-per-gazeten-anglezehetoni-gjendjen-e-te-krishtereve-ne-shkoder/

 

https://ampress.ca/letra-edith-durham-per-gazeten-katolike-angleze-tablet-ejani-dhe-hetoni-gjendjen-e-veshtire-te-krishtereve-ne-vilajetin-e-shkodres/

 

https://lajmifundit.al/opinion/letra-e-edit-durham-per-gazeten-angleze-hetoni-gjendjen-e-te-krishtereve-i1191845

 

https://drini.us/letra-edith-durham-nga-grand-hotel-cetijne-per-gazeten-katolike-angleze-tablet-ejani-dhe-hetoni-gjendjen-e-veshtire-te-krishtereve-ne-vilajetin-e-shkodres/

 

https://alb-spirit.com/2022/06/19/letraedith-durham-per-gazeten-tablet-ejani-dhe-hetoni-gjendjen-e-veshtire-te-krishtereve-ne-vilajetin-e-shkodres/

 

Koha, e mërkurë, 22 qershor 2022, f.16
Koha, e mërkurë, 22 qershor 2022, f.16