Pazari i Urës



Aqif Ymeri, Klos

 

Pazari i Urës ka qenë pika më nevralgjike që ndërlidhte rrugët e komunikimit jo vetëm me gjithë Matin, por edhe me Tiranën, Durrësin, Krujën, Dibrën dhe krahina të tjera brenda e jashtë vendit. Emërtimi “Pazari i Urës” lidhet  me urën më të madhe, që gjithnjë ka qenë mbi lumin Mat në atë vend, urë e cila lidhte “Fushat e Urës” me “Stragjun”. Të moshuarit, sipas thënieve të paraardhësve, thonë se ura ka qenë aq e madhe, sa në njërën anë fillonte nga arat ku ndante kufiri i Fushatit me Darsin dhe në anën tjetër mbaronte në fushën te rrapat (Pazari i Vjetër). Ndërsa etnologu Dilaver Kurti, duke përshkruar qytezën ilire të Xibrit dhe rrugët që lidheshin me të, shkruan se kjo urë ka qenë  me një gjatësi prej rreth 150 m dhe me 6 deri 8 harqe (Trashëgime Iliro-Arbërore, faqe 23 ). Në fundshekullin e XVIII deri në fillim shekullin e XX-të, ka funksionuar një urë tjetër me gjatësi 60 m, me tre harqe dhe dy dritare shkarkuese  në mes, rrënojat e së cilës kanë qenë të dukshme deri në ditët tona. Jo shumë larg saj, mbi sheun  që vjen nga Kloskatundi ( ky është emërtim i sotëm për ta dalluar fshatin e Klosit nga qyteti i Klosit ), ka qenë një urë tjetër që lidhte Bejnin me Klosin për të dalë te “Stragju”. Kjo urë ka patur fizionomi të plotë deri në vitet 30-të të shekullit që kaloi.

 

Meqenëse fshati Fshat, përshkohej nga disa degëzime rrugësh, që zbrisnin e kryqëzoheshin në Urën e Pazarit të Urës, në çdo kohë bëhej kujdes i veçantë nga administratorët dhe paria, për riparimin e ringritjen, jo vetëm të Urës së Madhe mbi Mat (Urës së Pazarit), por edhe të urave mbi Lezedër. P sh, po citoj një pjesë nga plani i punimeve pesëvjeçare të katundarisë (komunës) së Klosit, hartuar në vitin 1935 :

 

 “...Do të bahet me ndihmën e popullit ku u ndihmue edhe me puntor detyruesa komunal.

 

II. Ringrehja e urës mbi lumin e Matit e quajtur ur’ e Pazarit që ka nji gjatsi prej 60 m, e cila megjithse u godit që në fillim të vjetit 1935 nga inondatat e fundit gjysma u shkatrrue krejt dhe gjysma tjetër ka psue dëme të mëdha si në kambëza dhe në shtresë, në të cilën u fillue nga rindërtimi qysh në fillim të vjetit dhe tash asht gati e mbarueme. Kjo urë në shtresë ka nji gjansi prej 2.20 m.

 

III. Ngrehja e një ure mbi lumin e Lesendrës në katundin Fshat me nji gjatsi prej 8 metrash. Këta të dy ura veçse lidhin komunikimin Tiranë-Dibrë por se prej këtyne mvaret edhe ekzistenca e tregut këtushëm”. (AQSH, fondi 233, dosja 188, viti 1935).

 

Pra teritori këtu është i veçantë, ndaj në çdo kohë, jo vetëm ka tërhequr vemendjen e njerëzve, por ka qenë objekt i rëndësishëm edhe për pushtetin.

 

Emërtimi “Stragj”, është i lidhur me fjalën shqipe “treg” (tregju-treg ). Hapësira e tregut, kryesisht, ka qenë midis dy ujërave, të Matit dhe të sheut që vjen nga Klosi (Kloskatundi). Ky vend sot quhet “Pazari i Vjetër”. Për madhësinë e tij, nga të huajt është quajtur edhe “Pazari i Matit”. Nisur nga emri i njohur në shekujt XVIII-XX, “Pazari i Urës”, të duket sikur ura ka qenë më e hershme se Pazari dhe shumë shkrues të huaj e vendës e shprehin këtë. Por e vërteta është ndryshe. Ura e madhe, në atë vend, në çdo kohë është diktuar nga “Pazari i Madh “. Me të vërtetë fise nga fshati Fshat, kanë patur tokë në anën tjetër të lumit, siç kanë sot Sinajt, por ura e madhe nuk u ndërtua prej tyre asnjëherë, ajo është ndërtuar në atë vend vetëm prej tregut. Po të duhej vetëm si ndërlidhje midis zonave, si degëzim i “ Rrugës së Arbërit “, ajo mund të ndërtohej në një vend më të ngushtë, midis brigjeve  dhe të tilla vende ka patur shumë, sepse shtrati ka qenë shumë më i ngushtë në krahasim me shtratin e sotëm. Pra ndërtimi i urës me gjatësi 150 m  është diktuar vetëm nga tregu ; aq i madh e i rëndësishëm ka qenë ai. Edhe ura tjetër me gjatësi 60 m, me tre harqe e dy dritare shkarkuese në mes, e shkatërruar nga përmbytjet e mëdha të fillimshekullit të XX-të, është ndërtuar në  fundshekullin e XVIII-të po në atë vend, vetëm prej tregut, sepse edhe në atë kohë, mund të ndërtohej në një vend tjetër të ngushtë shumë më lehtë. Një vrojtues i kujdesshëm edhe sot mund t’i shquajë gjurmët e këmbëve të saj, por fatmirësisht, pleqtë që kanë jetuar deri në vitet 70-të të shekullit që kaloi, kanë dëshmuar qartë për madhësinë, formën e pjesët përbërëse të saj. Edhe kjo urë, ashtu si edhe urat e tjera të gurta, afër saj, mund të themi se ka qenë e stilit venecian. Gjatë vrojtimeve e gërmimeve, arkeologu e etnologu Dilaver Kurti, ka përcaktuar tre pika të këmbëve të saj. Ai ka shkruar, se në cepin lindor, gjurmët e bazamentit të këmbës kishin përmasat  4x4 m dhe 22 m larg kësaj pike, ka ndeshur gjurmë muresh të një trakti tjetër, që në sipërfaqe dukej me përmasat 2x2 m. Më tej, 10 m larg tyre, është gjetur një trakt tjetër, mbase e pjesës prëndimore, ku edhe aty pjesa e dukshme ishte  me përmasa 2x2 m. Nga gojëdhënat, kjo urë ka qenë ndërtuar me kontributin e gjithë zonës së Klosit , por ka ndihmuar edhe familja feudale e Allamanit nga Kurdaria, pasardhësit e së cilës dokumentohen që nga shekulli i  XVI.

 

Duke qenë tregu më i madh i krahinës së Matit dhe nyje nevralgjike me rëndësi, gojëdhënat dëshmojnë, se në atë vend, në çdo kohë ka patur urë, e cila ndërtohej sipas mundësive që diktonte koha. Pranë Pazarit të Urës, të bien në sy disa ura të gurta harkore të ngjashme me njëra tjetrën, të cilat ishin të domosdoshme në këtë pikënyje kryesore. Urën më të afërt mbi sheun e Klosit e treguam më parë. Pastaj vijojnë urat e tjera që i kemi përshkruar në kreun “Rruga e Arbërit”,Ura e Halilit (Dars), Ura e Allamanit ( Klos ), Ura e Shahinit ( Patin ), ura e famshme në rrjedhën e sipërme të Matit, e njohur me emrin “ Ura e Vashës “, Ura e Skurës  dhe e Kulmares mbi zallin e Dishit ( Guri i Bardhë ), Ura e Hoxhës dhe Ura e Gurrave, përsëri në Gur të Bardhë, Ura e Shën e Premtes në Gurrë etj. Pra një rrjet i dendur urash të lidhura me degëzimet e Rrugës së Arbërit dhe kryqëzimin e tyre në Pazarin e Urës. E theksoj fjalën “degëzime”, sepse aksi kryesor i kësaj rruge, ka qenë e do të jetë nga URA E  VASHËS dhe stacioni kryesor i saj ka qenë në Gur të Bardhë, pikërisht në lagjen Mansaj, emri i së cilës, siç e kemi shpjeguar edhe më parë lidhet me “stacionin rrugor “. Porta kryesore e kësaj treve, siç kemi treguar, ka qenë Qafë-Murriza, e cila është e vendosur në jugperëndim të luginës së Matit, në kufi me Zall-Dajtin. Kjo përbënte pikën kyçe të lidhjes së Ultësirës Perëndimore pranë adriatike, me pjesën lindore e verilindore të vendit.Rrugët që kalojnë nga Qafë-Murriza, i kemi përshkruar në kreun “Rruga e Arbërit”.

 

Bri njërit degëzim, atij që kalon nga Qafë Shkalleja, ka qenë Kalaja Ilire e Xibrit, për të cilën dëshmitë historike pohojnë se kjo qytezë ka patur kulmin e zhvillimit  në shekujt IV-II p.l.k.. Nga Pazari i Urës janë tri rrugë që të çojnë në këtë qytezë. Dy prej tyre përshkojnë katundin Dars dhe e treta lagjen Ballosh të fshatit Fshat. Me rrënimin e kalasë Ilire të Xibrit, në majën mbi Lezedër në fshatin Fshat, u ndërtua kalaja e Petralbës ,që njihet nga vendësit me emrin Kalaja e Skënderbeut. Për rrugët dhe zhvillimin e tregëtisë në këtë vend kemi dy dokumente të vjetra :

 

I pari bën fjalë për një marrëveshje në fillim të shekullit të XIII-të, e firmosur nga Dhimitri, “ Princ i Madh i Arbërit “, me të cilën ky u garanton raguzianëve  “kalim të lirë nëpër tokat e tij “, pra nëpër shtetin e Arbërit, që përfshin këtë zonë  dhe në tërësi Matin. Dokumenti i dytë është i vitit 1429, i firmosur nga Gjon Kastrioti, me të cilin gjithashtu u sigurohet tregëtarëve raguzianë ”kalim i lirë nëpër tokat e Kastriotëve ”, pra nëpër këtë trevë me nyje të rëndësishme Pazarin e Urës. Ndërsa Hahni në udhëtimin e tij të vitit 1863, shkruan : “ Afro një çerek ore në jug të Bejanit (Bejnit), i cili kishte një shpërndarje shumë të gjërë, drejtpërsëdrejti në bregun e djathtë të Matit, ndodhet një shesh i cili quhet  Pazari i Matit. Këtu, çdo të dielë, zhvillohet tregu më i madh i të gjithë Matit. Popullsia vërshon drejt tregut, nga zona që ndodhen gjashtë deri tetë orë larg, për të shitur prodhimet e për të blerë artikuj që i nevojiten. Në tregje të tilla si rregull, burrat përbëjnë shumicën dërrmuese, megjithse nuk mungojnë dhe gratë e moshuara dhe vajzat e reja. Nganjëherë ndodh që të zbresin në Pazar edhe gra të reja  nga viset që ndodhen fare pranë, ndonëse një frekuentim tepër i shpeshtë i tregut nga ana e tyre nuk shihet me sy të mirë. Nga gratë që patëm rastin të takojmë rrugës, vetëm ato më të moshuarat  guxuan të na hidhnin vështrimin, ndërsa shumica kthenin kokën mënjanë sipas mënyrës turke “. Duke përshkruar më tej udhëtimin e tij, Hahni përsëri shkruan : “…Rrethi në të cilin ndodhet qendra e Mudirit, quhet Lisa, ose me parafjalën e vendosur përpara Mlisa, që në të vërtetë do të thotë “në Lisa” (në Lis).  …Kur kaluam pranë atij vendi prej të cilit e merr emrin ky rreth dhe me të cilin nuk duhet parafytyruar një fshat në kuptimin që i japim ne kësaj fjale, por një shesh i lirë i rrethuar prej disa shtëpish të veçanta me një përhapje të madhe, në të cilin çdo të diel zhvillohet tregu i dytë i Matit për nga rëndësia, ne gjetëm të grumbulluar rreth 400-500 njerëz dhe vumë re se zhvillimi i tregut ishte në lulëzim të plotë “. Pra tregu i parë e më i madhi, ishte Pazari i Urës, i dyti ishte ai i Lisit. Në Mat, kanë qenë të njohur edhe dy tregje të tjerë : Tregu i Komsisë dhe ai i Dërjanit. Në Pazarin e Urës, përveç fshatrave përreth të zonës së Klosit, vinin për tregëti edhe fshatarë nga Gurrat, Xibrat e Guri i Bardhë, Suçi, Kurdaria, Martaneshi, Bulqiza, Zerqani etj. Në veçanti vinin tregëtarë nga Dibra, Elbasani, Tirana, Kruja, Durrësi etj. Mbi Pazarin e Urës, në  fshatin Fshat, është vendi i quajtur “Kodra e Pazarit” dhe rreth 250 metra më lart është një luginë e ngushtë e njohur me emrin “Lugu i Arrave”. Rrënojat e atij vendi banorët, brez pas brezi, i kanë njohur me emrin “Dyqanet e Venedikasve”. Jeta intensive në qytezën e Petralbës e përreth saj, bënte që epiqendra e pazarit në këtë trevë, në kohë të ndryshme të çvendosej, duke anuar nga Kodra e Pazarit në Fushat. Nëpërmjet tregëtarëve italianë që vinin në Durrës për të tregëtuar mallra të ndryshëm, familja e Llaveshajve, që në shekullin e XV-të, ka siguruar nitratin e potasit (KNO3), lëndën e parë kryesore për prodhimin e barutit .Tregëtarët venedikas kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Pazarin e Urës në kohën e Kastriotëve. Në këtë pazar, në çdo kohë, përveç prodhimeve të shumta bujqësore e blegtorale, tregëtohej edhe kripa që vinte nga Durrësi  nëpërmjet Qafë Murrizës, po ashtu vajguri, prodhimet e poçerisë, të zejtarisë vendëse, të veshmbathjes, pëlhura të ndryshme, prodhimet e mëndafshit, që në Kryemat kanë qenë me shumicë, prodhime që përgatiteshin me tezgjahë, si  qashe (shajak)  dy liçe e katër liçe, pëlhura të  ndryshme ,flokje, qilima,  varëse e stoli për gratë, prodhime artistike prej druri e vegla pune, prodhime të farkëtarëve etj. etj. Prodhimet e enëve prej balte vinin kryesisht nga Keta e nga Martaneshi, ndonëse prodhoheshin edhe në fshatra të Klosit. Shajaku që prodhohej nga vendësit ka qenë mjaft cilësor. Pëlhurat prej leshi, endeshin në tëllarë nga gratë në çdo fshat të trevës së Klosit .Valanica për rrahjen e shajakut ka patur te fisi Liçi në Bejnë dhe te Bebja në Dars. Po ashtu prodhohej e tregëtohej edhe pëlhura prej lini .Të moshuarit tregojnë se në shumë shtëpi bëhej kujdes i veçantë për prodhimin e mëndafshit, madje kishte dhoma të veçanta për rritjen e krimbit të mëndafshit. Mbasi tregu i Klosit ishte i madh dhe shumë i zhvilluar, tregëtarë nga krahina të ndryshme të vendit zinin shtëpi me qira në fshatrat e Klosit dhe hapnin dyqanet e tyre, siç është rasti i Vath Bajronit ( Lushit ) nga Tirana, që kishte magazinë dhe dyqan te Llaveshajt në fshatin Fshat, pranë Pazarit të Urës, deri në vitet 40-të të shekullit që kaloi. Pra përveç tregëtarëve që vinin nga larg  ditën e pazarit, kishte edhe të tjerë të ardhur, që ishin vendosur në Klos e në fshatrat e tjerë dhe që për arsye të ndryshme, për të cilat s’është vendi të zgjatemi, kishin zënë shtëpi e hapur dyqane, pra kishin shtëpi dyqane. Nga që gjithë zona te ne ishte myslimane, të moshuarit për këta tregëtarë që kishin ardhur kryesisht nga Maqedonia e trevat shqiptare përtej kufirit, i tregojnë edhe sot me emërtimet “kaurri i Bejnit (Nikolla Gjargoni), “kaurri i Fullqetit “ (Dhimitri), në Fullqet ka patur dyqan mjaft kohë Pjetër (Peter) Çoka, “kaurri i Cerujës” (Spiro) , në Cerujë ka patur dyqan një tregëtar me emrin Mitro, “kaurri i Patinit, etj. Këto kishin shtëpi dyqane në fshatrat që përmendëm, madje kanë qëndruar deri vonë, kur regjimi diktatorial tregëtinë private e quajti “të zezë” dhe e ndaloi. Në Mat pazaret kanë qenë ditore, reklamoheshin mallrat ditën e pazarit paradite e pasdite, pra nuk ka patur ndërtim dyqanesh. Pazari i Urës dallonte nga pazaret e tjerë, sepse ka patur edhe dyqane në të cilët, përveç ditës së pazarit, tregëtohej edhe në ditë të tjera të javës. Ndërtesa dykatëshe e Dodës te Pazari i Vjetër është edhe sot. Përveç Dodës, dyqane në Klos patën ndërtuar edhe fise të tjerë, si Llaveshajt e Çupajt  nga fshati Fshat, Hoxhajt nga Fullqeti, Mëziri nga Klosi etj. Disa nga ato ndërtesa janë edhe sot. Te Pazari i Vjetër, para kohës së Italisë, kur u bënë dyqane në Klos, përveç dyqanit të Dodës, që tregëtonte çdo ditë, kanë qenë edhe këto dyqane :

 

-dyqani i Llaveshit (Cen Llaveshit)

-dyqani i Selman Çupës

-dyqani i Driz Lilës (Idriz Mëzirit)

- furra e Bajram Çupës .

 

Në furrën e Bajram Çupës, punonte edhe Isufi (Isuf Çupa) e Osmani (Pani).

 

Gjithashtu , afër vendit ku është shtëpia e Skënder Çipit sot , ka qenë hani i Sinës . Përveç dyqanit të Dodës , dyqanet e tjerë punonin vetëm të shtunave (ditëve të pazarit) . Malli sillej me kafshë ngarkese (kuaj e mushka) . Te furra e Çupës prodhoheshin simite (panine të gjata) . Më poshtë, afër vendit ku derdhet sheu, ka qenë pazari i gjësë së gjallë . Sikurse edhe sot , ishin të ndara vendet ku tregëtohej drithi , ku shisnin plakat , ku tregëtohej gazi (vajguri) e kripa etj . Në kohën e Italisë Doda ndërtoi disa dyqane në Klos , ndërtuan dyqane gjithashtu Llaveshi (Hysen Llaveshi) ,Çupajt (Selman dhe Osman Çupa) , Driz Lila me Memet Hoxhën , Dëdollajt etj .

 

Duhet përmendur një fakt i rëndësishëm: Në kohën e Zogut, për katër artikujt më të nevojshëm për jetesë, bëhej kujdes i veçantë ; për bukën, kripën, vajgurin ( gazin siç thuhej atëherë ) dhe sapunin. Gryka e thesit të misrit, të kripës apo fuçia e gazit nuk hapeshin pa reklamuar tellalli çmimin që diktohej nga qeveria. Për këto artikuj jetësorë kishte çmim tavan, mbi të cilin nuk lejohej shitja .

 

Pikërisht, për kujdesin që tregohej ndaj popullatës për artikujt më jetësorë, për heqjen e taksës së xhelepit ndaj atyre që kishin nën 100 krerë të imta (shih Dekret Ligje e Rregullore të Vjetit 1925, Nr.14, f.60, nënshkruar nga Kryetari i Republikës Ahmet Zogu, me 11.11.1925) e të tjera arsye, që nuk është vendi për t’i renditur këtu, populli i trevës së Klosit e ka kërkuar dhe mirëpritur Zogun si Mbret të Shqiptarëve. Kështu në telegramin drejtuar Asamblesë Kostituente Tiranë dhe Qeverisë, në vitin 1928, për ndërrimin e formës së regjimit e shndërrimin në monarki, si dhe shpalljen e Zogut Mbret, për secilin fshat të kësaj treve kanë nënshkruar kryepleqtë përkatës dhe në arkivin e shtetit është i dukshëm qartë edhe dokumenti origjinal (AQSH, dosja 30, viti 1928, fondi 233; po ashtu shkresa nr.642 dt.28.8.928, nisur mga Burreli, e botuar në fletoren zyrtare  “E dielë, 30 Shtatuer, 1928”).

 

Në atë kohë , ditë pazari ka qenë e shtuna.

 

Tregu i Klosit ishte sa i madh aq edhe i larmishëm. Këtu gjithashtu tregëtohej edhe baruti, që prodhohej me shumicë nga Llaveshajt në Fshat, Reçi e Halili në Dars, Dishajt në Ketë etj. Dihej se Llaveshajt kryesisht e shisnin barutin në Prizren, Gjakovë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Berat e deri në Janinë, Rumeli e Greqi. Në Pazarin e Urës ishin krijuar lidhjet me tregëtarët e këtyre vendeve. Reçi barutin e tij e shiste në Shkodër e Gjakovë. Megjithatë, baruti tregëtohej shumë edhe në Pazarin e Urës, ku vinin tregëtarë nga vise të ndryshme brenda e jashtë vendit.

 

Pazaret përveç shitblerjes së mallrave e të kafshëve, kishin edhe një funksion tjetër. Ata luanin edhe rolin e vendtakimeve, lajmërimeve e komunikimit midis fshatarëve me njëri tjetrin. Këtë rol, që nga koha e Kastriotëve, për shumë kohë e ka luajtur një vend i njohur me emrin “ Dardhat e Kuvendit “, që është rreth 350 hapa larg Kodrës së Pazarit në Fshat, rrëzë malit ku është qyteza e Petralbës. Në atë vend, merrnin pjesë në kuvend jo vetëm banorët e dy lagjeve të Petralbës  (Tanushë e Gurëza), por edhe të zonës përreth, sidomos në kohën e Kastriotëve, kur për kuvendim thirreshin përfaqësues nga gjithë krahina. Po ashtu, për shumë kohë, këtë rol e luajti vendi i njohur me emrin Kodra e Plakut, që ndodhet  gjithashtu në Fshat, midis Petralbës dhe Pazarit të Urës. Theksojmë se pellgu rreth e mbi Pazarin e Urës, ka qenë i populluar dhe ka patur aktivitet  në çdo kohë të ekzistencës së shoqërisë njerëzore. Është e nevojshme të pohojmë, se banesat, më shumë për arsye sigurie, kanë qenë ndërtuar në majat mbi luginë, siç është Qyteza Ilire e Xibrit  mbi malin e Darsit, kalaja e Petralbës, e Cerujës, etj. Ato nga koha në kohë, kanë ardhur duke zbritur nga lartësitë e shpatmaleve e kodrave, poshtë në taracat e tipit erozivo-akumulues të kësaj lugine dhe së fundi në luginë, deri mbi shtratin e lumit. Siç kemi treguar edhe më parë, disa studiues mendojnë se ky pellg, madje e gjithë lugina, dikur ka qenë liqen. Kjo është e vërtetë, por kjo luginë ka qenë e tëra  liqen në epokën e Miocenit, epokë e Cenozoikut, që zgjati nga 24 deri në 5 milon vjet më parë, ndërsa njeriu u shfaq në Tokë 5 milion vjet më parë ( era kuaternare ). Pra nga koha e ekzistencës së njeriut ky vend ka qenë i liruar nga uji. Liqeni është tharë nga vetë lumi nga fundi i miocenit.

 

Pazari i Urës ka qenë një pikënyje e rëndësishme jo vetëm për krahinën tonë, por edhe për zona të tjera brenda e jashtë kufijve të vendit. Ai ka qenë i njohur edhe në botë. Megjithatë regjimi diktatorial duke e quajtur atë “treg të zi”, u përpoq ta eliminonte si treg. Goditjen më të madhe ky treg e mori në vitet 70-80-të të shekullit që kaloi, në kohën e varfërisë e skamjes më të madhe dhe sikur të mos mjaftonte kjo, tellallët e regjimit me altoparlant shanin e përgojonin njerëzit, që me shumë mund e djersë, mundoheshin të tregëtonin ato pak prodhime për të mbijetuar. Nën maskën e “tregut të zi”, përndiqeshin e persekutoheshin njerëz,  jo vetëm të pafajshëm, por edhe të vuajtur. Në ditët tona tregu i Klosit e ka rifituar gjallërinë. Tani pazari bëhet në të dalë të qytetit, në hapësirën pranë urës që lidh Klosin me fshatrat përtej, si Fullqet, Dars, etj .

 

Materiale të shfrytëzuara:

1. D. Kurti : Trashëgime Iliro-Arbërore, fq. 23, 187, 228-229 ,250 .

2. R. Fiçorri : Mati, fq. 150-153 .

3.V. Shtylla : Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri, Tiranë 1998, fq.24 .

4.K.Kamsi, “Shkodra”, 1962, Nr.2, fq. 251 .

5. J. Adam : Buletini i Shkencave  Shoqërore, Tiranë 1953, fq. 23-64 .

6.Johann George Von Hahn : Nëpër viset e Drinit, fq.60-61, 69 .

7. R. Drishti :Armët dhe armëtarët shqiptarë, fq.176 .

8.Të dhëna e dorëshkrime të të moshuarve në Klos .

9. Dokumente të ndryshme nga AQSH, fondi 233. 

 

 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania