Mati i viteve 80, ndërtimi i socializmit me…bukë misri



Avni Dani, Tiranë – 6 Maj 2018

 

Ishte koha kur banorët, sidomos ata të fshatit konsumonin masivisht vetëm, bukën e misrit. Ishte koha kur për bujqësinë ishte problem mungesa e punëtorëve burra, ishte koha kur shumica e fuqisë punëtore punonte nën tokë, ishte koha kur kromi çante bllokadën, ishte koha kur nisi nga puna Uzina e Ferrokromit, ishte koha….ishte koha kur një makinë propogande e shfrenuar e paraqiste realitetin “të lumtur” ndonëse njerëzit ushqeheheshin masivisht keq, visheshin keq dhe të kishe një televizor në shtëpi ishe i pari i fshatit. Kjo ka qenë karakteristike për të gjithë Shqipërinë, por për Matin edhe më shumë.   

 

Në një shkrim tipik përshkrues të kohës me autor njërin nga drejtuesit e lartë të rrethit Mat, jepet një përshkrim i veshur me shifra të cituara me shumë kujdes për të përcjellë mesazhin e “lulëzimit ekonomik”. Por mes rrjeshtave të tij thuhen edhe disa të vërteta të tjera që nuk kishte si të anashkaloheshin, e pikërisht për këtë shkak përmenden shkarazi. Në fakt brenda tyre ishte thelbi i së vërtetës. Fjala është për një shkrim të Kastriot Hasës, i botuar në Studime Gjeografike nr 1, viti 1985, ku jepen të dhëna për zhvillimin ekonomik dhe të lidhura me ecurinë e rritjes së popullsisë. Pa marrë përsipër të bëjmë kritikën e shkrimit (një punë e tillë kërkon studime të thelluara) vlen të thuhet se ai është ndërtuar mbi disa të pavërteta të cilat nuk përmenden. Mjafton të përmendim vetëm njërën prej tyre : të ardhurat e kromit dhe të ferrokromit që përllogariten si të ardhura që shkojnë për banorët e Matit në të vërtetë ishin të ardhura që shkonin në buxhetin e shtetit, i cili nga ana e tij kthente shumë pak në Mat si investime. Vetëm me këtë fakt e gjithë ngrehina e shifrave të tjera bie. Thënë shqip matjanët nuk ishin aq të lumtur sa i paraqiste autori i shkrimit, dmth propaganda e kohës.

 

Ndërkohë shifrat vetë tregojnë se prodhimi bujqësor ka qenë në rënie. Mati nuk mbante një bujqësi intensive dhe tokat e reja që hapeshin në atë kohë ishin plotësisht joproduktive. Dhe situate “maskohej” me rritjen e prodhimit blegtoral me shifra të dyshimta (gati dyfishim prodhimi në 6 vite) për faktin se janë vitet kur si sukses përmendet “tufëzimi i bagëtive të imëta”, një masë që në të vërtetë e sakatoi blegtorinë.

 

Por aty ka edhe të tjera të dhëna interesante. “Tejkalimi i prodhimit të grurit bëri që të sigurohet buka e grurit për popullsinë e rrethit për pjesën më të madhe të vitit (mbi 8 muaj) pa përfshirë këtu që ekonomitë bujqësore dorëzojnë në vit mbi 60.000 kv drithëra buke si tepricë. Pra rrethi i Matit dikur një nga krahinat me të prapambetura të vendit që nuk siguronte për 2-3 muaj bukë në vit, sot si rezultat i zbatimit të politikës së drejtë të Partisë, ka arritur jo vetëm të sigurojë bukën, por t'i japë, edhe teprica shtetit”. Në fakt shifra mbi 8 muaj është e dyshimtë, në realitet për fshatin nuk kishte më shumë se 3 muaj bukë gruri. Pjesa tjetër e vitit…rroftë misri!. Edhe një e dhënë tjetër : Mati para çlirimit siguronte vetëm 3 muaj bukë. E vërtetë mund të jetë, pjesën tjetër e blinte. Në një ekonomi tregu kjo është normale. Në socializëm jo. Njerëzit detyroheshin me plan të prodhonin bukë edhe aty ku nuk bëhej. Se sa i drejtë qe ai plan e tregoi koha në më pak se dhjetë vjet më vonë. Mati i socializmit tani jepte drithëra për pjesën tjetër të Shqipërisë. Në fakt thjeshtë jepte grurin për qytetet e mëdha të vendit dhe vetë hante bukë misri.

 

Ti hysh analizës së të dhënave ekonomike gjen pa fund të tilla maskime të realitetit.

 

Ndërkohë tërthorazi thuhen edhe disa fakte të tjera sa i takon popullsisë. “Shtimi i popullsisë me ritme të larta në qytet e në fshat si dhe disiplinimi i lëvizjeve mekanike të popullsisë, ka bërë që rrethi i Matit të jetë jo vetëm i populluar mirë, por edhe me një shpërndarje të drejtë horizontale e vertikale të popullsisë si në luginë ashtu edhe në kodër e në mal, madje disa zona kodrinore e malore janë më të populluara se luginat. Dendësia mesatare e rrethit është 65.3 banorë për km2 duke zënë vendin e 12 në Republikë”, thotë autori në shkrimin e tij. Nuk mund të mos të të bjerë në sy shprehja “disiplinimi i lëvizjeve mekanike të popullsisë” një mënyrë elegante alla komuniste për të mbuluar shtrëngimin e njerëzve për të mos lëvizur nga vendbanimi. Ishte koha kur lëvizja e lirë nuk ekzistonte më si koncept. Aq e rëndë ishte situate sa siç e thotë vetë autori “disa zona kodrinore e malore janë më të populluara se luginat”.    

 

Kur vjen fjala për mënyrën e jetesës, pa ndonjë ndryshim të madh me zonat e tjera të veriut referenca le të mbeten përsëri fjalët e autorit: “Vetëm në fshat ka mbi 1000 televizorë, po kështu edhe frigoriferë, makina larëse, stufa ekonomike, divanë e paisje të tjera”.

 

Sigurisht që në shkrim ka edhe shumë fakte që të bëjnë të mendosh. Ka pyetje që lindin të tilla si : A jemi apo jo në rrugë të drejtë sot ? A po i shfrytëzojmë si duhet pasuritë natyrore ? A shkon i gjithë potenciali ekonomik te banorët e Matit ? Janë dilema që kur mendon për zhvillimin e një rajoni nuk mbarohen kurrë. Të nxjerrësh mësim nga e kaluara nuk është asnjëherë keq.   

 

Nga ana tjetër koha ka vërtetuar shumëçka dhe propogandës i kanë rënë shumë maska. Por për të qenë të ndershëm me autorin e shkrimit, në një farë mënyre ai duhet falenderuar sepse të tilla shkrime për Matin në revistat e specializuara të asaj kohe numërohen me gishtat e dorës, po e sjellim shkrimin e tij të plotë. Kjo është si një thikë me dy presa, sepse mund të ketë edhe keqkuptime. Por duke e përcjellë të plotë, vjen më mirë edhe atmosfera e kohës. Ndërkohë gjithësecili ka mundësisnë ta lexojë sipas dëshirës së vet të paçensuruar, njëkohësisht duke patur të gjithë mundësinë që të nxjerrë secili përfundimin e tij.

 

© Avni Dani

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania

 

 

 

Studime Gjeografike nr. 1, 1985

 

 

DINAMIKA E POPULLSISË NË RRETHIN E MATIT PASQYRË

E SHNDERRIMEVE TË THELLA EKONOMIKO-SHOQERORE

 

 

Kastriot Hasa

 

 

Shndërrimet e thella ekonomiko-shoqërore që kanë ndodhur në vendin tonë gjatë pushtetit popullor janë shoqëruar edhe me ndryshime të thella demografike. Këto shndërrime revolucionare në ekonominë socialiste dhe në strukturën demografike, pasqyrohen mjaft mirë edhe në rrethin e Matit, dikur një nga krahinat më të prapambetura të atdheut, ku nuk kishte asnjë lloj industrie e me bujqësi shumë primitive.

 

 

Sot popullsia e rrethit të Matit ka arritur në afër 70 mijë banorë nga 29.1 mijë banorë që ishte në vitin 1938. Gjatë periudhës së Pasçlirimit ajo është rritur me një ritëm mesatar vjetor prej 2.5 për qind, ose me rreth 1200 banorë në vit. Në periudha të ndryshme dinamika e rritjes së popullsisë së rrethit të Matit paraqitet si vijon:

 

RRETHI MAT, DINAMIKA E RRITJES SË POPULLSISË

Nr

Viti

Popullsia

% ndaj 1938

Dendësia banor km2

1

1938

29.100

100

29

2

1950

29.800

102

32

3

1960

39.600

132.9

38

4

1970

49.500

170

48

5

1980

65.100

224

63

6

1982

67.100

318

65.3

                                              

 

Siç del edhe në pasqyrën mësipërme rritja e popullsisë gjatë gjithë periudhës së Pasçlirimit është bërë në mënyrë ritmike duke mos ndryshuar shumë nga ritmi mesatar i përgjithshëm. Në sajë të këtij shtimi, kundrejt periudhës së Paraçlirimrt, ajo ka arritur të dyfishohet në vitet e fillimit të planit VI pesëvjeçar. Por pavarësisht nga kjo, ritmet e zhvillimit të prodhimit shoqëror në rrethin e Matit, si në të gjithë vendin, kanë qënë disa herë më të larta se ritmet e rritjes së popullsisë. Kështu prodhimi i përgjithshëm industrial këto vitet e fundit në krahasim me vitin 1960 është rritur 6 herë, prodhimi i përgjithshëm bujqësor rreth 2 herë dhe qarkullimi i mallrave rreth 3.7 herë etj. Dinamika e treguesve kryesorë të zhvillimit të prodhimit dhe dinamika e popullsisë duken qartë nga pasqyra e mëposhtme:

 

 

RRITJA E POPULLSISË DHE PRODHIMIT

(prodhimi gjithsej dhe prodhimi për 1000 banorë)

Vitet

Rritja popullsisë

Prodhim industrial

Prodhimi bujqësor

Qarkullimi mallrave

 

 

gjithsej

1000 ban

gjithsej

1000 ban

gjithsej

1000 ban

1960

100

100

100

100

100

100

100

1970

131

212

213

154

121

189

144

1980

168

440

323

170

107

334

198

1982

177

550

407

189

111

375

215

 

 

Në rrethin e Matit në vitet Pasçlirimit krahas bujqësisë u zhvillua edhe industria. Kryesisht u zhvillua industria e rëndë si energjetika (energjia elektrike) dhe nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve. Midis tyre ka marrë epërsi sidomos metalurgjia me ngjyra, si p.sh. ajo e shkrirjes së ferrokromit, që ka rëndësi kombëtare. Krahas tyre u zhvillua edhe industria e prodhimit të drurit, materialeve të ndërtimit etj.

 

 

Natyrisht, pionieria e industrisë në rrethin e Matit është energjetika, që e ka zanafillën e saj me ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi lumin e Matit (HC “Karl Marks” në Ulëz, në vitin 1958 që është vepra më e madhe e pesëvjeçarit të dytë me një fuqi të instaluar prej 25.000 kilovat dhe HC “Frederik Engels” në Shkopet më 1963 me një fuqi të instaluar prej 24.000 kilovat.

 

 

Rëndësi jo vetëm për ekonominë e rrethit, por për të gjithë ekonominë e vendit, ishte zbulimi i vendburimeve të reja të kromit në disa pika të rrethit. Duke parë zhvillimin që mori industria nxjerrëse e kromit dhe perspektivat që i hapeshin asaj, në janar 1967 u krijua Ndërmarrja Minerale e Kromit “11 Heronjtë e Batrës”. Tashmë dihet se minerali kromit ka rëndësi kombëtare, mbasi jemi nga eksportuesit kryesorë të tij duke zënë vendin e parë në prodhimin për frymë në botë. Në strukturën e mallrave që eksportojmë kromi zë një vend me rëndësi pas naftës dhe energjisë elektrike.

 

 

Industria e shkrirjes së ferrokromit është një degë fare e re e industrisë sonë në përgjithësi, ajo u krijua në vitin 1979. Përpunimi i mineralit të kromit në vend është me leverdi të madhe, mbasi ferrokromi karbonik kërkohet shumë në tregjet e jashtme. Prodhimi i ferrokromit ka ardhur vazhdimisht duke u rritur. Kështu në vitin 1982 u prodhuan 22 000 tonë ferrokrom karbonik duke arritur e tejkaluar kështu kapacitetin e parashikuar të projektit. Në të ardhmen parashikohet që kapaciteti prodhues i Uzinës të 2-3 fishohet si rezultat i zgjerimit të saj.

 

 

Kështu si rrjedhim i zhvillimit të gjerë e të gjithanshërn të industrisë, prodhimi i përgjithshëm industrial në rrethin e Matit në vitin 1982 arriti 231.4 milion lekë, ose 388.6 herë më shumë se në vitin 1938. Aq sa prodhohej në vitin 1938 sot prodhohet në 7 orë. Nga ana tjetër ndryshime ka pasur edhe në strukturën e degëve të ndryshmë të industrisë.

 

 

Struktura e degëve të industrisë në raport me prodhimin e përgjithshëm industrial të rrethit paraqitet si më poshtë:

 

 

RRETHI MAT, STRUKTURA E INDUSTRISË

Nr

Degët e industrisë

Në % kundrejt prodhimit

të përgjithshëm

1

Industria e ferrokromit

41.0

2

Industria e nxjerrjes së kromit

25.1

3

Industria e lehtë

12.4

4

Industria energjetike

9.0

5

Industria e drurit

6.1

6

Industria e material-ndërtimit

3.4

7

Industria mekanike

2.2

8

Të tjera

0.8

 

 

 

Siç shihet nga tabela e mësipërme vendin e parë në prodhimin e përgjithshëm industrial e zë industria metalurgjike, megjithëse nxjerrja e mineralit të kromit është gati 20 herë më e madhe se prodhimi i ferrokromit, meqenëse vlera e 1 tonë ferrokromi është mbi 25 herë më e lartë se e 1 tonë mineral kromi.

 

 

Pra mbas Çlirimit, në përshtatje me pasuritë natyrore dhe burimet njerëzore, ekonomia e rrethit pati përmbysje rrënjësore si në sasi ashtu dhe në strukturë.

 

 

Bujqësia, si degë bazë e ekonomisë, ka pësuar ndryshime me rëndësi si në rritjen e sipërfaqes ashtu edhe në strukturë. Sipërfaqja e tokës së punueshme është rritur nga 3960 ha në vitin 1938, në 12.668 ha në vitin 1982. Prodhimi i përgjithshëm bujqësor është rritur 3.3 herë. Sipërfaqja e mbjellë me drithëra buke zë 70.1% të tokës arë. Struktura e sipërfaqes së mbjellë paraqitet kështu:

 

 

RRETHI MAT, STRUKTURA E TOKËS

Nr

Lloji

Më 30.06.1976

Më 30.06.1982

Në % 1982

 

 

Hektarë

%

Hektarë

%

ndaj 1976

1

Ara

10.449

92.8

11.441

90,3

109.4

2

Pemishte

679

6

1.062

8.3

156.4

3

Vreshta

132

1.2

165

1.4

125

 

GJITHSEJ

11.260

100

12 668

100

112.5

 

 

 

Siç shihet edhe nga tabela e mësipërme toka arë zë vendin e parë në sipërfaqen e tokës së punuar me 90.3%, pastaj vijnë me radhë pemëtaria me 8.3% dhe në fund vreshtaria. Kurse në strukturën e sipërfaqes së mbjellë drithërat e bukës zënë vendin e parë me 70.1%. Kulturat kryesore që mbillen janë gruri me mbi 4500 ha, misri me mbi 3500 ha e pastaj me radhë tagjirat, foragjeret, luledielli, patatet, fasulet, perimet etj.

 

 

Në bazë të direktivave të Partisë dhe të porosive shumë të vlefshme të shokut Enver edhe në rrethin tonë janë bërë studime shkencore për përqëndrim-specializimin e kulturave bujqësore. Nga ana tjetër për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë, për intensifikimin e saj, kujdes i veçantë i është kushtuar ujitjes, duke e bërë atë sa më pak të varur nga kushtet e motit. Në vitin 1938 aftësia ujitëse ka qenë 1.900 ha, kurse në vitin 1982 ajo është 5200 ha. Në të ardhmen si rezultat i ndërtimit të veprave të reja, si kanali KIosit dhe shumë rezervuarëve të tjerë sipërfaqja ujitëse do të arrijë në 10.881 ha.

 

 

Puna me tokën vazhdon edhe në drejtime të tjera, si për sistemimin e saj, hapjen e tokave të reja, përpunimin e plehrave organike etj. Si rezultat i punës së bërë prodhimet bujqësore e rendimentet e bimëve të arave kanë ardhur duke u rritur. Një sukses me rëndësi ishte tejkalimi i prodhimit të grurit në vitin 1983 në 114% duke dhënë mbi 112000 kv grurë me një rendiment mesatar prej 24 kv/ha në 4350 hektarë të mbjellë.

 

 

Tejkalimi i prodhimit të grurit bëri që të sigurohet buka e grurit për popullsinë e rrethit për pjesën më të madhe të vitit (mbi 8 muaj) pa përfshirë këtu që ekonomitë bujqësore dorëzojnë në vit mbi 60.000 kv drithëra buke si tepricë. Pra rrethi i Matit dikur një nga krahinat me të prapambetura të vendit që nuk siguronte për 2-3 muaj bukë në vit, sot si rezultat i zbatimit të politikës së drejtë të Partisë, ka arritur jo vetëm të sigurojë bukën, por t'i japë, edhe teprica shtetit.

 

 

Në rrethin e Matit është zhvilluar mirë edhe blegtoria. Rendimente të mira janë  marrë sidomos nga dhitë, p.sh. tufa që drejtohet nga heroi i punës socialiste Lezan Pisli në vitin 1983 mori 350 litra qumësht për çdo dhi. Shembulli i tij po ndiqet edhe nga mjaft blegtorë të tjerë në rreth.

 

 

Rrethi i Matit i ka të gjitha kushtet klimatike e tokësore që të kultivojë të gjitha llojet e pemëve që nga mollët, kumbullat, arrat, fiqtë, rrushtë e deri te hurmat, qershitë etj. Tashmë në çdo ekonomi janë krijuar blloqe të veçanta me pemë e vreshta, si blloqet me mollë në kooperativën bujqësore të Martaneshit prej 70 ha, ato të Xibrit prej 65 ha, Macukullit 35 ha. Ky dru frutor ka gjetur kushte të përshtatshme në rrethin e Matit. Në vreshtari një punë e kujdesshme është bërë në NB e rrethit, e cila ka një vreshtë prej 30 ha, në kooperativën bujqësore të Shoshaj-Lisit (36 ha), në atë të 1 Majit (24 ha), të Baz-Shkopetit (25 ha) etj. Një punë e mirë po bëhet për krijimin e kurorës së gjelbër të qytetit me pemë e vreshta me 160 ha, e cila jo vetëm do t'i shtojë hijeshinë qytetit, por do të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme edhe furnizimin me pemë të popullsisë.

 

Rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral ka bërë që të rriten edhe të ardhurat për ditë-pune të kooperativistëve si dhe të përmirësohet më tej struktura e të ardhurave nga çdo degë e ekonomisë bujqësore. Pasqyra e mëposhtme tregon peshën specifike të degëve të veçanta të bujqësisë në raport me prodhimin e përgjithshëm bujqësor të rrethit (në milionë lekë).

 

 

RRETHI MAT, PRODHIMI BUJQESOR

(milion lekë)

Nr

Lloji

Viti 1976

Viti 1982

Në % 1982

 

 

Gjithsej

%

Gjithsej

%

ndaj 1976

1

Bimët e arave

53.029

77.5

51.366

74.2

96,8

2

Blegtoria

7.715

11.2

13 914

20

180

3

Pemëtaria

2 087

3

2.548

3.7

122

4

Të tjera

5 587

8.3

1.418

2.1

25.4

 

GJITHSEJ

68.419

100

69.246

103

101.2

 

 

 

Siç shihet nga pasqyra e mësipërme bimët e arave zënë vendin kryesor me 74.2% të prodhimit bujqësor, vendin e dytë e zë blegtoria me 20% e më pas pemëtaria me vetëm 3.7%. Natyrisht një strukturë e tillë e të ardhurave duhet të përmirësohet më tej, pasi blegtoria e pemëtaria, megjithë kushtet e mira që kanë për t'u zhvilluar, zënë një vend ende të vogël në strukturën e të ardhurave.

 

 

Ky zhvillim i vrullshëm e i gjithanshëm ekonomiko-shoqëror i rrethit të Matit ka bërë që mirëqënia materialo-kulturore e masave punonjëse të qytetit e të fshatit të shkojë vazhdimisht drejt rritjes.

 

 

Zhvillimi i madh i industrisë në rrethin e Matit ka tërhequr nga fshati gjithnjë forca pune. Këto forca vërtetë punojnë në industri, kryesisht në minierat, por banimin e kanë përsëri në fshat. Aktualisht në ndërmarrjet industriale të rrethit punojnë afër 7000 punëtorë me banim në fshat. Ky është një faktor me rëndësi që ka ndikuar në shtimin e të ardhurave dhe në futjen e frymës së klasës punëtore në fshat. Tashmë në familjet matjane krahas kooperativistit jeton edhe punëtori edhe intelektuali.

 

 

Zhvillimi i gjithanshëm ekonomiko-shoqëror e kultural i rrethit si dhe ngritja e vazhdueshme e mirëqënies së masave punonjëse është baza e ritmeve të larta të shtimit të popullsisë gjatë gjithë periudhës së Pasçlirimit.

 

 

Shtimi i popullsisë me ritme të larta në qytet e në fshat si dhe disiplinimi i lëvizjeve mekanike të popullsisë, ka bërë që rrethi i Matit të jetë jo vetëm i populluar mirë, por edhe me një shpërndarje të drejtë horizontale e vertikale të popullsisë si në luginë ashtu edhe në kodër e në mal, madje disa zona kodrinore e malore janë më të populluara se luginat. Dendësia mesatare e rrethit është 65.3 banorë për km2 duke zënë vendin e 12 në Republikë.

 

 

Në rrethin e Matit janë bërë ndryshime me rëndësi edhe në kushtet dhe mënyrën e jetesës. Në vitet e pushtetit popullor mbi 80% e popullsisë banon në shtëpi të reja. Vetëm në fshat ka mbi 1000 televizorë, po kështu edhe frigoriferë, makina larëse, stufa ekonomike, divanë e paisje të tjera të nevojshme për një jetë socialiste të kulturuar. Siç theksuam më lart një ndikim me rëndësi ushtron në këtë drejtim klasa punëtore me banim në fshat.

 

 

Të gjitha këto kanë bërë të ngushtohen gjithmonë e më shumë dallimet midis fshatit e qytetit, midis punës mendore e asaj fizike. Me rëndësi janë gjithashtu edhe futja e shërbimit urban, forcimi e zgjerimi i shërbimit shëndetësor, komunal e tregtar, furnizimi gjithmonë e më mirë i masave punonjëse të fshatit jo vetëm nga shteti, por edhe nga kooperativat bujqësore, tufëzimi i bagëtive të imëta, si dhe ngritja e çerdheve, e kopshteve e institucionet e tjera që deri dje fshati s'u kishte dëgjuar as emrin.

 

 

Zhvillimi i vrullshëm ekonomik e shoqëror i rrethit të Matit pasqyrohet  drejtpërsëdrejti edhe në dinamikën e strukturën e popullsisë, e në radhë të parë në rritjen e vazhdueshme të lindjeve dhe në pakësimin po aq të vazhdueshëm të vdekjeve.

 

 

Si në gjithë vendin edhe në rrethin e Matit periudha e çlirimit është karakterizuar nga një rritje e vrullshme e popullsisë. Siç theksuam edhe më lart në vitin 1980 numri i popullsisë së rrethit tonë u dyfishua në krahasim me vitin 1938, kështu nga 39.100 banorë që kishim më 1938, në vitin 1980 arriti në 65.062 banorë dhe në fundin e vitit 1983 popullsia e rrethit arriti me 70.000 banorë.

 

 

RRETHI MAT, SHTIMI I POPULLSISË

(për mijë banorë)

Viti

Lindjet

Vdekjet

Shtesa e popullsisë

1960

47.7

14.1

33.6

1970

38

10.1

27.9

1980

30.5

6.7

23.8

1982

32.6

5.5

27.1

 

 

Pra siç shihet edhe nga tabela e mësipërme rrethi i Matit ka nivel të lartë të rritjes natyrore, rreth 8% mbi mesataren e Republikës. Pas vitit 1960 edhe në rrethin e Matit vihet re një farë uljeje në shtesën natyrore, por duhet theksuar se kjo ulje është shumë më e vogël se mesatarja e vendit. Eshtë ulur shumë vdekshmëria, sidornos në fëmijët deri në një vjeç, e si rrjedhim i njëjti numër i dëshiruar fëmijësh arrin moshën madhore, megjithëse lindin më pak fëmijë.

 

 

Sigurisht në procesin e uljes së lindjeve ndikojnë edhe dëshirat që vihen re në ndonjë shtresë të caktuar të popullsisë, si p.sh., tek disa intelektualë, të cilët kanë dëshirë të kenë 1-2 fëmijë. Kjo vihet re më shumë në qytet, por ka raste edhe në fshat. Kështu p.sh. në fshat sot ka familje me 2-3 fëmijë, nga 6-7 fëmijë që është mesatarja e rrethit. Faktorët që kanë ndikuar në ritmet e larta të lindjeve padyshim janë rritja e mirëqënies së masave punonjëse të fshatit e qytetit, zënia e plotë e banorëve të aftë për punë, rritja e numrit të martesave, ndihma e madhe që i jepet nënës dhe fëmijës etj.

 

 

Një nga faktorët që përcakton shtesën natyrore të popullsisë janë edhe vdekjet. Si paraqitet rrethi i Matit në këtë drejtim? Vdekshmëria në përgjithësi dhe ajo foshnjore në veçanti, si rezultat i kujdesit të vazhdueshëm të Partisë, është ulur vazhdimisht. Kështu nga 18.4 për 1000 banorë që ka qënë në vitin 1938 ajo ka rënë në 6.2 për 1000 banorë më 1980 dhe 5.5 në vitin 1982. Si rrjedhim numri i vdekjeve në rrethin e Matit është nën nivelin mesatar të Republikës, i cili në vitin 1981 ishte 6,6 për 1000 banorë.

 

 

Ulja e vdekshmërisë në të gjitha moshat si në qytet, ashtu edhe në fshat, është një prirje e vazhdueshme. Faktorët që kanë çuar në uljen e vdekshmërisë janë të shumtë, por ato që kanë më shumë rëndësi janë përmirësimi i nivelit ekonomik, shtimi i institucioneve shëndetësore e i personelit të shërbimit shëndetësor, zhdukja e sëmundjeve ngjitëse, pakësimi i vazhdueshëm i sëmundjeve të tjera, rritja e nivelit kulturor të masave punonjëse, përmirësimi i mënyrës së jetesës, strukturës së të ushqyerit etj.

 

 

Ulja e vdekjeve ka çuar në zgjatjen e jetës mesatare, e cila po afrohet nivelit të 70 vjetëve. Niveli i lartë i lindjeve ka ndikuar shumë edhe në strukturën e popullsisë së rrethit, në të cilën mbizotërojnë moshat e reja. Kështu popullsia nën moshën 40 vjet përbën mbi 78% të popullsisë së përgjithshme të rrethit.

 

 

RRETHI I MATIT, STRUKTURA E POPULLSISË

(për vitin 1980)

Grupmoshat

Numri i popullsisë

% ndaj totalit

0-14 vjeç

25.974

39.9

15-39 vjeç

24.743

38.0

40-59 vjeç

8.628

13.3

Mbi 60 vjeç

5.707

8.8

Gjithsej

65.052

100.0

 

 

Siç shihet, kjo strukturë e grupmoshave siguron që në të ardhmen të kemi gjithnjë një rritje të konsiderueshme të kontigjentëve në moshën e punës. Një bazë e mirë në këtë drejtim është popullsia nën moshën e punës 0-14 vjeç, e cila zë 39.9% të popullsisë (nga 37% që është në shkalle republike). Pozitiv është fakti se popullsia në moshë pune si në fshat ashtu edhe në qytet është e zënë plotësisht me punë. Kjo është e garantuar edhe për të ardhmen, megjithëse popullsia në moshë pune rritet me një ritëm mesatar vjetor më të lartë sesa ai i shtimit të popullsisë. Kështu shtimi mesatar vjetor i popullsisë në moshë pune është 3.9%, ndërsa ai i shtesës së popullsisë 2.68%.

 

 

Këto ritme të rritjes së popullsisë janë garanci e shëndoshë për t'iu përgjigjur zhvillimit të vrullshëm e të gjithanshëm ekonomik e kulturor të rrethit të Matit. Njëkohësisht ato vërtetojnë edhe në shembullin e rrethit të Matit, drejtësinë e politikës demografike të Partisë.