Darsi para 550 vjetësh

Një vështrim sipas treguesve të regjistrimit turk të vitit 1467



Avni Dani, Tiranë - 5 Qershor 2016

 

Regjistrimi turk i vitit 1467 është i pari përshkrim i hollësishëm që kemi deri më sot për Darsin dhe atë çfarë ai ishte në atë kohë. Edhe pse jemi një vit para vdekjes së Skënderbeut, zotit të Matit dhe të Arbërit, duket se tashmë fuqia e tij ka rënë dhe gjithçka ka kaluar në dorë të turqve. Pushtuesit do të bëjnë një regjistrim të plotë, fshat më fshat, më së shumti me synim vjeljen e taksave. Por edhe pse i bërë për qëllime fiskale siç do të thoshim sot, nëpërmjet regjistrimit mund të nxirren në mënyrë të tërthortë shumë të dhëna të tjera.

 

Defteri i 1467 është përkthyer në shqip nga osmanishtja nga studiuesi dhe historiani i mirënjohur Selami Pulaha dhe është botuar si pjesë e librit “Lufta shqiptaro-turke e shek XV”, botim i Akademisë së Shkencave i vitit 1968.

 

Pjesë e këtij defteri (ajo që ka lidhje me Matin) është botuar e plotë në librin “Mati dhe matjanët në rrjedhat e historisë” e autorit nga Mati, Ramiz Fiçori. Është botimi më i plotë i këtij lloji për krahinën nga i cili është marrë një fragment i regjistrimit të dalë nga defteri turk.

 

Ma aq sa të dhëna ka aty, por edhe duke shfrytëzuar përshkrimet nga fshatrat e tjerë por edhe krahasimet me to ne mund të nxjerrim një pamje sado të përciptë të Darsit të asaj kohe. Bëhet fjalë për një fshat që sipas regjistrimit kishte 6 shtëpi. Nga emrat e tyre s’ka dyshim që i gjithë fshati ka qenë i banuar nga katolikë. Madje janë këto katolikë të parë prej të cilëve sot rrjedhin edhe emrat e dy lagjeve të fshatit, duke u dhënë kështu një shpjegim përfundimtar kuptimeve të emrave të tyre: Spaval e Pcarë.

 

Spavali duket se është ngulimi i parë i familjes që në defter del me emrin Kol Spavali. Duke shtrirë pamjen në fshatrat e tjera përreth ky mbiemër del vetëm në Gur të Bardhë, ku janë tre familje me këtë mbiemër: Kola Spavali, Gjin Spavali, Gjon Spavali. Duke qenë se atje janë më shumë familje ka të ngjarë që Spavali i Darsit ta ketë prejardhjen prej atje. Nëse marrim në konsideratë edhe një tjetër fakt, atë të kalimit të emrave brez pas brezi, lidhja bëhet edhe më e qartë pasi si në Gur të Bardhë ashtu edhe në Dars kemi po të njëtin emër Kola (Kol) Spavali.

 

Pcara e sotme nuk është e vështirë të thuhet se prejardhjen mund të katë nga një tjetër fis i asaj kohe. Në defter kemi dy familje: Nikolla Bisari e Gjon Bisari, mbiemri i të cilave morfologjikisht është shumë afër emrit të njërës prej 3 lagjeve të Darsit. Por në ndryshim nga rasti i Spavalit, mbiemri Bisari tashmë del edhe si një fshat i tërë, që ka mundësi të jetë ndonjë fshat ndërmjet Gurrës si nisje e deri në Lis, pasi e tillë është edhe renditja e fshatrave në defter. Duke u nisur mbi një ndarje ku si kriter është pronësia e fshatrave, Bisari del një fshat, pjesë e timarit me pronar Berakun prej Manastiri dhe ku nga gjashtë shtëpi pesë prej tyre kanë mbiemrin po Bisari: Lazar Bisari, Andrija Bisari, Pirniç Bisari, Martin Bisari, Nikolla Bisari. Nuk mund të thuash nëse ishin të ardhur apo qenë larguar nga Darsi, Bisarët që i dhanë emrin asaj lagjes Pcarë, por si edhe në rastin e familjeve Spavali edhe këtu kemi një përkim Nikolla Bisari është në të dy fshatrat.

 

Duke qenë se defteri ka qëllim parësor vjeljen e taksave, aty del edhe lloji dhe vlera e prodhimeve e pasurive të tjera të fshatit. Bazuar në vëllimin e tyre është mjaft e dyshimtë që fshati të ketë pasur vetëm 6 familje sado të mëdha që ata të kenë qenë. E para numri i tyre mund të ketë qenë më i madh, por që janë larguar pas rënies së Skendërbeut dhe pushtimit nga osmanët. Ka edhe një mundësi të dytë që në defter të jenë shkruar vetëm ata familje që zotëronin tokën, ndërsa të tjerë që e punonin atë mund të kenë qenë më shumë. Ideja se mund të ketë pasur më shumë familje e banorë mbështetet edhe nga fakti se sasia e vlera e prodhimeve që dilnin nga Darsi janë ndjeshmë më të larta se të fshatrave të tjera. Bazuar në defter të ardhurat janë të krahasueshme vetëm me ata të fshtatit Frankth, shumë më të larta se të Fullqetit, madje pothuajse të barabarta me të ardhurat e Pleshës, Shënkollit, Cërujës, Kukatinit, Bërshinit të marra së bashku.    

      

Përveç shënimeve për popullsinë nga regjistrimi mund të nxjerrim edhe të dhëna të tjera. Kështu në atë kohë në Dars, si edhe në fshatrat e tjera të zonës, është kultivuar gruri, elbi, thekra e tërshëra. Prej këtyre kulturave sot vetëm gruri vijon të mbillet masivisht ndërsa të tjerat pothuajse nuk njihen më. Duke ditur që taksa e prodhimeve bujqësore vilej në masën 1/8 deri 1/10 e sasisë së prodhimit ne mund të përllogarisim lehtësisht se sa prodhohej për secilën kulturë në Dars dhe se sa ishte e ardhura që merrej prej tyre në vlerë (akçe). Kështu përafërsisht atë kohë prodhohej 45 killë grurë - vlera 900 akçe, 20 killë elb - vlera 280 akçe, 30 killë thekër - vlera 420 akçe, 20 killë tërshërë - vlera 200 akçe, që të përkthyera si peshë në masat e sotme sasitë janë grurë 2.4 ton, elb 1.1 ton, thekër 1.6 ton dhe tërshërë 1,1 ton. 

           

Mati ka qenë gjithashtu edhe vendi i vreshtave. Prej tyre vinin të ardhurat kryesore që administrata osmane merrte nga banorët. Përjashtim nuk bën as Darsi. Sipas defterit, fshati kishte një vreshtë për të cilën paguheshin 2000 akce taksë si edhe 50 vedra musht me vlerë 500 akce, që do të thotë se rrushi ishte kultura më e taksuar, prej së cilës jepeshin gati pesë të gjashtat e të gjithë taksave. Sot në Spaval, në anën lindore, është një toponim me emrin Kodra e Veshtit, c’ka ka shumë mundësi që të jetë ai vresht i dikurshëm por që sot nuk ekziston më.

 

Pronë e fshatit ka qenë edhe një mulli për të cilën paguheshin 422 akçe taksë. Sigurisht sot nuk mund të thuhet me saktësi se ku gjendej ai mulli, por ska dyshime që ai ka qenë në anën e Sheut, ku deri vonë kanë qenë së paku 4 mullinj me ujë, një poshtë Xhabzës, në drejtim të Belit, një tjetër më poshtë rrjedhës së Sheut, përballë shtëpive të Ramazan Nurës e fisit Gjeta, ndërmjet Pcarës e Mëhallës së Poshtme dhe dy mullinjtë e tjerë në 500 metrat e fundit të derdhjes së Sheut në lumin Mat, pronë e fisit Bebja. 

 

Sigurisht që kjo është një pamje e përgjithshme dhe me shumë pak të dhëna nga se ne do të dëshironim. Por ama kjo pamje është më e hershjma e më e hollësishmja e dokumentuar nga ata që kemi sot për sot për Darsin. Për të patur një pamje sa më të qartë po sjellim regjistrimin e të gjithë fshatrave përreth Darsit, duke krijuar mundësinë që secili të mund të bëjë edhe vetë krahasimet.     

 

 

Fragmenti i defterit të mëposhtëm është shkëputur nga libri “Mati e Matjanët në rrjedhat e Historisë” e autorit Ramiz Fiçori. 

 

Defteri 1467

U shkrua në muajin Saban-ul-muazam të hixhrit 871 (mars 1467).

Zoti qoftë lavdëruar nga të gjithë! 

 

Sanxhaku i Dibrës

Vilajeti i Matit

Hasset e Mirlivait

 

Fshati Bilakamin (Guri i Bardhë)

është një fshat derbend, banorët japin haraçin e fshatit derbend.

Banorët: Andrija Gazi, Peter Limani Gazi, Gjeç Aleksi, Ishri Buluzi, Dhonabi i dhëndri i Ishrit, Gjin Rakizi, Martin Muzaka, Kita Dajxhi, Llesh Çokani, Gjon Puliti, Lazar Thana, Kola Spavali, Gjin Boliti, Gjon Senkuri, Kal Shguni, Gjergj Bulushi, Andrija Shirgji, Lika Duka, Lazar Bulushi, Mastër Nikolla, Gjin Nikolla, Lal Nikolla, Veske  Lalnikolla, Gjin Spavali, Gjergj Jani, Kal Mizi, Todor Kuprini, Gjin Biza, Peter Skalabra, Gjin Skalabra, Andrija Koçani, Gjin Mirzi, Gjergj Bratisllavi, Peter Boliti, Engjëll Koçani, Gjon Bulushi, Nika Gazi, Gjon Spavali, Peter Lumashi, Nika Gropa, Peter Bulushi, Gjin Koçani. 

Shtëpi 46, tërshërë dhjetë killë, musht njëqind vedra.

 

Fshati Klos

është fshat derbend

Banorët: Kozma Kimiza, Progon Shargjini, Martin Doroza, Gjin Doroza, Duka Cukali, Margjin Prifti, Ilia Kimiza, Kola Kimiza.

Shtëpi 8, ispenxhë 200 akçe, grurë killë 3 - 60 akçe, elb killë 3 – 42 akçe, tërshërë killë 2 – 20 akçe, musht 15 vedra-150 akçe.

Të ardhurat: 472 akçe.

 

Timari i Jusufit (3 fshatra)

 

Fshati Dardas (Darsi)

Banorët: Nikolla Bisari, Kol Spavali, Gjon Bisari, Pal Aleksi, Aleksi i vëllai i Palit, Tanush Symirkoj.

Shtëpi 6, ispenxhë 125 akçe, grurë 4 killë - 80 akçe, elb 2 killë - 28 akçe, thekër 3 killë – 42 akçe, tërshërë 2 killë – 20 akçe, vreshta hassa 1 - të ardhura 2000 akçe, musht 50 vedra- 500 akçe, mullinj hassa 1 - të ardhura 422 akçe.

Të ardhurat: 3217 akçe.

 

Fshati Flukit (Fulqet)

Banorët: Gjon Budi, Peter Shpani, Gjon Kurpendi.

Shtëpi 3, ispenxhë 75 akçe, grurë killë 2 – 40 akçe, elb killë 1 – 14 akçe, tërshërë killë 1 - 10 akçe, musht pesëdhjetë vedra – 500 akçe, vreshta hassa 1 - të ardhura 1000 akçe.

Të ardhurat: 1639 akçe.

 

Fshati Ftoni

nuk erdhën dhe nuk u regjistruan, të ardhurat nuk i dihen.

Shuma e përgjithshme: fshatra 3, shtëpi 9.

 

Timari i vojvodës të quajtur Karagjoz (është besnik i Daut Beut) 2 fshatra

 

Fshati Kita (Keta)

Banorët: Gjergj Bardi, Lish Bardi, Shirgj Aleksi, Andrija Lapaçaj, Nikolla Bogdani, Petër Bardi, Petër Lapaçaj, Dom Menku, Peter Bogdani, Shurb Bardi

Shtëpi 10, ispenxhë 250 akçe, grurë 4 killë – 80 akçe, elb 3 killë – 42 akçe, tërshërë 7 killë – 70 akçe, musht 20 vedra – 200 akçe.

Të ardhurat: 642 akçe.

 

Fshati Selita

Banorët: Petri i biri i Kosinit, Palka i biri i Mërkshës, Nikolla i biri i Gjyrishejndit, Gjon Kapusi, Gjoni i biri i Domit, Gjoni i biri i Riçit.

Shtëpi 7, isepnxhë 175 akçe, grurë 4 killë – 80 akçe, elb 5 killë – 70 akçe, tërshërë 6 killë – 60 akçe, mulli hasa 1 – 200 akçe.

Të ardhurat: 585 akçe 

Shuma e përgjithshme: fshatra 2, shtëpi 17, të ardhurat 1227 akçe

 

Timari i Ballabanit (është gulm i Karaxhe bej Kestyrijes)

 

Fshati Çipur (Xibërr)

Banorët: Todor Bogdani, Shurb Bardi, Benk Kirakesi, Gjergj Palazi, Dom Progoni, Shirgj Bardi.

Shtëpi 6, ispenxhë 150 akçe, grurë 3 killë – 60 akçe, elb 3 killë – 42 akçe, thekër 2 killë – 28 akçe, tërshërë 3 killë – 30 akçe, taksa e mullirit 30 akçe, mulli hassa 1 - të ardhura – 252 akçe.

Shuma e përgjithshme e të ardhurave 562 akçe.

 

Timari i Berakut (është prej Manastiri) 5 fshatra

 

Fshati Gur (Gurra)

Banorët: Kolë Kibaj, Dom Pali, Gjon Guribardi, Dom Andrija, Mihal Girdepaj, Gjergj Mizijo, Todor Bila (Beli), Buzi Bardi, Martin Bili (Beli)

Shtëpi 9, ispenxhë 225 akçe, grurë 4 killë - 80 akçe, elb 3 killë - 42 akçe, thekër 1 killë – 14 akçe, tërshërë 3 killë – 30 akçe, musht dyzet vedra - 400 akçe, vreshta hassa 1 - të ardhura 800 akçe, mulli hassa 1 - i shkatërruar.

Të ardhurat: 1591 akçe.

 

Fshati Kuraragjir

Banorët: Kola Plashi, Gjergj Rakësi, Gjergj Bilari, Dom Gjoni;

Shtëpi 4, ispenxhë 100 akçe, grurë 9 killë – 180 akçe, elb 3 killë – 30 akçe, musht 27 vedra – 270 akçe.

Të ardhurat: 664 akçe.

 

Fshati Bisar

Banorët: Lazar Bisari, Andrija Bisari, Pirniç Bisari, Martin Bisari, Nikolla Bisari, Andrija Puliçi.

Shtëpi 6, ispenxhë 150 akçe, grurë 8 killë – 160 akçe, elb 10 killë – 140 akçe, thekër 10 killë - 140 akçe, tërshërë 12 killë – 120 akçe, taksa e mullirit 60 akçe.

Të ardhurat: 770 akçe.

 

Fshati Balish

ishte i braktisur, e mbillnin ata që ishin fqinjë me këtë fshat. Të ardhurat 218 akçe.

 

Fshati Firank (Frankth)

Banorët: Dhimitër Kaluri, Andrija Laçi, Petër Kaluri.

Shtëpi 3, ispenxhë 75 akçe, grurë 2 killë 40 akçe, elb 2 killë 28 akçe, tërshërë 2 killë – 20 akçe, musht 10 vedra - 100 akçe.

Të ardhurat: 233 akçe.

Shuma e përgjithshme: fshatra 5, shtëpi 22

Të ardhurat: 3476 akçe.

 

Timari i Kolo Sirodit dhe Petër Gjinanit (5 fshatra)

 

Fshati Pilash (Plesh)

Banorët: Lup Torku, Pal Kipota, Gjon Simaku, Lazar Bogdani, Margjin Kimiza

Shtëpi 5, ispenxhë 125 akçe, grurë 2 killë – 40 akçe, elb 1 killë – 14 akçe, thekër 1 killë – 14 akçe, tërshërë 2 killë – 20 akçe, musht 100 vedra – 1000 akçe, taksa mullirit 30 akçe,

Të ardhurat: 1243 akçe.

 

Fshati Shënkoll

Banorët: Vlash Zotomadhi, Gjeç Bogdani, Kola Kanxhai, Kola Mihali, Gjergj Muzaka, Gjon Kanxhai.

Shtëpi 6, ispenxhë 150 akçe, grurë 2 killë – 40 akçe, elb 2 killë – 28 akçe, thekër 1 killë – 14 akçe, tërshërë 2 killë – 20 akçe, musht 80 vedra – 800 akçe.

Të ardhurat: 1052 akçe.

 

Fshati Çiruja (Ceruja)

Banorët: Andrija Kurtisi, Mark Mihali, Gjin Shpata, Petër Skalabra, Gjon Diriçi

Shtëpi 5, ispenxhë 125 akçe, grurë 3 killë - 60 akçe, elb 1 killë - 14 akçe, thekër 1 killë – 14 akçe, tërshërë 2 killë – 20 akçe, musht 50 vedra – 500 akçe, taksa e mullirit 30 akçe.

Të ardhurat: 613 akçe.

 

Fshati Kukutin (Kukatin)

Banorët: Duka Zamraku, Andrija Kaçi.

Shtëpi 2, ispenxhë 50 akçe, grurë 1 killë – 20 akçe, elb 1 killë – 14 akçe, tërshërë 1 killë – 14 akçe, musht 50 vedra – 500 akçe.

Të ardhurat: 598 akçe.

 

Fshati Birshi (Bërshi)

Banorët: Kola Kusi, Gjon Syziu.

Shtëpi 2, ispenxhë 50 akçe, elb 1 killë – 14 akçe, tërshërë 2 killë – 20 akçe, grurë 1 killë – 20 akçe.

Të ardhurat: 104 akçe.

 

Shpjegime rreth terminologjisë së përdorur në defter

 

Në origjinal kile (killë), njësi matëse për drithërat. Në defter nuk ka ndonjë shënim që të tregojë se me ç'peshë ishte baras një killë. Sipas të dhënave të asaj kohe killa ishte baras me me 40-45 okë (ose me dy shinikë) dhe ku 1 okë llogaritet të ketë qenë 1283 gr.

 

Në këto të dhënat dalin qartë çmimet e kohës të shprehura në akçe (monedhë):

1 killë grurë kushtonte 20 akçe,

1 killë elb ose thekër 14 akçe

1 killë tërshërë 10 akçe

 

Taksa e prodhimeve bujqësore vilej në masën 1/8 deri 1/10 e sasisë së prodhimit.

Në defter si njësi matëse për mushtin është treguar vedra, por në asnjë shënim të këtij dokumenti nuk gjejmë se me ç'vëllim ishte baras një vedër. Por sipas të dhënave të kohës vedra është diçka e ngjashme si medreja. 1 medre baras me 8 okë.

 

Vlefta e një vedre musht ishte baras me 10 akçe, (Varion 6-10 sipas kohës dhe krahinave).

 

Sipas shënimeve të defterit, të ardhurat nga mushti përbënin pjesën kryesore të të ardhurave të timareve. Ky fakt është një dëshmi e sigurtë për nivelin deri diku të lartë të zhvillimit të vreshtave në vendin tonë.

 

Fshatrat derbend ishin fshatra të liruar nga një pjesë e taksave pasi kishin në ngarkim ruajtjen e rrugëve.

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania