Budi në penën e Camajt. Shejzat



Avni Dani, Tiranë – 21 Maj 2016

 

Traditën e nisur që në vitet e para pas shpalljes së Pavarësisë nga revistat LEKA e Hylli i Dritës pas vitit 1944, nuk do ta gjejmë më brenda Shqipërisë. Murtaja komuniste, armikun e saj të pare, do të shpallte klerin katolik, e për pasojë edhe revistat që dilnin me mbështetjen dhe kontributin e klerikëve të mëdhenj patriotë nuk do të dalin më.

 

Por fati pas gjithë asaj furtunë tragjike e kishte rezervuar edhe diçka të mirë. Mjaft nga klerikët dhe patriotët e kulturuar u larguan nga Shqipëria, pasi e dinin fundin që i priste. Rreth 12 vjet më vonë ata do të ribashkohen, tashmë në Romë, në një revistë tjetër që me plot gojën mund të quhet vazhduesja më e mirë e rrugës se revistave kulturore e fetare që dilnin në Shkodër.

 

Fjala është për revistën kulturore “Shejzat” numri i parë i të cilës doli në vitin 1957. Me premtimin se “Kjo e përkohëshme don të jét tryezë e lirë kuvendi burrnuer, të mbajtun brênda caqeve t’urtis e njerzis. Çdo shqiptar qi ká nji mendim fryt­dhânës për të shfaqun dhe din t’a shfaqi në shqipe të pastër, çdo intelektual qi lakmon të rrahi nji çashtje ditunore ase don të paraqesi prodhimet e veta letrare ka me gjetun vend në këto fletë t’ona…”, Ernest Koliqi (shkrimet e të cilit para 1944, kishin qenë të bollshme edhe në të përkohshmet e Tiranës e Shkodrës) së bashku me të riun e ditur Martin Camaj, që vinte për studime nga Jugosllavia, nisnin një rrugë që do të ndërpritej më 1974, vit kur Koliqi ndërron jetë. (Në fakt numri i fundit i vetëm i Shejzave ka dalë më 1978-si një numër përkujtimor për themeluesin e asaj reviste, Ernest Koliqin).  

 

Rreth “Shejzave” do të grumbullohen intelektualët e njohur që kishin botuar edhe më parë në shtypin shqiptar të paraluftës, e që regjimi komunist i kishte shtrënguar të jetonin në mërgim. Në faqet e revistës do spikasnin për 18 vjet me radhë, me penën e tyre të njohur Ernest Koliqi, Martin Camaj, Eqerem Bej Vlora, Dhimitër Beratti, Mustafa Kruja, Karl Gurakuqi, Zef Valentini, Tahir Kolgjini, Daniel Gjeçaj, albanologu Shtatmyler e plot të tjerë. Si një revistë kulturore nuk do të mungojnë as ilustrimet e piktorëve më të talentuar të diasporës shqiptare në Itali, Ibrahim Kodra e Lin Delija.

 

Në mesin e 600 artikujve të kësaj reviste që i kushtohen problemeve të letërsisë, krijimeve letrare e gjuhësore (shih monografinë e Tomor Osmanit “Shejzat për gjuhën shqipe”) do të gjejmë edhe një shkrim të kryeredaktorit Martin Camaj për Budin e veprën e tij. Si do shohim më poshtë edhe themeluesi i revistës, Ernest Koliqi, ishte marrë vite më pare, jo pak me Budin.

 

Budit i ishin dashur më shumë se 300 vjet që të rigjente vendin e tij në letërsinë shqipe, si njëri nga autorët më të rëndësishëm të saj. Ndërkohë në vendlindjen e vet, rikthimi i Budit do të kërkonte edhe shumë vite të tjera. Kjo ka ndodhur zyrtarisht në 400 vjetorin e lindjes së Budit. Pikërisht këtë rikthim në vendlindje do ta citonte nga lajmet e Tiranës edhe revista Shejzat. Në numrin 9-12 shtator-dhjetor 1966, krahas shkrimit të Camajt do të gjejmë edhe këtë njoftim:

 

Kremtohet 400 vjetori i Budit

 

Tiranë, 22 fruer 1966

 

Në shtator të këtij viti do të festohet 400 vjetori i ditëlindjes së Pjetër Budit, figurë e shquar e letërsisë sonë të vjetër. Me kët rast u krijua nji Komisjon qendror me në krye Rektorin e Universitetit shtetror të Tiranës Kahreman Ylli dhe përbëhet nga përfaqësuesa të Ministris së Kulturës dhe Arteve, Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistve të Shqiprisë, Institutit të Historis dhe Gjuhësis dhe Komitetit ekzekutiv të Këshillit popullor të rrethit të Matit.

 

Në mbledhjen e tij të parë Komisjoni aprovoi programin e aktiviteteve qi do të zhvillohen në përkujtim të Pjetër Budit. Në Tiranë e Burrel do të bëhen mbledhje solemne, ndërsa Instituti i Historis dhe i Gjuhësis do të organizojë nji sesjon jubilar kushtuar jetës dhe veprimtaris së Pjetër Budit.

Në shejë kujtimi dhe nderimi në fshatin e tij Gur i Bardhë të rrethit të Matit do të ngrihet nji bust. Gjithashtu do të botohen artikuj përkujtimorë dhe do të fillojë puna për botimin e veprave të tij.

 

 

Ishte ky edhe shkaku që Martin Camaj do të përcillte për lexuesit e revistës, në të njëtin numër, një shkrim të cilin e shoqëron edhe me një nga krijimet poetike të Budit. Në shkrimin e titulluar thjeshtë: Pjetër Budi, Në rasën e katërqindvjetorit të lindjes Camaj fillimisht jep të dhënat për jetën e shkrimtarit e poetit të Gurit të Bardhë, së bashku me vlerësimet për figurën e tij. Ja se çfarë shkruan mes të tjerash Camaj:

 

Si njeri qe tejet energjik dhe mendekthielltë. Si meshtar sherbej në anat e Kosovës e Maqedonisë, ku sigurisht ra në kontakt me nji botë jo shqiptare, sllave, turke dhe ndoshta greke lindore si bashkëvllaznit e tij imzot Ndre Bogdani dhe ma vonë Pjetri i nipi që qindron si yll në historinë e kulturës shqiptare, si shkrimtar stilist i radhës së parë. Budi ngjan të jetë qenë nji tjetër temperament, ma me pak fat dhe pa shum miq se sa shkrimtari i Hasit. Patjetër Budi ishte njeri i squtë, por ndoshta me atë cilsi kompleksi të njeriut që e kishin pengue rrethanat të fitonte nji dijeni organike.

 

Më tej ndjek një vlerësim për veprën dhe gjuhën e përdorur nga Budi, të cilat Camaj duket se e ka studiuar me themel, pasi nuk mungojnë as analiza e fjalëve dhe komentet për mënyrën e shkrimit të tyre:

 

Tue analizue hollë veprën e tij, del në shesh se ai u përpoq të gjejë nji rrugë të veten, ndoshta tue mos iau vu fort menden shkrimeve shqipe të përparëshme. Dhe kur përkthen mban at theksën e vet personale, prandej përdor nji shqipnim kuptimuer, mun shpesh shkon dhe m'andej tue shkoqitë mendimin e origjinalit lirisht në gjuhën shqipe. Këtu ka dhe nji rrethanë tjetër: në Pasqyrën e të Rrëfyemit (Speculum Confessionis) nga E. de Bonis, Budi nuk e ndien vehten të lidhun për origjinal si do të kishte ngja poqese do të kishte përkthye Shkrimin Shëit, ku kriteret në besniki ndaj tekstit ishin tejet të rrebta. Edhe për këto arsye puna e filologut në krahasimin e veprës së Budit me origjinal asht e randë, sa që në fillim ai ka përshtypjen si me pasë hy në nji pyllë të dendun pa spatë.

 

Me kohë njeriu mësohet me stilin e Budit dhe tue qenë se fjalët janë të lidhuna njana me tjetrën tue trajtue kështu togje fjalësh të përngjituna, ka përshtypjen se asht tue ndigjue nji bisedë që dalë ngadalë bahet e kumbueshme dhe e rrjedhëshme. Ma tepër se te shkrimtarët tonë të vjetër gjuha e Budit asht verte popullore, ndoshta me shum elemente të matjanes së lashtë.

 

Dhe është e pritshme që poeti Camaj të ketë vlerësimin e tij për më të hershmin e poetëve shqiptarë Pjetër Budi, prej të cilit shkëput dhe boton edhe 5 strofë me nga katër vargje:

 

Budi 'a'sht dhe poet, sigurisht jo me shum talent, por asgjamangut farkues i mirë i vargut tetërroksh. Prej 229 faqesh të Pasqyrës kemi 54 faqe vjerrsha që ai quen “imne” d.m.th. hymne, si p.sh. mbi Ditën e Gjyqit, mbi Mkatin e parë, ku ngjarja mes Adamit, Evës dhe Gjarpnit "asht e dramatizueme.

 

Mbetet pa analizue metrika nëse kjo pasqyron nji traditë të vargnimit populluer apo të ndoj tradite kishtare. Auktori përpara se t'a mbyllë veprën e vet me nji mbasthanje të zakonëshme, e nis këtë nga Roma për në Arbën me këtë vjerrshë, që po e paraqesim këtu poshtë.

 

I madhi Zot kjosh levduom,

Per gjithë kaqe të mirë,(1)

Qi s'e kam u merituom

Me ndoonje sherbëtyrë.(2)

Qi më dhee kaq hijr,

Ketë kafshë(3) me mbaruom,

Si e paçë zanë fijll,

Gjithëherë tue shkruom.

Posi mendia më percijll,

Nd'Arbenë me ua derguom

Per kishë e per munështijr(4)

Pak ndë mend me i trazuom.

Ata merre me deshijr(5)

Mkatit me u peenduom,

Posi pemëtë ndë Prijll

Ndë shpijrt me lulëzuom.

E si zogzit ndë pyyllt

Zoti im me të levduom,

Ndierë(6) vete nata mbyyllt,

Me nje zaa t'ambletuom.

 

(Pasqyra e t' rrfyemit. In Roma, appresso i Heredi di Bartolomeo Zannetti. MDCXXI. Fq. 228).

(1) Për të gjithë këto të mira.  (2) shërbim, meritë.  (3) kafshë = punë (vepër).

(4) munështijr = monastor, kuvend   (5) Budi i sillet drejperdrejt lexuesit që nepërmjet të kësaj vepre të lindë përsëri shpirtnisht. (6) ndierë = deri.

 

Kështu publicistika shqiptare në më shumë se 50 vjet e kishte përcjellë me besnikëri rikthimin e Budit në traditën letrare të vendit.

 

Ky kontribut i revistave e gazetave që cituam më sipër (sigurisht që ka dhe tjera) mbetet i pazëvendësueshëm, sidomos në kushtet e mungesës pothuajse të plotë të burimeve të tjera.

 

 

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania