Pasuri e rrallë, veshjet popullore në Mat (FOTO)



Avni Dani, Tiranë – 24 Prill 2016

 

Në Shqipëri, Mati mund të jetë krahina më e pasur me veshje popullore. Sidomos veshjet e grave kanë një larmi të madhe, ku spikasin e kuqja e verdha por edhe e bardha.

 

Etnologët kanë bërë një ndarje duke e patur ngjyrën si kriter dhe sipas tyre veshja e “bardhe” përbën kostumin e mbajtur nga gratë e besimit katolik ; dhe “veshja e zeze” që mbahej nga gratë e besimit musliman në fshatrat e  Luginës së Matit të epër, ku edhe ka ndodhur konvertimi në fenë islame.

 

Por mbi të gjitha shkëlqen ajo që quhet, “veshja matjane” tipike për këtë zonë, por që edhe ajo vetë brenda llojit të saj ka veçori specifike sipas zonave e fshatrave. Spikasin variantet e Prellit, Rranzave, Gurit të Bardhë, Gurrës, Xibrrit e Martaneshit.

 

Veshja e burrave është pak a shumë e njëjtë në të gjithë rrethin, si tirq me xhamadanë. Më herët burrat mbanin dhe fustanellë në ceremoni.

 

Më pas veshja me tirq dhe fustanellë përdorej vetëm në raste festash kurse veshja e përditshme u bënë brekushet e zeza me xhamadan prej shajaku të bardhë, me gajtanë të zinj. Në dimër, përdorej dhe xhoke e zezë (xhulini apo xhulija).

 

Mbi të gjitha veshja e Gurit të Bardhë paraqitet e ndryshme nga krahinat e tjera duke ruajtur disa elementë të qytetarisë së hershme. Rol në ruajtjen e kësaj veshje ka luajtur fakti që banorët e Gurit të Bardhë pothuajse nuk bënin fare martesa jashtë fshatit të tyre.

 

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania