Festivali i Dytë i Poezisë Mbarëkombëtare “Muza Poetike Budiane”


Hamdi Hysuka
Hamdi Hysuka

Hamdi Hysuka, Tiranë – 19 shtator 2017

 

Në Burrel është mbajtur Festivali i Dytë i Poezisë Mbarëkombëtare “Muza Poetike Budiane”, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” Mat. Erdhën për konkurim poetë nga gjithë kombi shqiptar, këtej dhe andej kufirit, të ftuar, artistë, drejtues të Bashkive Mat e Klos, studiues, historianë, punonjës të arsimit e kulturës, mësues, gazetarë, nxënës të shkollave, qytetarë matjanë dhe shumë adhurues të poezisë shqipe.

 

Këtë ditë Mati ngjau me një sofër të madhe poetike, në të cilën u ulën poetë nga të gjitha trevave shqiptare, nga Malisheva, Durrësi, Korça, Klosi, Çamëria, Mati, Prizreni, Elbasani, Dibra, Fieri, Tetova, Shestani, Malësia e Madhe, Gramshi, Gjilani, Podujeva, Kukësi, Metvegja, Klina, Drenasi, Tirana e Vlora. Disa prej tyre vinin për herë të parë.

 

Është e pamundur të mos “eklipsohesh” nga kënaqësia kur takon Izet Shalën nga Malisheva, korçarin Riza Braholli, Doktor i Shkencane për studime letrare; Zymer Zogajn, zyrtar për Trashëgimi Kulturore në Muzeun e Malishevës; Adem Zaplluzhën nga Prizreni, autor i mbi 150 vëllimeve me poezi; Ferit Ramën nga Elbasani, i vlerësuar disa herë me çmime në konkurse, festivale e manifestime poetike; poeten Rabije Bytyçi nga Rahoveci, e shpërblyer me shumë mirënjohje dhe çmime letrare; Ramë Oracën nga Podujeva, Agim Deskun nga Klina, shpërblyer me shumë çmime letrare brenda e jashtë atdheut në konkurse e manifestime tradicionale; dibranin Ilmi Dervishi, autor librash me poezi dhe publicistikë në shtypin e shkruar; Dan Ibrahimin nga Prishtina, Flogerta Krypin me origjinë nga Martaneshi, themeluese dhe organizuese e Klubit Letrar “Pena e Re” në Tiranë. Pse jo, akoma ndjej të më pushtojë një mahnitje dhe dashuri e veçantë për poezinë, kur mes bukurive të natyrshme të Matit, vijnë dhe poetë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, mes të cilëve Nikolla Spathari, Pëllumb Gorica, Agim Bajrami, Kujtim Stana, Gjokë Dabaj, Adivije Hoxha, Namik Selmani, Mevlud Buci, Bajram Canameti, Drita Llukovi, Vladimir Muça, Trëndafile Molla, Valjeta Krosi, Ermal Lala, Adile Baleta, Vladimir Shyti… Me stilin dhe talentin e tyre janë pjesë e nderuar e letërsisë sonë kombëtare. Veçse poetë disa prej tyre janë dhe prozatorë, publicistë, gazetarë, redaktorë librash, botues, pedagogë të letërsisë. Poezitë që u shpalosën në këtë festival, ishin të gjitha të një niveli të lartë poetik dhe artistik, të çmuara nga forma e brendia, përmbajtja e motivi, figuracioni i pasur metaforik e stilistik, nga sintaksa e pasur dhe semantika origjinale krijuese.

 

Zë pozitiv festivalit i dha pjesëmarrja e kryetarit të bashkisë, z. Nezir Rizvani; prozatorit, përkthyesit dhe publicistit Vasil Premçi; poetit, prozatorit dhe studiuesit të letërsisë Qazim D. Shehu, publicistit Faik Xhani etj. Në hapje të festivalit poetik, kryetari i Bashkisë Mat foli për mikpritjen matjane dhe se si Mati nderon e respekton poetët mbarëshqiptarë.

 

Mrekullisht në këtë festival poezia mbarëshqiptare erdhi me dinjitet, korrektësi e përgjegjësi për temat që kumtoi, me fjalë që kanë peshë, që ruajnë respektin e fjalës së ndershme e të vërtetë, sepse, siç thuhet, bota nis e sos me fjalë.

 

Ndjesia e parë që na përfshiu pas leximeve të poezive ishte thjeshtësia, vërtetësia, forca e mesazheve të transmetuara.

 

Festivali filloi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar. Më pas moderatori Fatmir Neli, me një të folur të pastër, krijoi atmosferë të këndshme. Ftoi poetët në konkurim, duke filluar nga Adem Zaplluzha, Bajram Canameti, Drita Llukovi, Rabije Bytyçi, deri te Xhavit Gasa dhe Zymer Zogaj.

 

• • •

 

Poezia, princesha e letërsisë, zbukuron të katër stinët. Siç thotë poeti grek Jannis Ricos, “një krijim i saktë, nuk humbet kurrë, del gjithmonë në orën e tij, thërret jam këtu dhe del me çdo kusht në dritë, kur e fton epoka në nevojë”. Pas konkurimit, juria e përbërë nga anëtarët Fatmir Gjestila, autor i mbi njëzet librave për fëmijë e të rritur, i çertifikuar me çmime letrare; Lindita Doda, mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe, autore e dy vëllimeve me poezi dhe kryetar Hamit Aliaj, emblema e gjallë e qytetit të Tropojës, “Homeri malësor”, poet i përmasave europiane, “Mjeshtër i Madh”, përzgjodhi poezitë më të sukseshme, të cilave iu dha çmim letrar. Kështu, poeti Xhevat Latifi u shpërblye me vendin e parë, Nikolla Spathari dhe Ramë Oraca me vendin e dytë, kurse vendi i tretë u nda në mes poetëve Agim Bajrami, Pëllumb Gorica dhe Dan Ibrahimi. Bashkë me certifikatat e çmimeve letrare fituesit morën dhe librin “Folklor nga Mati” i studiuesit të mirënjohur, Dilaver Kurti. Po cilët janë fituesit e “Muzës Poetike Budiane”?

 

Xhevat Latifi është poet dhe gazetar shqiptar, autor i vëllimeve me poezi “Vdekja kushton shtrenjtë” dhe "Shi në flokun tënd". Është fitues i disa konkurseve letrare dhe shpërblyes i shumë çmimeve për poezinë më të mirë të lexuar.

 

Nikolla Spathari është poet, shkrimtar, publicist, autor i shumë botimeve, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave. Ka kumtuar në dhjetra sesione shkencore në Shqipëri, Kosovë dhe Amerikë. Për krijimtari cilsore në prozë e poezi ka fituar shumë çmime. Ramë Oraca, mësimdhënës në Podujevë, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, është autor i vëllime me poezi: “Teatri memec”, “Fat i paemër”, “Midis dy vdekjeve” dhe “Kënga e këputur”. Agim Bajrami, nga një familje çame e dëbuar nga vendlindja prej shovinistëve grekë, ka botuar librat poetikë “Romancat e muzgut”, “Arratisje pulbardhe”, “Mbrëmje të puthura”, “Kohë që s'dashuron”, “Ditaret e mjegullës”, “Ylberë pa lamtumirë”. Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në poezi. Pëllumb Gorica nga Elbasani, poet e prozator, autor i vëllimeve “Sulova e Poshtme në shekuj’’, “Dallëndyshet e erës”, “Fjalë muzash” përsiatje letrare dhe i dhjetra studimeve të trashëgimisë sonë historike, pa përmendur jo pak reportazheve, që përveç vlerave të veçanta social-historike, sjellin një imazh të ri publicistik midis poezisë e meditimit të hollë, jashtë klasicizmit e steriotipeve. Dan Ibrahimi nga Prishtina, ka botuar librat me poezi “Mirina”, “Përtej vetvetes”, “Këmisha pa numër”, “Fatthëna”. Është autor dhe i disa titujve nga publicistika historiografike.

 

Në emër të jurisë, poetja Lindita Doda bëri të ditur se juria ka vlerësuar poezitë pa i ditur fare autorët, por vetëm përmes kodeve. Ajo tha se në mesin e poezive të përzgjedhura ka vlera të vërteta artistike. Pas konkurimit të gjithë poetëve iu dha nga një certifikatë për pjesëmarrje në Festival dhe fletëpalosja e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” Mat.

 

Përmes këtij festivali të fjalës së shkruar, me vlera të mëdha kulturore, u arrit dhe një qëllim madhor: krijimi i urave të miqësisë mes poetëve të shumtë. Festivali poetik i 9 shtatorit pasuroi gjërësisht jetën artistike dhe kulturore të Matit. Veç mesazhit që poetët konkurues dhanë, ajo që morën ishte e madhe, e paharruar.

 

Poetit, gazetarit dhe publicistit Mujo Buçpapaj, autor i shumë librave, i botuar në disa gjuhë të huaja dhe i nderuar me çmime ndërkombëtare, themelues e drejtues i gazetës “Nacional”, promovues i poezisë me autorë të shumtë matjanë, iu dha mirënjohje nderi. Edhe poetit e prozatorit Namik Selmani, për kontributin e shquar letrar disavjeçarë në sherbim të pasqyrimit të vlerave kulturore e shpirtërore të trevës së Matit, që kanë arritur kulmin me botimin cilësor poetik të vëllimit “Gurra e Budit”, iu dha mirënjohje.

 

“Muza Poetike Budiane” u mbyll me sukses dhe me shpresë se viti që vjen do sjellë poetë të tjerë me krijimtari të vlefshme për poezinë mbarëshqiptare. Sikur nuk të bën zemra të ndahesh e t’u lësh shëndenë këtyre emrave të poezisë së magjishme të muzës poetike budiane. Megjithatë “fusha e kodrina, varg pyjesh bleroshë / zënë për dore, të ftojnë në valle / nëntoka e pashterur me krom të josh, / të shtrohen me zemër sofrat bujare…” (Kujtim Stana).

 

Mirupafshim në vitin 2018!

 

 

Burimi : Sheradin Berisha - http://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=6831

 

 

 

 

POEZITE FITUESE NGA “MUZA POETIKE BUDIANE”

 

 

-------------------------------------------------

URA PËR TE TI – XHAVIT LATIFI

-------------------------------------------------

 

M'duhesh si urë me lidh brigjet nyje,

me m'than’ me za lutes:

-Ma lsho pak dorën, ta përkdhel flokun!

E më pas, si lum me u gjarpnue

diku n'kodra jeshile me lisa,

drenushat e egra vellon e natës e bajnë flamur,

flamur të atyre betejave ku një i plagosur

lyp ujë me frymën e fundit.

Thu se me dashtë asht me u vetvra!

Çfarë kuptimi ka nata pa ty?

Si urë pa lum, si natë pa yje

si rosë shtegtare që ka humbë flotën

pa çerdhe, pa dashnor, pa miq.

Sall egërsira që presin me t'i lëshue dhëmbët në mish,

si gjuetar të dehur që gjuajnë përpjetë,

e duen me ba foto me prenë tuj qeshë

e me gisht me prek plagën!

M'duhesh me kalue nga bregu n'breg

me thy mitin e "Urës së Shenjtë",

se dashnia nuk mallkohet nga kalimtari rastit,

që rren se asht profet, për me gurzue nji grua

një grua gjibardhë që ka përdore një fëmijë.

M'duhesh si urë me pre nyjen e këtij miti,

kurban na duhet djersa, ofshama

një këmishë e bardhë dhe një e kuqe.

Euu bre! Ç'm’u deshte kaq shumë me i ra lumit n'kambë,

si trofta me pika t'kuqe

që thehet n'gurë me myshk,

a si shqiponjë që sheh nga larg urën e bërë pikë,

ku takohen si në pasqyrë natën hana

e ditën nji zanë me flokë t'shprishun.

E m'thotë u desha një trupi me ja dhanë frymën,

me ba urë dy shpinda, me ecë borë mbi borë

si cub i dashuruem që nuk mërdhin,

si mit i ramë në ujë nga një kaproll

që natën kalon lumin!

 

 

 

--------------------------------------------------------------

NJOFTIM VJESHTE – NIKOLLA SPATHARI

--------------------------------------------------------------

 

Në kopshtin

ku vera freskohej te hijet,

erdhi era duke zhurmuar nëpër qershi,

ca re të murme zbritën teposhtë horizontit

dhe shkundën një shi.

Në qelqin e ftohtë të dritares,

fluturoi një gjethe pjeshke,

duart e erës e ngjitën atje

si një shpallje vjeshte.

Unë u ngrita të lexoj njoftimin,

që më dërgonte stina e shirave,

mbi batërdinë e verdhë hodha një sy,

si mund të ndodhte

ajo zhveshje drurësh

edhe pa ty!?

 

 

 

-----------------------------------------------------------------------------------

ELEGJI E DËSHMITARIT NUMËR 101057 – RAME ORACA

-----------------------------------------------------------------------------------

 

S`di cilat fjalë t’i përzë nga e përditshmja,

për çka do më turbullohet lumi i kujtimeve

e askush s’tregon për shpikësin e ditës së madhe.

S’di kush ma shkurtoi hijen që s’po më flet as vetja,

edhe i pavdekshëm me u bë s`është kurrgjë e re,

të shpallin të humbur për emër t`një rruge qorre.

Nga maja e shpirtit e trembja qyqen tej kodrës së çame,

thuhet që atje ka dritë për të gjithë largpamësit,

që kanë mbërri para nesh t’i bien kambanës së heshtur.

As vetë nuk e di sa herë ia kam mbyllë sytë frikës,

para fjalëve që përmalleshin për një të nesërme,

të jetës zigzage që më doli jashtë përdorimi.

Si me çengel diçka përditë po më tërheq teposhtë,

më afron sa të flas me katragjyshin e mollës së kuqe,

ndoshta me frymën e tij gjallëroj diqysh deri nesër.

Jam lodhur duke tërhequr jetën zvarrë,

a ka ndokush t’më huazojë pak kohë të lirë,

sa të shpërngulem nga ky ajër i sëmurë.

S`kanë çka kërkojnë më sytë e miopëve në syrin tim,

s`ka më shenja të padukshme në kthesën e fatit paemër,

valon flamur i leckosur që askush nuk u betua mbi ‘të.

Le t’më gjykojnë sipas zakonit të memecëve,

le të turpërohen dhe engjëjt kush e mashtroi djallin,

e u përvodh me emrin e tjetrit kryevendi.

Gjuha m’u bëftë copë-copë n’i dhënça lak kësaj jete,

nuk jam nga të vdekurit që kthehen në bronz,

ndodh që zoti ma bëri me gisht që të dashuroj fjalën.

Le t’më vrasin e t’më qajnë në emër të humanizmit,

le ta heshtin dhe profetët ditëvdekjen time,

oh, veç le të shpërthejë drita në maje të atdheut!

 

 

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------

RIKTHIMI I ROSAVE MARSIAKE NË BRIGJET E ERZENIT – AGIM BAJRAMI

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------

 

Kaluan gjithë gaz mbi ne

dhe sytë e ajrit të habitur,

si ca reflekse ngjyrë argjend

që qielli i marsit shkund papritur.

Secila me pak diell mbi supe,

secila me pak rè mbi sqep,

dekor prej krahësh pupëlore,

që vetëm nur stinës i jep.

Poshtë tyre lumi rrjedh harbuar,

me valë të murme, shkurre plot

Itakë e tyre e preferuar

që s’e ndërrojnë me gjë në botë.

Prandaj s’e mbajnë dot fshehur gazin,

që mbush hapësirat anembanë,

ato veç krahët kanë prej ajri,

se ADN prej valësh kanë.

Ndonjë prej tyre braktis rreshtat,

dhe vjen të më kujtojë pa fjalë,

se gjithë fëmijëritë tona

nga krahët e tyre do kanë dalë.

Nga gjoksi i reve dalin befas

dhe hyjnë plot gaz mes heshtjes sonë,

autografe të argjendta

që marsi stinës i dhuron.

 

 

------------------------------------------

PRES… - PËLLUMB GORICA

------------------------------------------

 

Pres çdo pragmbrëmje psalmin e ditës

që nata të bëhet po aq e qartë,

Por një mospërfillje aq e pafajshme e dritës

më humb errësirës së pafat!

Kur zërat rënkojnë,

gëlltis çdo zhgënjim

e vishem tërësisht me të zeza,

muzgu mbetet gjysmë në perëndim

e unë vuaj për dy fjalë të thjeshta.

Jeta drithëruese më shkeli syrin

në nënqeshjen e dhimbjes përjetë,

jeta s’i dha shpirtit shkëlqimin,

më vrau dritën me të padrejtë!

Eh, e dua dritën për vete,

për Njerëzinë,

e dua dashurinë në qiellin e shkrirë,

e dua jetën e përfshirë në mua,

e dua dhe e mbaj ndër duar!

 

 

-----------------------------------------------------

NË KUVLI SYN’ I ZI – DAN IBRAHIMI

-----------------------------------------------------

 

Oi, oi, oi

i sollën ujë rreth kokës,

i sollën

... ia volën shpirtin,

Ia volën

ia bën "synet" gjuhën,

ia bënë,

hallvë i shpunë për drekë,

samun për darkë,

sapun për mëngjes,

i vunë ferexhe diellit,

i vunë

veç nata ia sheh sytë

veç nata!

Në ditën e fundit hyn nuse,

në netënetët e pafund bëhet puse

oi, oi, oi

në kuvli syn' i zi!