-----------------
Gjithmonë
-----------------
është gjithmonë një mbrëmje
ngjyer nga nata
por unë kërkoj të shoh gjëra
të përjetshme
të shëndritshme
të bukura
siç janë yjet dhe hëna...
kërkoj mes yjesh të gjej
gjininë time
dhe mbetem e shashtisur
kur shoh si ato ma bëjnë
mbrëmjen ndryshe...
në vazon mbi parvaz
vjen e ndalon gjithmonë një flutur
sa bëj që t’a përkëdhel
më ikën nga dora dhe merr arratinë...
gjithmonë pas mëngjesit vjen mesdita
dhe lulja ime mbi parvaz
pushtuar është në gonxhe
kundërmon një aromë malli
lënë nga flutura e natës...
gjithmonë...gjithmonë pas stuhisë
thonë moti qetëson
por zemra ime rreh panda
ç’mallkim të jesh poet!
ç’bekim fëmijë të kesh!
© Fato Male
-------------
Nëse...
-------------
ngadalë bie nata
dhe zhduk gjithë sa dita ka
përfshirë edhe fjalët...
në kopshtin tim s’ka ngjyra
lulet i strehoi në vellon e saj nata...
kështu në terr e heshtje rri
dhe pres...
mjerimi më ka mbetur...
të gjithë kanë ikur
disa i mori kurbeti
dhe ata që fort desha i joshi Zoti...
ndaj ti më ke mbetur
krijesa ime e bukur
që nëse ende se ke kuptuar
se ç’do të thotë të flesh si era
ç’do të thotë të pish ujë kaktusi
ç’do të thotë në ëndërr të rendësh
eja vër dorë mbi mua që jam e çmëndur...!
nëse ke vendosur të mos vish
mos më thuaj
kam kështjellat që vizaton nata...
dhe në mëngjes të ecurve ua njoh hapat...
© Fato Male
----------------------
Dashuria ime
----------------------
dashuria ime dhimbja e zemrës time
çdo mbrëmje në dritare më le puthjen
nën besën e hënës së madhe...
dhe ikën dhe vjen...
dhe vjen dhe ikën...
askush nuk të njeh
a s’më thua frikën ku e gjen?
kam frikë nga ti e dashur
se po të preka
në dorë do më shkrihesh si fjollë e bukur...
a të kujtohet se dikur me borën e madhështisë të krahasova?
dhe vetë kallkan u bëra
që veç nga dielli i dashurisë
mbi ty pikë-pikë të mund të ulesha...
dashuria ime lodhja e jetës time
që kurrë s’të pata pranë
por dhe larg kurrë jo...
tani kur shtrihem për të fjetur
lutem për një ëndërr
dhe kur nga ëndrra zgjohem
lutem për të fjetur...
© Fato Male
-------------------------
Ngadalë vdes...
-------------------------
ai që s’pyet për ç’ka s’di
por si derr fut nockën në llucin e tij
dhe nga balta s’gjen dot rehati...
ngadalë vdes ai që bie në prehër ëndrrash
dhe s’merr guximin të shijoj
ç’ka i ofron koha...
ngadalë vdes dhe ajo
që dashuria e ka hidhëruar
dhe s’kupton se prej saj
brinjët e shkepura ka fituar...
ngadalë vdes ai që fatin e vetë mallkon
dhe pret të ndodh mrekullia
me sytë nga qielli
deri sa mpihet i tëri...
ngadalë vdes ai që nuk e ka kuptuar
se në jetë dy gjysma nuk bëjnë një të plotë
si ç’nuk bëjnë në mjekësi
një dhe një dy kurrë...
kështu edhe unë
sa herë diçka shkruaj
pas çdo vargu ngadalë vdes...
© Fato Male
------------------------
Rrugë dashurie
------------------------
nuk qenka rrugë dashuria
por bashkim dhe ndarje
kështu që edhe ne nuk mundëm
të bëjmë ndryshe
por mallit i shtuam sipërfaqe...
zgjodhëm udhën më të shëmtuar
si zogj të trembur nga stuhia
që s’shohin për gjë tjetër
veç folenë e ngrohtë kërkojnë
dhe mendojnë se shpëtuan nga vetmia...
por s’qënka kështu në dashuri
ne shteg e bëmë
ku ecte vetëm njëri
dhe në fund të tij hapur
gremisja ose ferri...
vallë qemë kaq të paditur?
apo më shumë se ç’duhet egoizmi na kish mbytur
kështu pra dashuria
do shpirt
do përkushtim
do sakrificë
ndaj sot me dhimbje e pranoj
më mirë që shtegu mbaroi
se ecja më tej do qe zvarritje...
© Fato Male
-----------------------
Letër dashurie
-----------------------
një mbrëmje shtatori ti mu kujtove
ulur në parvaz të shpirtit tim
dhe me mua luaje si me një mace...
po ç’do që s’rri në hallet tuaja?
veten time pyeta
nuk është e thënë të jesh e zgjuar
dhe në jetë gjen shtigjet e duhura...
ndaj vazhdova ty të të ndiqja
si hidhje shikimet ledhatare
morra guximin e të dehurit
dhe të putha sy e faqe...
...dhe të lexova vargjet që për ty kam shkruar në dehje vetmie...
kam vite që s’të kam parë
kam vite që shkruaj për vete
por të jesh poete është dhimbje më vete...
© Fato Male
------------
Atëherë
------------
...ora bëhej ditë
dita javë dhe java vit...
kam dashur atëherë një djalë
me flokët e sytë pis të zinj
ai mes krahëve lutej për një puthje
unë përgjërohesha për fjalët
dalë nga goja e tij...
çdo gjë ish aq e bukur atëherë
sa sot më dhimbset t’a harroj
ngado aroma jote dhe sot më kundërmon...
unë dhe fati kishim udhë paralele
askund nuk puqeshim dot
ndaj mbasditeve ti shfryje
duke më thënë se
kurrë mos harro se të dua shumë...
por Zoti kompenson fatin me mprehtësinë
dhe zemrës gur i vura
ika vetëtimthi bashkë e ngujuar me vetminë...
tani që kam mësuar ç’qe fati
si bareshë tufën e mëdyshjeve s’ngas më
veç kam një dreq malli
që s’di ç’bëj kur jam vetëm me të...
nisem për tek ti
që ftuar nuk më ke
unë vjedhur kam diku një foto
ndaj zbres ngadalë majë gishtash
honeve të zemrës tënde
dhe gjej veten time
si pengun e një jete...
© Fato Male
© Fato Male
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania