“Muza Poetike Budiane 2020”– Poetë që u njohën dhe pa u parë



Nga Hamdi Hysuka*, Burrel – 20 shtator 2020

 

 

Këtë fillim muaji shtator 2020, edhe pse në kushte bllokimi pandemie, qyteti Burrel i Matit kishte arsye për t’u ndjerë i bukur, festiv e mikpritës. I takoi poezisë, muzës poetike budiane, kësaj bukurie të rrallë shpirtërore me moshë të re 5-vjeçare, të ftonte poete e poetë gjithkombëtarë në një festival poezie krejt ndryshe. Duke i bërë nderë mbretëreshës sonë të fjalës së bukur, ftesës iu përgjigjën 52 autorë, 20 prej të cilëve për herë të parë. Me krijimet e tyre konkuruan autorët nga Mati, Përmeti, Prishtina, Shkodra, Saranda, Drezdeni i Gjermanisë, Tetova, Selaniku, Prizreni, Elbasani, Tirana, Metvegja, Detroiti dhe Florida e SHBA-së, Malësia e Madhe, Istogu, Kurbini, Durrësi, Tropoja, Vlora, Fieri, Podujeva, Dibra, Gramshi, Klina, Malësia e Madhe, Tivari, Londra, Kavaja; Novara, Bergamo dhe Astí të Italisë, Elbasani, Kuçova...

 

 

Festivali u zhvillua në kushte të mospranisë shoqërore të konkuruesve dhe u transmetua live në portalin "mattv.al", në platformat "Mat Televizion", yotube dhe rrjetet sociale facebook dhe instagram. Për të gjithë, në këtë atmosferë poetike festive, u dha mesazhi kuptimplotë se si arti duhet të kërkojë rrugë e zgjidhje për t'i tejkaluar bllokazhet. Festivalit i parapriu botimi i vëllimit të parë "Stinë e blertë", me poezitë më të zgjedhura të katër festivaleve të mëparshëm.

 

***

 

Edhe ky festival gjithkombëtar, në kujdesin e kryetarit të Bashkisë Mat, z. Agron Malaj, ishte festë e fjalës së ëmbël budiane, sepse poezia e kultivuar e kombit tonë zanafillën e ka në Mat. Kjo ngjarje artistike nderoi poezinë shqipe, poetët, por dhe Klubin Letrar “Pjetër Budi”. Me fjalët e tyre dinjitoze përshëndetëse festivalin e pasuruan kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. Shyqri Galica, botuesi i gazetës “Nacional” z. Mujë Buçpapaj, prof. dr. Nikolla Spathari, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Durrësit, poeti shkodran Ramazan Çeka etj.

 

 

Vërtet arti dhe letërsia janë ura të padukshme miqësie, që lidhin popuj me njëri-tjetrin. Me drithërima shpirti, përmes videomontazheve, në ekranin e Mat Tv poetët derdhën frymëzimet e tyre. Me këtë formë festivali synuam të tërheqim vëmendjen e opinionit kulturor, duke qëndruar të bashkuar dhe të angazhuar për të mos lejuar një erozion të pritshëm intelektual, letraro-artistik, i cili do të nxirrte jashtë rrjedhave normale koherencën tonë kulturore, trashëgiminë dhe identitetin tonë, duke zbehur qëndrueshmërinë përballë këtyre realiteteve të reja.

 

 

***

 

 

Mati identifikohet me matjanë trima e të kulturës, por vitet e fundit, jashtë modestisë, dhe me Klubin Letrar "Pjetër Budi", i cili përmes aktiviteteve që zhvillon mban në nivelin e kohës kulturën, poezinë. Edhe pa u parë poetët e shumë trojeve shqiptare e të diasporës në Mat u bashkuan, mes të cilëve: Basir Bushkashi, Haqif Heta, Kujtim Mateli, Rudi Berisha, Ramazan Çeka, Farida Ramadani, Namik Selmani, Llesh Murrani, Hysen Grajçevci, Rushit Ismajli, Kasam Shaqirvela, Dhimitër Nica, Anila Mihali, Valentina Kurti, Tyran Prizren Spahiu, Ermal Lala, Greta Kadare, Irena Gorrica, Majlinda Shaqiri, Sami Milloshi, Nikolla Spathari, Maxhun Osmanaj, Fatbardha Behri (Kaçi), Liza Brozi, Vladimir Shyti, Xhiliola Lamaj, Marjeta Shatro Rrapaj, Gëzim Buna, Zyra Ahmetaj, Myrteza Mara, Fatmir R. Gjata, Ramë Oraca, Ilmi Dervishi, Ligor Shyti, Pozaet Qose, Agim Desku, Rita Shkurtaj, Gjokë Dabaj, Xhavit Gasa, Adivije Hoxha, Mevlud Buci, Albi Lushi, Riza Doda, Trandafile Molla (Baja), Valbona Kaimi, Shaban Pllana, Sami Velçani, Irma Kurti, Ferit Rama, Bajram Canameti, Mefa Plaku, Ramije Ukaj.

 

 

Sipas vlerësimit të poetes sonë Lindita Doda, të gjithë bashkë në këtë festival u vumë përballë një rendi dhe forme të re komunikimi intelektual e artistik, që arti mos ta humbte sensin kulturor të krijimit të vlerave kulturore dhe artistike, mos të humbnim shprehitë tona më fisnike. Por dhe në këto kushte të konsumojmë vlera shpirtërore, për t’i dhënë hapësirë krijimit dhe krijimtarisë, duke sofistikuar marrëdhëniet tona, për të ndërtuar e mbajtur në këmbë urat e komunikimit, njëkohësisht për të vlerësuar krijuesit dhe arritjet e tyre.

 

 

Në emër të jurisë kryetarja Lindita Doda falenderoi poetët që gjetën forcën krijuese për t’u bashkuar me artin dhe për ta sfiduar këtë betejë të pashembullt. Sipas saj, ky ishte çmimi më i madh që të gjithë poetët fituan, pa përjashtim. Ndërsa vleresimi ishte specifik për të respektuar, krahas vlerave artistike, gjithëpërfshirjen, si vlerë tonën themelore identitare e kombëtare. U bënë vlerësime të poezive, jo të leximeve të poetëve. Juria i vlerësoi ato pa ditur emër autori dhe autoreje. Çmimet letrare për poezinë më të mirë në Festivalin e Pestë Virtual Gjithkombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane” Mat, janë:

 

 

Çmimi I: poezia “Bota rrotullohet rreth boshtit të thyer”, e poetes Farida Ramadani, Shkodër.

 

Çmimi II: poezia “Shoh të ardhmen” e poetit Albi Lushi, Kavajë. Çmimi II: poezia “Buqeta me tinguj” e poetit Namik Selmani, Çamëri.

 

Çmimi III: poezia “Diçka tek unë nuk vdes kurrë e poetit Hysen Grajçevci, Prishtinë. Çmimi III: poezia “Mbreti i shahut” e poetit Myrteza Mara, Vlorë. Çmimi III: poezia “Shpirtvrarë e zemërplasur”, e poetit Riza Doda, Mat.

 

Ndërsa me Çmimin e karrierës, “Për krijimtari të suksesshme ndër vite me nivel të lartë artistik e mesazhe filozofike për të sotmen e të ardhmen”, u vlerësua poeti Basir Bushkashi, Mat dhe poeti Mevlud Buci, Dibër.

 

 

Poetëve fitues u urojmë suksese, me dëshirën që krijimtaria e tyre në të ardhshmen ta pasurojë edhe më shumë panteonin e kësaj poezie, veçanërisht të shenjtëruar midis poezive të të gjithë kombeve që na rrethojnë.

 

 

-Vitin tjetër, -u shpreh studiuesi dhe shkrimtari Gjokë Dabaj, -urojmë mos të ketë "pandemi" e të mblidhemi fizikisht, të gjithë bashkë, në Matin tonë të mirë e të bukur, për ta mbajtur gjallë e për ta rritur edhe më shumë frymën budiane të kujdesit ndaj fjalës dhe gjuhës shqipe, së cilës as sot rreziqet nuk i janë larguar.

 

 

***

 

 

Ishte kënaqësi konkurimi në këtë ngjarje kulturore të mirëorganizuar si rrallë ndonjëherë në hapësirat shqiptare. Këngëtarja Feride Kurti, Mjeshtri i Madh Ymer Nelaj, solisti Shkëlqim Farrici dhe instrumentisti Ikli Punavija e madhështuan mbrëmjen poetike, duke i dhënë shijen e bukur të traditës sonë popullore, me këngët dhe meloditë e përzgjedhura burimore nga treva e Matit.

 

 

Shumë prej poetëve e dinë si festohet poezia në vendin e origjinës, në qytetin e paharruar të muzës budiane. Por mbresat që morën ishin të mëdha, të paharruara. Në këtë mbrëmje të çmuar virtuale të gjithë ndjemë kënaqësi, miqësi, vlerësim, dinjitet, ndjenjë që shoqëroi secilin, me premtimin për t’u kthyer përsëri.

 

 

*kryetar i Klubit të Shkrimtarëve

dhe Artistëve “Pjetër Budi”, Mat.

 

 

© Hamdi Hysuka

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania

 

 

 

--------------------------------------------------------------------------------

BOTA RROTULLOHET RRETH BOSHTIT TË THYER

--------------------------------------------------------------------------------

 

Njerëz që lindin nga dhimbjet në shiun e paturpërisë,

në një botë të kollarisun me hije mizore,

si kërminj pa brirë në stinën me dy téhe,

fantazma moderne që dalin si kërpudha.

 

Aty ku artistët janë viktimë e përdhunimit të vetvetes,

e paçelura shfleton lashtësinë e dëshirave të ngordhuna,

kalaja e dekadave mërdhin nga “frutat e papjekuna”,

nga njerëz që shpikin kohët dhe bëhen perëndi.

 

Shqyejnë gurmazin dhe e fshijnë

me shamitë e fletëve jetësore,

e përsëri ditët rrëshqasin skutave,

toka vjedh zjarret e na thith ndershmërisht.

 

Bota kokëulur rrotullohet me boshtin e thyer,

s’pranon stolitë e fytyrës si flijim kortezhi,

e mësuar tashmë nga erërat e shurdhuara,

duke pritur që boshti të thehet, se nuk ndreçet má...

© Farida Ramadani

 

 

----------------------------------

SHOH TE ARDHMEN

----------------------------------

 

E kam parë të ardhmen e të gjithëve

në sytë dhe mendjet e tyre,

të elefantëve, majmunëve dhe minjve

në skalionin dhe gjenezën "profetike",

të futur në këllëfet e skllavërisë,

të zhytur në epshet e përbindshme të incestit,

tulatur me hipokrizi, servilizëm, përulje

përçmim, nënshtrim, robërim, skllavërim.

 

E kam parë të ardhmen e secilit prej jush,

dhe ligësi më të ligë nuk kam parë,

në burgun e lirive të shfrenuara

shoh vrasjet dhe vetvrasjet,

kafazin e praruar të lirisë së kombeve

e shoh të rrënuar,

bashkë me familjen, rracën dhe fenë

e shoh të ardhmen tonë të marrë peng.

 

Shoh piramida të vogla që bëjnë një të madhe,

dhe faraonin pa vese, krijuar nga vesi

shoh kujën e nënave që qajnë fëmijët,

ende të palindur.

© Albi Lushi

 

 

----------------------------------

BUQETA ME TINGUJ

----------------------------------

 

Për ty mbase dhe pas reve një piano do ta gjeja,

mbase një kitarë-relike që do i fshija pak pluhur,

e kur ta merrja këngën, për besë, do trembej rrufeja

mbase do më vinte në supe një pëllumb e një flutur.

 

Mbase do ta gjeja një violinë në Titanikun thellë oqeanit,

t’i bija për të zgjuar brenda teje tango e valse,

oo, nuk e dua parajsën apo stërkalat e shatërvanit

kur tingujt do të shpërndahen në qiellin e zemrës si petale.

 

Mbase do gjeja një fyell të lashtë në sepetin e gjyshit,

kur i binte ai, lulet në livadhe çelnin para kohe

ah, të të sillja shpirtin e bardhë si qumështi

e të ngopesha pa fund në fjalët e tua ëmbëltore!

 

Veç nuk dua të vrapoj kurrë në dyqane qeraje,

ku jepen makina, fustane balloje e nusërie

buqeta ime dua të të ndrijë dhe në errësirë nate,

të bëhet si simfoni në ato duar me aromë shenjtërie!

© Namik Selmani

 

 

-------------------------------------------------------

DIÇKA TEK UNË NUK VDES KURRË!

-------------------------------------------------------

 

Relievit të gjeografisë

zbres koordinatave,

brymën ua fshij stinëve,

kalendarëve numëroj

kthesa e mbresa,

në strehë prej guri gjej

edhe fjalë, edhe mall!

 

Shkrepave ua ndiej

frymëmarrjen,

ua njoh brumin, palcën,

tik-takun ndjek,

që, damarëve të mi

pulson me të njëjtin ritëm,

me të njëjtën rrjedhë!

 

Dhe, rrjedh kohë Shqipërie

gjymtyrëve të atdheut,

fjala testament në gurë,

majave e nesërmja gëlon

por, diçka tek unë

nuk do të vdesë kurrë!

© Hysen Grajçevski

 

 

-------------------------------

MBRETI I SHAHUT

-------------------------------

 

Rri e meditoj mbi magjinë e trurit,

të njeriut të mençëm nga Persia,

fushën e shahut ku vihen gurët,

gurët që ndeshen njëlloj si ushtria.

 

Ushtarët e vegjël kokërrumbullakë,

holluar qafa nga rripi i helmetës,

janë gati të hidhen e digjen në flakë

sapo dëgjojnë zërin e trompetës.

 

Mbreti hijerëndë, në krah të mbretëreshës

rrethuar nga oficerë e kuaj me shalë,

sundon me vrojtim fushën e betejës,

lëshohet klithma: Përpara ushtarë!

 

Ushtarët qëllojnë e vrasin njeri-tjetrin,

në ndihmë u vijnë kuaj e oficerë,

plumbat e tyre s’arrijnë dot mbretin,

strehuar në rrokadën beton-bunker.

 

Sherrin e luftës e paguajnë me kokë,

deri dhe mbretëresha me kurorë,

mbretërit, sado që ndezin një botë

as maj’e gishtit s’ju preket me dorë.

 

Eh, mbretër hijerëndë, ju mbretër

në fushat e shahut gjemb s’keni marrë,

njeriu duhet të shpik një lojë tjetër,

që mbretër të tillë t’i varë në litarë.

© Myrteza Mara

 

 

----------------------------------------------

NË STACIONIN E NJË POETI

----------------------------------------------

 

Ti je një femër romantike,

që rron në ëndrrat e një qyteti,

po ç’vlerë kanë ëndrrat e tua

kur s’je në vargjet e një poeti?!

 

Ty të pëlqen të udhëtosh,

të shkosh nga një stacion te tjetri,

po s’ke kurajon të ndalosh

të gjesh stacionin e një poeti.

 

Sa shumë të pëlqen natyra,

dhe dashurinë ke në shpirt,

po çelsi i zemrës së një poeti,

nuk gjendet dot po s’pati flirt.

 

Në daç të jesh e dashuruar,

përjetësisht si dallgë deti,

qëndro gjithmonë në udhëtm,

nëpër stacionet e një poeti.

© Ligor Shyti

 

 

--------------------------------------------------

SHPIRTVRARË E ZEMËRPLASUR

--------------------------------------------------

 

Sa herë kthehem në atdhe,

e shaj veten pse kam ikur,

qaj te vendi ku jam lé,

flas me kullën e mërzitur.

 

Për çdo gjë më ka marrë malli,

i puth dhe gurët një nga një,

keq më keq më dridhet zëri,

për çdo cep e për çdo gjë.

 

E shoh kullën krejt të mplakur,

i ka rënë dhe çatia,

muret myshku ia ka lagur,

mu në derë ka mbirë lajthia.

 

Shoh oborrin mbush me ferra,

edhe rrugën e kanë ngushtuar,

kur s’ka njerëz e s’hapet dera,

gjithçka duket e mbaruar.

 

Unë dikur në kët’ oborr

prisja dimrin e prisja verën,

mu në qoshe, në një stol

eh, sa herë kam prit pranverën.

 

Aty ngjit është ara e madhe,

ku mbi misër fërshëllente era,

e harruar.... pa livadhe,

cep më cep e ka zënë ferra.

 

Kërkoj pusin ku unë pija

ujë të ftohtë si borë mali,

po ka humbur dhe kusija,

grykën ia ka zënë bari.

 

Hedh vështrimin nga zabeli,

më shumë shkurre se sa lisa,

dhimbja brenda tek unë ngeli,

i brengosur prapë u nisa.

 

Çdo gjë duket e tersëlluar,

fort murmëron vendlindja e dashur,

e ka me mua që jam larguar,

shpirtvrarë e zemërplasur.

© Riza Doda

 

 

--------------------

ASNJËHERË

--------------------

 

Asnjëherë s'jam ndjerë i lumtur,
i lumtur krejt, se jam poet.

E lumturia poetët i vret,
siç thoshte Balzaku, shkrimtari mbret...

E asnjëherë, zemra më thotë
s'do të ndjej pranverë,
pranverë të plotë...

Kur fati i njeriut si gjethe në erë,
ndër pranga babëzie, leckë pa vlerë...

© Basir Bushkashi

 

 

----------------

I DEHUR

----------------

 

Sot jam dehur, por, jo me uiski

i rashë pash më pash qytetit,

dhe sytë m'u turbulluan

te një shpinë e bardhë e zbuluar gruaje

që e piva me eks...

 

Këmbët nuk po më mbanin,

por i thirra mendjes...

 

Mendja më tradhëtoi,

më tha ta pija edhe një herë atë shpinë të bardhë,

por sytë nuk m'u bindën,

ajo u zhduk, a ndoshta qe andërr...

 

Pastaj heshta përballë një fakiri

që e kish zënë gjumi në stolin e parkut

me një krëhër blu në dorë...

 

Piva edhe aty një shishe me dhimbje,

se ika pa i krehur flokët e mi me krëhërin blu të tij,

nuk mund t'ia prishja gjumin...

 

Balancën e humba,

për pak u shemba përdhé,

po të mos kisha pirë pak ujë

në të njejtën gotë ku një qen lëpinte

gllënkat e fundit, nën kujdesin e të zonjës...

 

Ashtu i dehur hodha në letër

vijat e një peme me rrënjë në qiell,

dhe, si i marrë prej dehjes

me këmbët që më dridheshin,

i hipa trenit të kthehesha askund...

 

Sot jam dehur, por, jo me uiski...

© Sami Milloshi

 

 

---------------------------

JETË SOVRANE

---------------------------

 

S’do të desha

të kisha lindur në një pallat mbretëror,

më mirë që u linda atje ku u linda

dhe pashë si skuqet te degët një mollë.

 

S’kam mall se nënën s’e kisha mbretëreshë,

në thjeshtësinë e saj aq shumë e desha!

 

Po t’i kishin vënë asaj një kurorë,

do të kishte çmendur dhjetra mbretëresha,

s’do doja që babanë ta kisha pasur mbret,

se vëllezërit princër mund të më bënin pritë,

në një ballo mbretërore të më hidhnin ca helm,

a në shtratin princëror të më jepnin një thikë...

 

Më mirë që u rrita në një shoqëri trëndafilash,

me fluturime dallëndyshesh

e zukatje bletësh te zgjoi.

 

Një jetë kaq sovrane s’e bëjnë dot mbretërit,

dhe unë s’do desha jetë, që dikush tjetër jetoi.

© Nikolla Spathari

 

 

--------------------------------

NJË IKJE SI E JOTJA

--------------------------------

 

Të mirit poet, Dritëro Agolli

 

Ikja jote nuk i falet humbjes,

shiu prapë do të të kthejë këtu,

si një puthje që i jepet lules,

për të çelur, si qenë sytë e tu.

 

Ikja jote s’shkon dot te harresa,

udhën ngatërron nëpër hutim.

prapë një rreze dielli, që puth vesa

do të jetë si fjalë me përgjërim.

 

Ikja jote… Ç’them dhe unë i marri,

ardhje buzagazi është ajo,

kur njeriu, flakëz shtegtari

kokën kthen e veten sheh në kohë.

© Pozaet Qose

 

 

------------------------------------------------

MË VIJNË RRESHT PARA SYVE

------------------------------------------------

 

Mbi çdo shkëmb të rrokullisur, mbi çdo shpat, mbi çdo gur

më fanepsen luftëtarët, me një shtizë edhe flamur

e vërtiten buzë një lumi, hidhen rëndshëm tej matanë

më vijnë rresht përpara syve, porsi xhindër ca matjanë.

 

E më thonë të zemëruar, ngriji kryet se na vranë

shko e merr një armë krahu, shko e vish një xhamadan

ikim bashkë nga majë e malit edhe zbresim drejt në fushë,

te kështjellë e Skënderbeut, në Varosh e në Stelushë.

 

Se në tokën tonë të vjetër, jemi mbretër vënë në radhë

gjersa shkëmb i madhërishëm, të jetë kthyer Gur i Bardhë

tej më shfaqen ca pasqyra, mes luginës së pa matë

janë liqenj me ujë prej bjeshke, tutje shkon dhe lum i gjatë.

 

Shtrydhin zanat ca gërsheta, larë me lot prej perëndie

këtej po munden ca kreshnikë, edhe shlodhen nënë hije

e po zihen për një vashëz, kush të jetë më trim ta marrë

tutje larg Ajkunë e plakur, çjerr fytyrën mbi një varr.

 

Dhe ca trima po këndojnë, për dëshmorë me çifteli

si e vranë pashanë e vjetër, drejt në ballë me një allti

në mes syve mos të shihte, qiell të pastër plot me erë

sepse lindëm edhe vdesim, edhe nuk e shesim nderë.

© Fatmir R. Gjata

 

 

--------------------

TREGOMË

--------------------

 

Tregomë baba historinë e jetës,

për të cilën ti më ke folur pak,

dhe ke heshtur shumë, që mua

bijën tënde, mos t’më trishtoje

pafund, mos më lije pagjumë.

 

Tregomë ti historinë e trishtë,

të atij fëmije këmbëzbathur

e jetim, të zhytur në mjerim

shpirti i pikonte mijëra lot,

ndiqte me ngulm dashurinë.

 

E kërkove diellin në një ditë

të vrenjtur dhe me ngjyrë gri,

në kurthet që gjeje në rrugë,

e kërkove mirësinë edhe te

njerëzit meskinë e pa shpirt.

 

Tregomë baba historinë tënde,

si e gjete vallë buzëqeshjen,

në ç’rrugicë njohe ndjenjën,

sot që kaq të brishtë të shoh,

por mbi të gjitha kaq të fortë!

 

Në duar i marr rrudhat e tua,

i deshifroj, është udhëtimi

i vështirë me emrin “jetë”,

dhe ne të dy kemi ndaluar

në një puthje dhe përqafim,

këtu, te një stacion anonim.

© Irma Kurti

 

 

---------------------------------

MALLI I BRIGJEVE

---------------------------------

 

Dal brigjeve të Floridës shpeshherë,

dallgët e oqeanit jehojnë,

mos janë valët e Adriatikut tim,

apo puhizat e Matit që më kërkojnë?

 

Brigjet e mia, ku jeni

brigjet e mallit tim që digjet...

 

Oqean, ti që lag brigjet e Floridës

lag dhe brigjet e mallit tim!

© Gëzim Buna