L’Echo de Paris (1916) / Intervista me Esat Pashën në lidhje me situatën në Turqi dhe Shqipëri


Esat Pasha (Le Petit Journal, 29 tetor 1916, f.5) - Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Esat Pasha (Le Petit Journal, 29 tetor 1916, f.5) - Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Shkurt 2020

 

“L’Echo de Paris” ka botuar, të dielën e 10 shtatorit 1916, në ballinë, intervistën e saj me Esat Pashë Toptanin, në lidhje me situatën politike asokohe në Turqi dhe Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Esat Pasha

Çfarë mendon për turqit e rinj dhe udhëheqësit e tyre. – Situata në Shqipëri

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Esat Pasha sapo ka mbërritur në Selanik, ku do të udhëheqë trupat shqiptare që zbarkuan javën e kaluar.

 

Shef i një prej klaneve më të fuqishme në vendin e tij, ai është një lloj feudali me ushtarë, i cili ushtron mbi rajone të gjera autoritetin e tij të padiskutueshëm. Ky njeri, i aftë dhe energjik, ka luajtur vitet e fundit një rol që është shumë i njohur për publikun dhe që është e nevojshme të flasim për karrierën e tij. Mjafton të themi që nga fillimi i armiqësive, ai ka mbështetur anën e aleatëve, të cilëve u ka dhënë shërbime shumë të vlerësuara.

 

Kur ai u nis për në front, unë munda të bisedoja me kreun e qeverisë shqiptare. Senati shqiptar e zgjodhi atë kryetar të qeverisë më 6 tetor 1915. Me trup mesatar, i shkathët dhe i fortë, Esat Pasha jep një përshtypje force dhe sigurie të qetë. Fytyra e tij esmere, me tipare të rregullta, gjallërohet nga dy sytë e qeshur, kur ai flet për episode të caktuara të ekzistencës së tij, një flakë me reflektime të zjarrta. Një njeri aksioni mbi të gjitha, i shkathët, ambicioz, ai gjithmonë e ka treguar veten të mirë me miqtë e tij dhe të pamëshirshëm ndaj armiqve të tij.

 

Natyrshëm, ne i flasim për Turqinë dhe turqit e rinj, të cilët e dënuan me vdekje disa vite më parë. Ai flet për ta me një largpamësi të përsosur :

 

— Ata janë, për pjesën më të madhe, më tha ai, njerëz interesi, pa ideal patriotik.

 

— Çfarë mendoni për fuqinë e tyre të rezistencës ?

 

— Unë nuk mendoj se ata mund të ofrojnë një rezistencë shumë serioze.

 

— Sa burra mund të ketë ushtria turke ?

 

— 800.000 burra afërsisht, me rezervat. Esat Pasha më pyet se çfarë përshtypjesh mora nga udhëtimi im në Kostandinopojë, dhe, meqë kemi njohur të njëjtët politikanë atje, biseda fillon për këtë temë. Enver pasha, Halil beu, Talaati, Mithat Shukri beu, Karaso efendiu, personazhe të këtij romani të jashtëzakonshëm që kanë përshkruar Turqit e Rinj dhe të cilët, të nisur në gjak, pa dyshim që do të përfundojnë ashtu, kalojnë me radhë para nesh.

 

— Karaso efendiu, më thotë Esati, është një lloj “kukulle”. Në kohën time, ai luante kryesisht rolin e spiunit të “Komitetit” për të cilin vazhdimisht ankohej me qëllim provokimin (zbulimin) e fshehtësive. Disa kohë pas hyrjes në luftë të Turqisë, ai vuri gjithçka në lojë për të tërhequr Italinë në folenë e grenzave; por qasjet e tij ndaj Ministrit të Italisë, me të cilin ishte takuar në lozha, qenë të kota. Sa i përket Halilit, tani Ministër i Punëve të Jashtme, ai është ndoshta njeriu i vetëm në “Komitet” që është i sinqertë; por ai nuk shkëlqen me inteligjencën e tij.

 

— Po Enveri ?

 

— Enver Pasha është diktatori i vërtetë i Turqisë. Padyshim që Talaati ushtron një ndikim të madh në fatet e vendit të tij, por, thelbësisht, duhet që në fund të fundit t’u referohet vendimeve të Enverit; ky i fundit nuk i mungon një lloj vlere, por, u nënshtrua ndaj Gjermanisë dhe humbi të gjithë pavarësinë e gjykimit; ai ecën verbërisht.

 

— A besoni se një ndryshim politik, në rrethanat aktuale, është i mundur në Kostandinopojë ?

 

— Pse jo? Gjithçka është e mundur në atë vend. Një revolucion mund të shpërthejë papritmas dhe të vë gjithçka në diskutim.

 

— A keni pasur mundësinë të hyni në kontakt me ish-sulltanin Abdyl-Hamid ?

 

— Po, dhe në rrethana mjaft origjinale, pasi unë isha përgjegjësi që e njoftova për shkarkimin e tij ! Unë isha pjesë e një delegacioni të përbërë nga disa politikanë, përfshirë Karaso efendiun. Ky delegacion kryesohej nga Ministri i atëhershëm Detar, por ky i fundit, i frikësuar, u tërhoq para se të mbërrinte në pallat; të tjerë e imituan atë dhe, më në fund, mbetën vetëm tre nga ne kur arritëm para sulltanit.

 

— Abdyl-Hamidi, pra, ngjallte, pavarësisht situatës së tij, ndjenja frike ?

 

— Ish-sulltani është një njeri i shquar, thotë Esat Pasha, me një ton të bindur; ai nuk është vetëm inteligjent, por edhe shumë i guximshëm. Gjithçka që është thënë për mënyrën se si ai na priti është thjesht një legjendë. Ai na dëgjoi pa u nervozuar, me një mënyrë shumë dinjitoze.

 

E pyes Esat Pashën në lidhje me situatën shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për lajmet që qarkullojnë për një kryengritje të përgjithshme të popullatës kundër austriakëve.

 

— Është e vështirë të kontrollosh këto informacione, më thotë ai, por e gjithë kjo mund të jetë e saktë, veçanërisht nëse austriakët kanë keqtrajtuar popullsinë.

 

— Çfarë mendoni për operacionet ushtarake që synojnë hyrjen në Serbi përmes Shqipërisë ? A do të ishte i realizueshëm ky plan ? A nuk do ta pengonte natyra e terrenit ?

 

— Mendimi im është që operacioni për të cilin po flisni nuk është i zbatueshëm dhe mund të ndërmerret në kohën e duhur; terreni nuk e kundërshton aspak atë...

 

C. IBANEZ DE IBERO

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/l-echo-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://americaneye.al/intervista-e-esat-pashes-per-gazeten-franceze-ne-lidhje-me-situaten-ne-shqiperi-dhe-turqi/

 

https://shqiptarja.com/lajm/intervista-ne-1916-cfare-thoshte-esat-pasha-per-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi

 

https://www.balkanweb.com/lecho-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/

 

https://opinion.al/1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/

 

https://tirananews.al/lecho-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/

 

http://www.standard.al/2020/02/26/lecho-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/

 

https://njekomb.org/lecho-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/

 

https://www.botasot.info/historia-lajme/1242820/lecho-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/

 

https://alpenews.al/lecho-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/

 

https://medial.mk/lecho-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/

 

https://dosja.al/esat-pasha-interviste/

 

https://vloranews.al/kulture/lecho-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/

 

https://perqasje.com/2020/02/lecho-de-paris-1916-intervista-me-esat-pashen-ne-lidhje-me-situaten-ne-turqi-dhe-shqiperi/