Il Popolo Romano (1919) / “Besa” stërgjyshërore e popullit të Matit – Kuvendi solemn në kullat e Zogollëve dhe apeli ndaj Fuqive të Mëdha kundër pushtuesit serb


Ahmet Zogu – Burimi : Royal Court Of the Albanians – Oborri Mbretëror i Shqiptarëve
Ahmet Zogu – Burimi : Royal Court Of the Albanians – Oborri Mbretëror i Shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Shkurt 2023

 

“Il Popolo Romano” ka botuar, të premten e 16 majit 1919, në ballinë, një shkrim rreth kuvendit solemn matjan të mbajtur asokohe në kullat e Zogollëve dhe apelit drejtuar prej tij Fuqive të Mëdha kundër pushtuesit serb, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Nga Shqipëria

“Besa” e popullit të Matit – Simpatitë për Italinë – Një britmë kundër serbëve

 

Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë
Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë

Nga Mati (Shqipëri) – Paria dhe popullsia e Matit, të mbledhur në pallatin (kullat) e Zogollit në një kuvend mbresëlënës, dhanë “besën” e tyre sipas zakonit të vendit, dhe njëzëri janë betuar se do të jenë të bashkuar për të mbështetur të gjitha ato sakrifica që do të kërkojë liria e vendit. “Besa” u shkrua dhe u firmos nga përfaqësuesit e popullit.

 

Nënprefekti Sadik Gostivari lexoi në mënyrë patriotike nenet që përmban “besa”, më pas foli gjerësisht, duke përshkruar një tablo të jetës politike shqiptare dhe duke ilustruar miqësinë besnike të Italisë për vendin tonë.

 

Pas tij, fjalën e mori majori kav. Renzetti, i cili dëshiroi të transmetojë përshëndetjen e popullit italian. Në emër të familjes Zogolli dhe të popullatës u përgjigj Haki Stermilli, i cili përfundoi së foluri me duartrokitjet e ngrohta të të pranishmëve dhe thirrjet e përsëritura “Besa!... Besa!...Rroftë Shqipëria!... Rroftë Italia!...”

 

Zëri entuziast dhe solemn i popullit u bënte jehonë krismave të pushkëve që gjuajtën ushtarët italianë në shenjë gëzimi dhe vëllazërimi.

 

Përfaqësimi i oficerëve italianë, kapiten Martini, kapiten Ferret, kapiten Cocivera, toger Marsala dhe toger Del Vecchio, të karabinierëve, përshëndetën popullin dhe u pritën me britma që shprehnin miqësi dhe simpati.

 

Në mbrëmje familja Zogolli, e cila me dashamirësi kishte dhuruar sallat e pallatit të tyre për mitingun patriotik, shtroi një banket për nder të përfaqësimit të ushtrisë italiane dhe të nesërmen ofruan një tjetër, përsëri si dëshmi e asaj miqësie të sinqertë dhe e palëkundur që mbretëron mes shqiptarëve dhe italianëve. Në këtë banket të dytë, nënprefekti dhe një orator tjetër morën fjalën, duke uruar Shqipërinë dhe Italinë.

 

Popullsinë e Matit, siç e tregon qartë edhe kronika e ngjarjeve, e ka kapluar një dëshirë e një qëllim i vetëm : të jetojë a të vdesë për atdheun shqiptar dhe në mitingun solemn të mbajtur pikërisht tani, deshën të shprehin simpatinë e tyre për Italinë, një mikeshë e sinqertë dhe mbrojtëse e sigurt e Shqipërisë.

 

*** 

Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë
Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë

Në mitingun për të cilin ju raportova lajmin, këtë axhendë votoi njëzëri edhe popullsia e gjithë rrethit të Matit, të cilën ua dërgoi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha Aleate :

 

E gjithë popullsia e rrethit të Matit, e mbledhur në kuvend solemn, sjell në dijeni të qeverive aleate dhe të asociuara dhe të gjithë botës së qytetëruar, veprën e neveritshme, masakrat barbare, rrënimet dhe zjarret që serbët po bëjnë vazhdimisht në tokën shqiptare dhe që vazhdojnë dita-ditës duke marrë përmasa gjithnjë e më alarmante, sepse jeta, pasuria dhe liria e të gjithëve shqiptarëve janë në rrezik.

 

Serbia, me qëllimin për të nëpërkëmbur “besën” rreth së cilës janë tubuar të gjithë shqiptarët për lirinë e atdheut dhe me synimin për të prishur paqen që mbretëron në Shqipëri, shkeli kufijtë shqiptarë të vendosur nga Konferenca e Londrës dhe shkoi deri në grykat e Matit, duke shkaktuar dëme, rrënoja dhe masakra të tmerrshme, vetëm sepse shqiptarët duan të jetojnë të lirë dhe janë në gjendje të bëjnë që bota të dëgjojë jehonën e patriotizmit të tyre.

 

Popullsia e Matit, e mbledhur në kuvend solemn, proteston me indinjatë kundër kësaj vepre barbare dhe çnjerëzore të serbëve dhe me besim i drejtohet Fuqive të Mëdha, që duke u interesuar për gjendjen kritike të popullatave shqiptare, duan të urdhërojnë Serbinë të lirojë territoret e Shqipërisë, përndryshe shqiptarët e rrethit të Matit, të grumbulluar rreth “besës” stërgjyshërore, do të detyrohen të rrokin armët kundër serbëve. Këtë e deklarojnë sepse duan që tani të heqin dorë nga çdo përgjegjësi për pasojat e kësaj lufte të re, të cilën populli i Shqipërisë nuk e ka kërkuar.

 

Axhenda e deritanishme e popullit shqiptar të Matit, e votuar unanimisht, i është dërguar të gjitha qeverive të Fuqive të Mëdha. Nuk do ta komentoj gjatë, sepse është mjaft shpjeguese dhe të gjithë mund ta shohin seriozitetin e situatës, e cila, për më tepër, është e përshkruar mjaft qartë. Pra, çfarë po pritet që t’u imponohet serbëve respekti për jetën, pronën dhe të drejtat e të tjerëve? Situata është mjaft e tensionuar në Shqipëri dhe mund të shpërthejë në çdo moment. Ballkani mund të rrëmbejë sërish armët. Fajin e kanë serbët.

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/il-popolo-romano-1919-besa-stergjysherore-e-popullit-te-matit-kuvendi-solemn-ne-kullat-e-zogolleve-dhe-apeli-ndaj-fuqive-te-medha-kunder-pushtuesit-serb/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë
Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë
Koha, e mërkurë, 15 mars 2023, f.13
Koha, e mërkurë, 15 mars 2023, f.13