UNË JAM shiu


Magritte
Magritte

 

© Erina Çoku

 

------------------------------------

Kur në mendime bie shi

------------------------------------

 

Na ishte njëherë një e diel...

e unë me mendime nëpër shi

ulesha këmbëkryq në strehën e kohës së palëvizshme

që më ushqente me dëshira të brishta

e me hijëzime të papërcaktuara ndjesish

 

Na ishte njëherë shiu...

që u bë pasqyrë mendimesh

E lagte dëshirimet

sa herë udha e së panjohurës së madhe

kalonte tërthor stinës së ujit dashuror

dhe e shtynte larg

kthjellimin e lëmuar.

 

Na ishte njëherë ti…

Që me gishtërinj vjeshte

Numëroje buzëqeshjet e padukshme

E ushqeje me to motet tona vetmitare

në turbullirën më të bukur që njoh

E që na grish të soditemi

 

Na ishte njëherë unë…

Që me drithërime të amshuara

Kundroja në heshtje pasqyrimin tënd

në ujësinë e shpirtit tim

dhe thurja gjethime për të të mos pasur larg

as edhe njëherë…

 

A mbërrin regëtima në ndijimin tënd

Teksa përsiatjet e tua

bëhen të miat pëshpëritje?

 

Na ishte njëherë ne…

që i kryqëzonim mendimet

në hapësira të trishta dëshirimi

për t’u dashur më fort

përtej dashurisë.

 

19 / 03 / 2012

 

 

----------

Zverk

----------

 

Shi në qafë,

goja, ngrehinë e heshtjes,

kapërdim i prerë me thika idhtimi.

 

Qafë në shi,

do ikje e do ardhje

kryq me këpucët e shtrira në prag.

 

Shiu e qafa,

pa mbuloja, pa tesha,

në mëshirë të vështrimeve.

 

22 / 01 / 2013

 

 

--------------------------------------

Hapat e shiut në kraharor

--------------------------------------

 

Hapat e shiut maten me heshtjen

si të qenë do sumbulla të përveçme

që mbushin hapësirën.

 

Këtu je, po ende nuk ke ardhë

rrekjet e përsiatjeve të tua

të gjata, të lëshuara pa ndihmë,

bien, hollohen për mbërritje,

zgjaten gjer në breroren e qenies sime,

ndalen, e mandej ndalen edhe më shumë,

gjersa prej tyre më pritet lëkura  si me thikë...

 

Bie heshtja mbi nënkresë

e i shtrin shiu krahët e gjatë

gjer në rrënjë të mendimeve.

 

Ma shtrëngo kohën me duart gjithë vetëdije...

ajo, aq gjerë përqark nuk duhet të më rrijë

se mandej filloj rrotullohem si fugë,

e mas me pëllëmbë

udhën mes gjallimit dhe hiçit,

rrugëzat mes qiellit e boshit,

frymën mes meje e teje.

 

Hapat e shiut në trup të heshtjes,

të vetmet në shpinë të natës

rënkojnë nën zë, krahaqafë me errësirën.

 

08 / 03 / 2013

 

 

----------------------

Shiu nuk vjen

----------------------

 

Hëna ia zbarkoi dëshpërimin reve

e i mbylli përfytyrimet një copë herë.

Rri tash!

 

Udhëve të ngushta, drejtpesha vdiq,

heshtja na i mëkon plagët

se pështyma nuk ka më fyt. Etu!

 

Terri e ngushëllimi bërë një

falë atij bulkthi të dhembshur

orëve të kraharorit, çarë në thelb.

 

Mos e prit shiun, jo,

nuk do të vijë për do kohë!

Vështrimet ranë, pluhur.

 

Të vërtetat e thata mpiksin.

Rrjedhat e shpirtit kënduan e u shterën

pa i dëgjuar kush, as edhe njëherë.

 

19 / 08 / 2013

 

 

----------------------

Heshtja mund!

----------------------

 

Qafës së reve

teposhtë lëshohet shiu

shtrëngatë platitur n’rrëke.

 

E ty...

 

Ty,

në kraharor t’mblidhen këngët e fjalëve

si frymë e ngrohtë mbi qelq.

 

Rrjedha të bëhet limfë, a mund?

 

Tingujve,

varë në krahë të pemës,

veç mëshira e erës u gjen prehje.

 

Në mund...

 

Si mot prej malit,

malit ku lindin kumtimet e ujit,

heshtja ta foli shpirtin, pa u ngut.

 

Se mund.

 

21 / 11 / 2013

 

 

--------

Shiu

--------

 

Un jam shiu!

 

E baj udhn e gjat prej toke n’qiell

tuj m’ngroh kadal ‘i lamsh i largët ndjesish

e tan ajo largsi midis fytit e vështrimit

asht avulli si del n’mu.

 

Moti u ka ra pemve

si dor e mardhun n’qaf t’ ngroht,

ato veten lajn n’mshir t’vransins

e n’vesh u bie dielli si blatim n’dhimb.

 

Perfunen nan uj e andrrojn,

ndijojn diçka t’kthjellt,

tuj fol me vedi n’ gjuhen time

si nuk ngjan me asgja.

 

Un jam shiu, fluturimi si del prej dheu,

rrzimi i madh i pamatsis

n’shpinn t’ tana stinve.

Prej goje m’del tingull pakuptim.

 

T’u ushqye diçka t’errt larg,

ninzave t’thella e t’ shkëlqyeshme

t’ua nginj t’tana rranjt e pshtjellës si nuk maron

e tuj u ba limf për damart e holl der n’ sup...

 

Oj pemë si m’majte n’trup t’dëshirës tane!

E m’mbane ajër për me m’pa tuj ik nalt

dalë prej ahtit tan ma t’pastër e ma t’përkorë.

Unë jam shiu!

 

Plasem përdhe e bahem rrjedhë

bahem ngushllim

tuj knue maj çadrash rrëfejën e ramjes time

prej ku syni mrrin veç me lutje.

 

Tuj u rrëshqit lmut ftyrës ndokujt,

qafës s’pambrojtun lan but n'at prekje,

bie kadal prej resh, zdrisem tuj pëshpërit,

jam uji yt, uji yt jam tash.

 

Pikëllohem prej nalt, plasem me rrokullimë

varem nji strehe e bie mbi kryet tan t’zbulu

t’nalem n’zverk e klith si ujë

para se t’piklohem dheut ene i’ her.

 

Un jam shiu, un jam shiu!

 

05 / 05 / 2014

 

 

---------------------

Gradë celcius

---------------------

 

“Toka është planeti yt”, thonë,

por unë vetëm koleksionoj kopsa

e ata që flasin

i shoh gjatë, ngultas,

pa u përgjigjur.

 

Më mirë sajoj në kryet e mi të padukshëm

një violinë dredharake

a një violonçel hijerëndë,

e hesht.

 

Vera qelbet në limontinë e të gjithëve.

 

Qenie të vogla brenda flluskave të tyre,

rënë në kllapi qysh në lindje,

nuk dinë as të trishtohen, as të përçarten,

rëra përtace në breg, mjafton për ta.

 

Zëtha të tharë lajmërojnë

se moti do jetë pështymë që nuk gëlltitet.

 

Punë e madhe!

Do bjerë shiu, kur t’i mbushet mendja

e do u rrëshqasë trupit njerëzve,

të vërtetat e tyre do shpëlahen

e lakuriq krejt do mbeten.

Këpucët do u mbushen me ujë

e do i marrë malli për

zhegun që hiqet zvarrë.

 

Pastaj do përmallen prapë,

për çadra që thyhen pak para furtune,

krrak! (si zemrat e brishta),

për flokët e qullura.

 

E kështu me radhë...

 

Fundja, gallata e hyjnisë jemi

një sajesë me dhé, ujë e frymë,

(kjo e fundit qe e shenjtë thonë).

Nuk na rri mirë ndryshimi i motit,

as shpirti me trupin,

as të tjerët me veten,

as vetja me të tjerët,

as e njohura, as e panjohura.

 

“Sa rrobaqepës i pazoti, Zoti”,

do nënqeshte ndonjë i pazot...

 

(Të mos flas për brinjën!)

 

Nuk ka gjë më të përkohshme se njerëzit,

por ata bëjnë sikur nuk e dinë

e me sjelljen e tyre të përjetshme

ia këputën kurrizin e barkun bashkë,

planetit të sheshtë që e rrumbullakosën faktet.

 

Lidhur me pe mbas saj hënës i plasi shpirti,

ditë e natë nuk shkulet prej qiellit të korrikut,

ua nxori kokërdhokët e syrit krijesave

(sikur të shfanitej që aty, nuk do qe keq).

 

Horizonti u lodh, besoj,

u bë shkarravinë, të shkulem gazit

(nuk ka horizont, këputja gjumit!).

 

Vranët nuk do bëjë një copë herë

(kthjellët jo se jo),

e kurrkush nuk do mësojë

sa plot, sa kot a sa çfarëdoqoftë

është tjetri.

 

(Labirintet janë modë e shkuar, po hë!)

 

Moti, në mos mirë, nuk do jetë keq,

do e durojmë,

e do u ngjajmë stinëve që duam më fort.

 

“Toka është planeti yt”, thonë,

por unë vetëm koleksionoj kopsa

e ata që flasin

i shoh gjatë, ngultas,

pa u përgjigjur.

 

Pastaj pi një gotë ujë,

i lë temperaturat të ndodhin,

njerëzit pa planete, njerëzit me planete

planetet pa njerëz, planetet me njerëz.

 

...dhe pi një gotë ujë tjetër.

 

29 / 07 / 2015

 

 

----------------------

Thuaja çadrës

----------------------

 

 “A vidhet dhimbja?” më pyet.

 

Pyetje që zgjatet e zgjatet

si një fije elastike e tendosur

gati për t’u këputur.

 

Dita shpërbëhet në teka shiu

dhe udhëve flasin vetëm çadrat.

 

Çadrat dinë për supet e bjerra,

histori të lagështa

që ua mardhin kryet njerëzve

sa herë u tuten rrëfenjës së ujit.

 

Pellgjet janë përbindësha qesharakë

të interpretueshëm disi,

në mot vjeshte,

por nuk pasqyrojnë ikona të plota.

 

A nuk është i frikshëm një kraharor

që as dhimbjen nuk e ka më?

 

Bosh,

zgavër,

gjendje ishullore e vjedhur

me tregues një hon.

 

Hon?

Hidhu, të gjesh përgjigje,

në zgavrën e madhe që sajuan gërryerjet,

në formën e koracuar gjatë rrokullisjes.

 

Shkruaj në lëkurë

për gjërat që pëlqen më shumë

e pastaj bekoje tabelën e shumëzimit

me zero.

 

Lëkurën e ha koha, e kockën e bren mendimi.

 

Përderisa njerëzit bëjnë siç kanë bërë

dhe sillen sikur asgjë nuk u ther në brinjë.

e kotë është lehtësia e ajrit.

(Të mos e shtjelloj më tej

atë rrëfenjën e rëndesës

që më shumë se çdokujt

i del në ëndërr Dedalit të mjerë.)

 

Po ka kohë, ka kohë

gjersa të mësojmë brishtësinë e dyllit

që na qesh mbi shpinë të gjithëve (një për një)

si humbës patetikë që jemi.

Bjerrja e do një emër çfarëdo,

(më mirë do qe zeher të hidhur).

 

Të mendojnë në krye

dhimbjet e vjedhura,

të falura, të humbura, të ruajtura?

 

Brenda një rrethi

era luan me kafkat e rënduara

një lojë të vockël e-ka-kush-e-ka.

Fenerët e varin pasditen e një verande

në qoshen e kafenesë së trishtë,

për ty që ke kohë të kuptosh

epërsinë e pamohueshme të JO-së,

(është lloj mbijetese, mos e diskuto!).

 

Thuaj jo,

vetëm jo,

ji kundër,

vetëm kundër.

 

Pse-të e djegura

dalin nga kutitë e kujtesës.

(Se mos plasin në duar

e gjendja e lëngët ngjitëse

rrjedh ndër gishtërinj!)

Qymyr i panevojshëm.

 

Nën hije qeniet

heshtjen e kaurdisin

me yndyrë fjalësh.

Ena e trishtimit e di

(edhe ti e di)

(unë dihet që e di)

nesër ajo do të jetë,

veçse gjella e harruar

mbi pllakë të ftohtë.

 

U vodh, s’u vodh dhimbja,

merre gardhin e brinjëve

me atë gropën e thellë në të majtë

e dil matanë.

Mos harro çadrën !

 

08/ 10 / 2015

 

 

-------------------------

Të pëlqen shiu?

-------------------------

 

Të pëlqen shiu?

Trup i ujit që lakohet e rrëshqet,

qafës së butë të ndërtesave.

Gjethe që e merr era përdore

e ia dorëzon dheut në udhën mbrame.

Goja që këndon nën zë

e gjuhën e njerëzve nuk di.

Veshi që meson alfabetin e heshtjes

pa ndarë të  kuqtë prej dritares së përhime.

Kënga e zbritur prej Zotave

në tokën e vranët.

Hyjnia e strukur në krye njeriu

e randë, e bukur disi.

Dora që platitet mbi zverk pa të thënë

e urtohet matanë mendimeve.

Të pëlqen shiu? 

 

23 / 11 / 2015

 

 

----------------------

Arratia e shiut

----------------------

 

Mos thuaj se në zemrën tënde

ka mbërritur shiu,

unë jam syri

me njëmijë sy të strukur në ninëz

dhe asgjë nuk lexoj më mirë

se harkun e puthitur të qerpikëve

që lajmon pragun që nuk shkelet.

 

Udha e shiut është e mysët për t’u kapërcyer

dhe shtroja jote e dheut e lugët për ta mirëpritur.

 

Mos thuaj se e ke parë

ardhjen e shiut,

ti vetë ishe gjetiu,

kur këngët e tua të pamjafta

i ngjanin gjysmëhënës me ëndrra uji.

 

Vetëm unë ia di kacavjerrjet e plagta,

dhe vetëdijen me hojëza të avullta.

 

Mos fol për shiun që nuk bie,

por mbahet resh

me njëqind arrati të mbledhura në shpirt.

Pikëlimi i tij,  ndodh një masë jete

larg vetëdijes së krijesave pa ndryshore.

 

Zotat e mjegullt do ta rrokullisin prej horizontit,

por gjuhën e tij prapë nuk do ta mësojë kush.

 

Mos e kujto shiun

që në rrëfenja të ujshme

e mbajnë mend

vetëm kraharorët me brinjë të çoroditura.

 

Ai bie tjetërkund, vetmor e i përkohshëm,

me një ujanë të pandishme në zemër.

 

29/ 02 / 2016

 

 

------------------------

Përsiatje shiu I

------------------------

 

Edhe unë i kam kënduar shiut plot herë.

dhe pa dashje e shndërrova

në mendim të tërthortë për dashurinë

dhe ca lloj penjëzash të tilla jete

që nuk ua gjej shkakun, më së shumti.

Tani nuk këndoj.

 

16 / 03 / 2016

 

 

-------------------------

Përsiatje shiu II

-------------------------

 

E ndodhur, e pandodhur,

që ndodhi, që mund të ndodhë, që për pak do të ndodhë...

nuk i shpëton dot përfytyrimit,

shiu pushoi,

avujt e butë shumë afër dheut

u mbuluan bashkë me të.

 

Shiut i qahet e i vajtohet

ai askënd fundja nuk ka vrarë, gjer më sot,

si puna e dashurisë,

dikush i qan me një këngë të zbërdhulët,

dikush i qesh me ninulla të freskëta,

gjersa e zë gjumi e ajo ikën majë gishtash.

 

16 / 03 / 2016

 

 

--------------------------

Përsiatje shiu III

--------------------------

 

Ka njerëz që shiun e kuptojnë

si një shqisë të gjashtë që u ka humbur

dhe presin një ndërhyrje hyjnore

për ta bërë të vetin.

 

Megjithatë shiu këndon në krye

e përmend e të vjen,

fillon e ëmbëlsohesh,

qetësia të ushton si jehonë 

si dikush që prej kohësh deshëm të fliste.

 

16 / 03 / 2016

 

 

--------------------------

Përsiatje shiu IV

--------------------------

 

Shi bie,

thonë, por nuk e shoh,

qepallat janë të lagura

e kurba e tyre nuk mban pikë uji.

 

Nuk të vjen në vesh zhurma që bën kur bie?

Eh, mua nuk më ikën prej kafke ka kohë...

Atëherë?

Nuk më lejon as të dëgjoj dhe as të shoh

jashtë, përtej, diku...

 

Ia di notat përmendësh, edhe pa ja dëgjuar melodinë.

 

Si the ?

Të këndon shiu në kokë edhe ty?

Tani edhe ti je si unë

Të pëlqen që je si unë?

Të pëlqen që je unë?

Apo trembesh e të vjen të çash lëkurën

e ta bjerrësh ngjashmërinë?

 

16 / 03 / 2016

 

 

-------------------------

Përsiatje shiu V

-------------------------

 

Shi,

disa i ndien e mbi supe butë u ulet,

disa dot nuk i lag e tutje u shket i pandishëm,

shi, nuk e di, shi,

jam ngërthyer në një bunker.

 

Nuk e di si një bunker është,

por padija nuk më pengon t’i kuptoj muret përqark.

 

16 / 03 / 2016

 

 

--------------------------

Përsiatje shiu VI

--------------------------

 

Petkave të etjes

qëndisen fjalët e shiut

e koha mbi to ngadalë

rrëshqet si uji për të gjallët.

 

24 / 03 / 2016

 

 

--------------

Pse shiu

--------------

 

Dheut të shkrifët që gjuhën s’ta njeh,

për kë ke rënë krahëmbledhur?

Tingulli yt në shpinë të qelqeve

çfarë lutje thotë, kur prej teje shkëputet?

 

Drejt e në puls të dorës

mbërrin një luhatje e brishtë.

Pse je kaq i bukur, pse?

sikur me duart e mia të të kem latuar?

 

Gishtat e mi hollohen e zgjaten

ngjyhen në shqisë, po kohën s’e tjerrin

dhe motit vetmak të furkës në syth

ftohtë vazhdon të jetë.

 

Rruga gjysmë dhe hëna gjysmë

trupi gjysmë, gjysmë shikimi

siluetat gjysmë, gjysmë zajet e lumit,

i plotë veç shiu, shiu veç.

 

Prej qielli në tokë, gjysmat ai lan

e një rreth e mbyll,

kur fatet udhës parake i fshin

si shtrigë e mirë pa kësulë ëndrrash.

 

Hija ime hollohet e zgjatet

e lëkura tkurret sa i ngushton mendimet

që ngjeshur brenda njëri-tjetrit në pikla uji

hanë formën e përmbajtjen mbjellin.

 

Ndijimet lëshohen pa rend, po butë

e lundrimeve nuk u thërrasin,

vetëm shiu rrotullohet

e krejt lehtë në mish të njeriut shket.

 

Aty ia flet të gjitha, të gjitha ato

që tjetërkush m’ia folë s’mbërriti...

Po njeriu, si njeriu:

as diti, as di, pse bie shiu.

 

16 / 05/ 2016

 

 

-------------------------

Në emër të shiut

-------------------------

 

Shiu bie,

jashtë çative e zemrave të tjera

dhe këngët i çel toka si bimë

me ëndrra pa sytha

që platiten butë

gati m’e ndërmjetë gjithësinë

me ikje të pakohshme.

 

Shiu bie,

të sheh në sy,

por ti soditjen e bart

me kokën mënjanë

dhe ndien

qysh të rrëshqet si rërë

në lëkurën e brishtë

me një bukuri të ndryshueshme

si hapësirë pa lëndë.

 

Shiu bie,

ti je ndalesë e kohës

në një mot tjetër,

mot që nuk ngjallet i gjithi

po nuk e thirre fort në emër

e po nuk e besove

të ndarë prej gjithsej,

të shkrirë në gjithsej,

gati m’u shpërthy’

e me qenë shndërrimi yt.

 

Shiu bie,

këndohet në zhguall

me histori gjeometrike,

shkruhet në vijën e gjurmës

që asgjë s’thotë,

përderisa askush ta pyesë s’diti,

e kësisoj,

rrjedhat e mbufatura me ujë,

i marrin tej përgjigjet

rrjedhat humbëse që vrapojnë

thellukave  të errëta.

 

Shiu bie,

nuk zbut asgjë,

zjarret  shtrojnë të tjera udhë,

lart e lart,

në gjuhën tjetër

që uji nuk e njohu dot

e ajri veç sa e mori në krahë

m’e davaritë.

 

Po, pra, shiu bie,

dëgjon?

Pikë më pikë

i patrajtë,

si lënda që mbahet

në mish e eshtra

pa pyetur për trastat e vogla

me hojëza që bjerrin dritë.

 

Shiu bie,

dhe zërin tim të përhumbur

e mbledh kërrusje-kërrusje

për basen heshtane,

e mandej,

shqisat m’i shqit

udhëtim drejt lëndës,

ose jo.

 

E është veçse shi,

e jam veçse unë,

e veçse në thelb ai bie

e veçse, e veçse.

 

12 / 06/ 2016

 

 

----------------------------

Përsiatje shiu VII

----------------------------

 

Tash si t’gjith flen

m’pelqen zani yt o shi,

zani yt i permallum per diçka

vjen t’u u rrit

si shkallt e zemrs kur e pushtojn ndjesit

ngjoj, tek lshohesh i lir mbi çatin e panjoftun

e knon n’kryt e njerzve pa u duk

t’gjith flen, flen t’fjetmit e dheut, flen,

veç un m’brinj, sy-myll, sy-hap’

pruj andrra gjithkah

s’flej, po bahem grumull

them: jo nuk â rrebesh,

â frym e knume e blatimit t’dheut

â kang, ja marr vesh t’tan tingujt,

tash si t’gjith flen

kam heshtjen ma t’bukur per ty shi

kno e m’thuj, m’thuj e kno

jam tu t’ndi.

 

13 / 06 / 2016

 

 

-----------------------------

Përsiatje shiu VIII

-----------------------------

 

Dashni e madhe â shiu

i thirrun e i lumnum

maj mali t’vrant,

tuj u avit e ndin,

i flet e vjen

mas zanit tand.

Dashni e madhe â shiu

frymum e ngallitun n’re

e shef e thrret

t’ndin e pik n’qaf t’ bje.

 

25 / 07 / 2016

 

 

--------------------------

Përsiatje shiu IX

--------------------------

 

Dheut të shkrifët që gjuhën s’ta njeh,

për kë ke rënë krahëmbledhur?

Tingulli yt në shpinë të qelqeve

çfarë lutje thotë, kur prej teje shkëputet?

 

Drejt e në puls të dorës

mbërrin një luhatje e brishtë.

Pse je kaq i bukur, pse?

sikur me duart e mia të të kem latuar?

 

Gishtat e mi hollohen e zgjaten

ngjyhen në shqisë, po kohën s’e tjerrin

dhe motit vetmak të furkës në syth

ftohtë vazhdon të jetë.

 

Rruga gjysmë dhe hëna gjysmë

trupi gjysmë, gjysmë shikimi

siluetat gjysmë, gjysmë zajet e lumit,

i plotë veç shiu, shiu veç.

 

Prej qielli në tokë, gjysmat ai lan

e një rreth e mbyll,

kur fatet udhës parake i fshin

si shtrigë e mirë pa kësulë ëndrrash.

 

Hija ime hollohet e zgjatet

e lëkura tkurret sa i ngushton mendimet

që ngjeshur brenda njëri-tjetrit në pikla uji

hanë formën e përmbajtjen mbjellin.

 

Ndijimet lëshohen pa rend, po butë

e lundrimeve nuk u thërrasin,

vetëm shiu rrotullohet

e krejt lehtë në mish të njeriut shket.

 

Aty ia flet të gjitha, të gjitha ato

që tjetërkush m’ia folë s’mbërriti...

Po njeriu, si njeriu:

as diti, as di, pse bie shiu.

  

27 / 07 / 2016

 

 

© Erina Çoku 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania