Nga Esat Ruka – Tetor 2025
Libri është një udhëtim i gjatë e i thellë, ku kujtimet personale, përvojat artistike dhe reflektimet kulturore ndërthuren me historinë e shoqërisë sonë. Ky botim nuk është vetëm një rrëfim individual, por një dëshmi e një epoke dhe e një brezi, që e jetoi artin jo thjesht si profesion, por si mënyrë të të qenit.
Qëllimi im nuk është të numëroj vitet, as të rendis ngjarjet njëra pas tjetrës, por të ndaj me lexuesin atë çfarë më mësoi arti gjatë këtij rrugëtimi : se kënga është frymëmarrje, qëndresë, kujtesë dhe shpresë ; se kultura është shkallari mbi të cilin ngjitemi të gjithë, për të mos rënë në harresë.
Ky libër voluminoz, i ilustruar me aspekte marrdhëniesh skenike, dokumenta e referenca të shumta, me emra të shquar bashkpunëtorësh : krijues, drejtues e producentë, i shtrirë në 12 Kapituj, ndërtohet mbi katër shtylla kryesore :
Biografia – historia e një familjeje, e një qyteti, e një tradite që më dha bazën për t’u rritur me këngën në buzë dhe librin në dorë, rrethanat kulturore që më ushqyen shpirtin dhe hapat e parë në skenë.
Studimi – ku libri përfshin analiza dhe reflektime mbi procesin krijues, mbi rolin e këngës dhe të artit në jetën shoqërore, mbi kontrastet e kohëve dhe mbi marrëdhënien e artistit me institucionet dhe publikun.
Bashkëbisedimet – si dëshmi të drejtpërdrejta të një kohe, të vizioneve dhe mendimeve që shoqëruan zhvillimin kulturor, për ta parë artin nga këndvështrime të ndryshme.
Krijimtaria – në rreth 60 këngë e melodi të notizuara dhe interpretuara, me shpjegime mbi shtysat që i lindën, temat guximtare dhe risitë që ato sollën në skenë.
Këto katër shtylla janë themelet mbi të cilat ngrihet vetë jeta ime artistike.
Arti si mission :
Kam qenë dhe mbetem një kantautor – një njeri që jo vetëm këndon, … por një shpirt që nuk pushoi së besuari në fuqinë e artit. Për mua, kënga nuk ka qenë vetëm një tingull i thjeshtë ; ajo ka qenë mision, një flamur i vogël lirie në periudha të vështira, një kujtesë e rrënjëve tona, një shpresë për të ardhmen.
Ky libër është edhe një mirënjohje për të gjithë ata që më kanë ndjekur, më kanë duartrokitur, më kanë mbështetur dhe më kanë dhënë forcën për të mos u ndalur.
Dimensioni kombëtar :
Përtej përvojës sime personale, ky libër është edhe një dëshmi për kontributin e Matit – një hapësirë që ka dhënë kaq shumë në fushën e folklorit, të këngës dhe të valles. Nga ky vend, shpesh quajtur “periferi”, kanë lindur burime të pashtershme energjie krijuese, që e kanë ushqyer kulturën kombëtare.
Mirënjohje dhe mesazh :
Në këtë rrugëtim nuk kam qenë kurrë vetëm. Më kanë shoqëruar bashkëpunëtorë të vyer, kolegë të nderuar, miq të dashur dhe artdashës të panumërt. Për ta është edhe ky libër – një falënderim i përjetshëm, një gjurmë e shkruar që të mos humbasë në kohë.
Por mbi të gjitha, ky botim është për ju – lexuesit, dëgjuesit, spektatorët një ftesë për të parë pas në këtë udhëtim dhe për të gjetur aty jo vetëm historinë time, por edhe copëza të historisë suaj. Sepse arti, në fund të fundit, nuk është i një individi të vetëm – ai është një pasuri e përbashkët, një shkallare ku ngjitemi të gjithë bashkë.
Ky libër ka një natyrë analitiko-refleksive. Ai shpalos zhvillimet e krijimtarisë muzikore dhe të interpretimit, dinamikën e organizimit të institucioneve kulturore, përvojat e drejtimit, si dhe marrëdhëniet shpesh komplekse mes artit dhe politikës. Kështu, libri mendoj se bëhet një burim i vlefshëm për të kuptuar rrjedhat e kulturës sonë në gjysmën e dytë të shekullit XX e në fillim të shekullit XXI.
Ky libër dëshiroj të mbetet një përpjekje për të treguar se arti është gjithmonë rruga më e sigurt drejt shpirtit të njeriut dhe se kultura është trashëgimia më e çmuar që mund t’u lëmë brezave që vijnë.
Në këtë kuptim, libri mund të shërbejë si material studimor për studiuesit e muzikës, për etnologët, për studentët e arteve dhe për çdo artdashës që kërkon ta kuptojë më thellë lidhjen mes artit dhe identitetit kombëtar.
I mbetet lexuesit të gjykojë se sa kjo përvojë personale, e shtrirë në kohë e hapësirë, përfaqëson një vlerë të shtuar për trashëgiminë kulturore dhe për vetëdijen artistike shqiptare.
© Esat Ruka
Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania
