“Mjeshtri i eshtrave metalike”– Libri i ri i Lindita Dodës kushtuar babait të saj Zenel Lika



Nga Mat Televizion, Burrel – 13 shtator 2025

 

Një libër që jo thjesht lexohet, por jetohet: - Kjo është monografia “Mjeshtri i eshtrave metalike” që sapo ka dalë nga shtypi, e shkrimtares së njohur matjane Lindita Doda.

 

Ky botim është një përkushtim i thellë për babain e saj të ndjerë, Zenel Lika, por edhe për gjithë fisin Lika, duke sjellë në vëmendje figurën e një mjeshtri të thjeshtë që e ngriti punën dhe ndershmërinë në filozofi jete.

 

Redaktori i librit, Hamdi Hysuka, e vendos Zenel Likën përkrah figurave të mëdha të kulturës së punës matjane. “Ai ishte një rrënjë e padukshme e shoqërisë,” shprehet Hysuka. Ndërsa dëshmitë e dhjetra inxhinierëve, juristëve, specialistëve, administratorëve në këtë libër – nuk flasin vetëm për aftësitë profesionale të Zenel Likës, por mbi të gjitha për integritetin dhe për forcën e karakterit të tij. Zeneli nuk kërkoi lavdi, por nder; nuk donte të dukesh, por të ishte – dhe ky është thelbi i çdo faqeje të këtij libri.

 

Zenel Lika, i lindur në Rremull të Matit, nisi punën në moshën 16-vjeçare në hidrocentralin e Ulzës dhe më pas shërbeu 38 vite në sektorin shtetëror. Ai ndërtoi ura, hidrocentrale, furra metalurgjike deri te minare xhamish, duke lënë pas një trashëgimi të padukshme në vepra publike. Edhe pse nuk ishte figurë politike apo akademike, ai u bë sinonim i mjeshtërisë dhe ndershmërisë.

 

Lexuesi mëson se heroi i monografisë “Mjeshtri i eshtrave metalike”, Zenel Lika përjetoi një jetë të vështirë por dinjitoze. Edhe pse u sulmua politikisht për shkak të martesës me të bijën e “armikut të klasës”, ai kurrë nuk e braktisi familjen apo integritetin, duke e bërë punën “armën e vetme për të mbijetuar”. Siç thotë bashkëshortja e tij Shadija: “Ai s’kuptoi kurrë ku ishte kufiri i ditës me natën”.

Autorja Lindita Doda ndërthur në këtë libër me fragmente biografike, me poezi dhe refleksione filozofike e dëshmi autentike, duke krijuar një mozaik ku “hekuri merr jetë, dora bëhet simbol”. Me këtë strukturë të veçantë të rrëfimit realo-artistik, Doda krijon një portret që shkon përtej biografisë, duke e kthyer jetën e babait të saj Zenelit, në mësim për brezat.

 

Në faqet e kësaj monografie, lexuesi gjen një mesazh të qartë: madhështia qëndron tek thjeshtësia. Zenel Lika nuk la pasuri materiale, por la tetë fëmijë të arsimuar, një emër të pastër dhe një shembull që frymëzon. Për Lindita Dodën, kjo është trashëgimia më e madhe që mund të lërë një njeri.

 

Libri përbën nga ana tjetër edhe një homazh për ata që “ndërtuan me dorë të fortë e shpirt ndër dhëmbë”, por mbetën jashtë librave të historisë. “Mos e lini falënderimin për nesër,” kujton autorja, duke e kthyer kujtimin për të atin në një thirrje universale për respekt ndaj punëtorëve të heshtur.

 

Libri “Mjeshtri i eshtrave metalike” nuk është vetëm një botim letrar. Është një kujtim i gjallë, një frymë që vazhdon, një dëshmi se puna dhe ndershmëria janë vlera që nuk vdesin.

 

 

Burimi i informacionit : https://mattv.al/mjeshtri-i-eshtrave-metalike-libri-i-ri-i-lindita-dodes-kushtuar-babait-te-saj-zenel-lika/