Nga Hasan Pasha, Burrel – 10 shtator 2025
Mëhill Elezi lindi më 29 shtator 1940 në Bri-Hot të rrethit Matit, në një familje me tradita të thella patriotike. Rrënjët e tij të forta familjare dhe fryma atdhetare me të cilën u rrit, do ta udhëhiqnin gjatë gjithë jetës së tij si një figurë e rëndësishme në fushën e arsimit dhe historisë shqiptare.
Mësimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa në vitin 1957 përfundoi shkollën Pedagogjike në Tiranë. U angazhua menjëherë në mësuesi, duke kontribuar në shkollat fillore të Bërshit dhe Suçit të Matit, gjatë viteve 1957-1959. Rruga e tij akademike vazhdoi me përkushtim: në vitin 1962 përfundoi Fakultetin e Bio-Kimisë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, ndërsa më pas, në vitin 1970, diplomohet edhe në Fakultetin e Filologjisë, dega Histori-Gjeografi pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, me korrespondencë.
Gjatë periudhës 1962-1976, Mëhill Elezi kontribuoi në mënyrë të gjithanshme në sistemin arsimor të rrethit të Matit. Fillimisht si mësues në shkollën e mesme të Burrelit, më pas si inspektor dhe drejtues në Seksionin e Arsimit, si dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Rinisë së rrethit. Më tej, ai shërbeu si specialist për arsim, kulturë dhe shkencë në Komitetin e Partisë së rrethit Mat. Në vitin 1970 ndoqi një kurs të lartë për filozofi dhe, në vitet 1972-1973, iu propozuan pozita si pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe si punonjës në sektorin e diplomacisë, por u refuzua për arsye biografike.
Në vitin 1976, përpjekjet për të ndalur rrugën e tij profesionale kulmuan me kërkesën për përjashtimin e tij nga partia. Në qershor të atij viti, si shenjë proteste ndaj burokracisë dhe padrejtësive të kohës, ai dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat që mbante. Më pas u emërua drejtor në gjimnazin e Klosit, por më 3 shtator 1976, pas një lodhjeje të madhe nervore, pësoi një insult cerebral, pasojë e presioneve të rënda psikologjike që përjetoi, si shumë figura të tjera të inteligjencës shqiptare në atë periudhë të errët.
Falë vullnetit të pathyeshëm dhe dinjitetit personal, në vitin 1978 rifilloi punën si historian pranë Muzeut Historik të Qytetit të Burrelit, ku shërbeu deri në vitin 1996. Kjo periudhë u shqua nga një aktivitet i dendur studimor, ku rezultatet e punës së tij u kurorëzuan me botimin e një sërë librash në vitet që pasuan. Gjatë kësaj kohe, Elezi u vlerësua me titujt “Muzeolog i kategorisë së parë” dhe “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor i Akademisë së Shkencave”.
Ndër vite, ai ka qenë një zë i rëndësishëm në organizatat historike të vendit. Nga viti 1986 deri në vitin 1996 ka qenë kryetar i Shoqatës së Historianëve të Rrethit Mat dhe, në maj të vitit 1993, ishte ndër 100 anëtarët themelues të Lidhjes së Historianëve të mbarë Kombit Shqiptar. Gjatë viteve 1992-1993 shërbeu si këshilltar i deputetëve të Matit dhe në maj të vitit 1990, në një konsultë të mbajtur në Burrel nga KQPPSH, ai ishte ndër të parët që kërkuan vendosjen e pluralizmit politik. Prej asaj kohe, qëndroi larg çdo përkatësie partiake.
Që nga viti 2002, Elezi ka jetuar kryesisht në Itali, ku nuk e ndali punën e tij shkencore dhe kulturore. Gjatë kësaj kohe botoi 12 libra, ndër të cilët veçohen:
• Kryengritja popullore ndërkrahinore e Matit
• Një jetë në shërbim të masivizimit të gjuhës shqipe
• Shtëpia Elezi
• Historia e kampeve të internuarve në rrethin e Matit
• Referate shkencore
• Puna vullnetare e rinisë matjane
• Qyteza e kala në trevën e Matit
• Jeta dhe vepra e një trimi
• Në gjurmët e historisë së Matit
• Rranxa – kundrojë historike
• Gegnishtja dhe prejardhja e shqiptarëve
• Origjina e derës arbnore të Kastriotëve
• Shpanët në histori (bashkautor)
Me jetën dhe veprën e tij, Mëhill Elezi përfaqëson një model të intelektualit të përkushtuar ndaj dijes, kombit dhe së vërtetës historike. Kontributi i tij për historinë lokale dhe kombëtare mbetet një pasuri e vyer për brezat.
