Nga Lartmadhëria e Tij Mbretërore, Princ Leka II – 26 tetor 2025
Të shtunën, më 25 tetor, pata kënaqësinë të takohem me familjet e vjetra dhe historike të Shkodrës.
I shoqëruar nga përfaqësues të Partisë së Legalitetit, z. Shpëtim Axhami, z. Ted Kopliku nga Partia Demokratike, si dhe përfaqësues vendorë e intelektualë të qytetit, ky takim nuk kishte karakter politik. Qëllimi im ishte të shpreh vlerësim dhe respekt për familjet që kanë ruajtur me dinjitet traditën, historinë dhe kontributin e tyre në ndërtimin e themeleve të shtetit modern shqiptar.
Këto familje përfaqësojnë kujtesën e gjallë të shtetformimit shqiptar, breza që shërbyen me nder, sakrificë dhe vizion për pavarësinë dhe unitetin kombëtar. Prania ime këtu nuk ka karakter politik, por buron nga respekti i thellë për ata që ndërtuan ndërgjegjen dhe identitetin tonë kombëtar.
Shkodra ka qenë gjithmonë busulla morale e Shqipërisë. Një qytet ku guximi, kultura dhe besimi kanë ecur krah për krah. Ajo mbetet një shembull frymëzues i bashkëjetesës, qëndresës dhe dinjitetit kombëtar.
Deklaratat e Vlerësimit që pata nderin t’u dorëzoj 36 familjeve të nderuara nuk janë thjesht një simbol, por një dëshmi se Shqipëria kujton, nderon dhe mëson nga ata që i kanë shërbyer me besnikëri dhe përkushtim.
Detyra jonë sot është ta përcjellim këtë frymë besnikërie dhe shërbimi te brezat e rinj, që e ardhmja e Shqipërisë të qëndrojë mbi të njëjtat vlera që dikur e ndërtuan atë.
